Letër-porosia malazeze për Tahirin që shkarkoi prokurorët e Krimeve të Rënda

Prej tre ditësh, Prokuroria për Krime të Rënda është përfshirë në një kaos, pas përplasjes së një grupi prokurorësh me drejtuesen e këtij institucioni, Donika Prela. Shkaku zyrtar, sipas Prokurorisë së Përgjithshme, është refuzimi që 10 prokurorë të Krimeve të Rënda i kanë bërë procedurës së shortit për përcaktimin e atyre që do të paraqesin konkluzionet për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij.
Në fakt, e vërteta është larg këtij versioni zyrtar. E gjithë amullia në Prokurorinë për Krime të Rënda është krijuar për dosjen “Tahiri”. Vetëm pak ditë, nga Mali i Zi mbërritën informacione mbi “shëtitjet” e ish-ministrit të Brendshëm në shtetin fqinj, me një skaf që dyshohet se është përdorur edhe nga vëllezërit Habilaj për trafikim narkotikësh drejt Italisë.
“Boldneës.al” ka mësuar në mënyrë ekskluzive të dhëna nga përgjigja e autoriteteve malazeze për letër-porosinë e dërguar në vendin fqinj. Sipas autoriteteve të Podgoricës, në vitin 2017, Saimir Tahiri, Orest Sota dhe të tjerë persona, miq të tyre, kanë qenë për pushime në brigjet e Malit të Zi, në bordin e një skafi.
Nga të dhënat e siguruara, rezulton se skafi ka qenë i regjistruar në emër të Orest Sotës në Mal të Zi dhe ka qenë me flamur malazez. Ky skaf nuk ka hyrë asnjëherë, të paktën zyrtarisht, në ujërat territoriale shqiptare.
Gjatë pushimeve të zhvilluara në Korrik dhe Gusht 2017, Saimir Tahiri është regjistruar si “kapiteni” i skafi të Orest Sotës. Sipas rregullave detare, asnjë mjet lundrues i tonazhit të lartë duhet të drejtohet nga një person që ka patentë për drejtimin e saj.
Saimir Tahiri ka pasur një patentë të tillë, e cila iu kap në automjet Orest Sotës rreth dy muaj pas udhëtimit në Malin e Zi, gjatë një rutine policore në Elbasan. Bashkë me patentat e Tahirit, Sotës iu gjetën edhe 863 mijë euro, për të cilat prokurorët dyshojnë se janë të Saimir Tahirit.

Në bazë të të dhënave të letër-porosisë së autoriteteve malazeze, mbërritur pak ditë më parë, prokurorët e çështjes siguruan të dhëna të tjera, të cilat e lidhin Tahirin me aktivitetin kriminal të Habilajve. Hetimi, pavarësisht pengesave të shumta politike, si edhe nga drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme e të Krimeve të Rënda, po merrte një rrjedhë rënduese për Saimir Tahirin.
Por, pikërisht në këtë situatë, shefja e Krimeve të Rënda, Donika Prela dhe shefja e saj, Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, krijojnë një situatë konfliktuale me dosjen “Shullazi. Në fakt, dyshimet më të mëdha janë që e gjithë situata është e stisur, për të goditur grupin e prokurorëve që po hetojnë “Tahirin”.
Fakti që sherri për dosjen “Shullazi” është i stisur sqarohet më së miri edhe nga një reagim i mesditës së të premtes të 10 prokurorëve “rebelë”. Në një letër publike, ndër të tjera, prokurorët shprehen se: “…Nga pjesa më e madhe e prokurorëve të pranishëm në mbledhje, u paraqitën pretendime në lidhje me kërkesën për hedhjen e shortit dhe ligjshmërinë e tij, pasi prokurorët e çështjes (Shullazi), Elisabeta Ymeraj dhe Ened Nakuçi, vazhdonin të ishin prokurorë të çështjes, përfshirë këtu edhe prokurorin Besim Hajdarmataj, i cili në fakt, jo më herët se data 18 Shtator 2018, përmes një akti me shkrim, i kishte shprehur drejtueses së komanduar të PKR vullnetin e tij, për të vazhduar përfaqësimin e çështjes në fjalë, pranë gjykatës kompetente”.
Pra, duket qartë se dosja “Shullazi” ka pasur prokurorë dhe nuk ka qenë aspak e nevojshme për të ngritur një debat skandaloz brenda radhëve të institucionit. Arsyeja kryesore e këtij sherri të stisur qëndron tek dosja “Tahiri”, ose tek “kapiteni” i skafit të regjistruar në Mal të Zi në emër të Orest Sotës

“Boldnews.al”

Artikulli paraprakLufta midis Izraelit dhe Iranit për kontrollin e Lartësive Golan
Artikulli tjetërI dërguari i Shullazit takoi Arta Markun? PD kërkon hetim dhe pezullim të menjëhershëm të Markut