1.13 miliardë lekë për zyrat e Gjiknurit

Ministri Gjiknuri vijon të fusë duart thellë në arkën e shtetit. Pasi nuk i mjaftojnë shpenzimet marramendës për pak kilometra rrugë, apo për dhënien e koncesioneve, Gjiknuri ka urdhëruar së fundmi që të rregullojë zyrat e tij.
Tpz.al ka siguruar dokumentet e një tenderi që ka hapur ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me një fond prej 113.315.914 lekësh të reja (mbi 1 milionë euro me TVSH). Në dokumente thuhet se objekti i kontratës është “aplikimi i teknikës me të fundit të eficencës në godinën e MIE”.
Pra, zyrat e kësaj ministrie do të jenë nga më luksozet, ndërsa ende nuk dihet përse kjo lëvizje e madhe e ministrive nga njëra godinë në tjetrën. Pak kohë më parë, ministri Gjiknuri ndërroi zyrën, ku nga godina në afërsi të Teatrit të Kukullave, doli përballë Bulevardit, ngjitur me Bashkinë. Ndërkohë, zyrën e tij e zuri ministria e Mjedisit, e cila ishte stacionuar për disa kohë në ish-godinën e ATSH-së. Dhe në momentin që një ministri lëviz, janë paguar qindra milionë lekë për rikonstruksione.
Megjithatë, “rekordi” është vendosur nga Gjiknuri, i cili ka akorduar më shumë se 1 milionë euro për rregullimin e zyrave. Në vend që të investohet në përmirësimin e infrastrukturës, sitaleve apo shkollave, për të cilat fondet gjenden me vështirësi ose mungojnë, panorama është e ndryshme kur vjen puna tek zyrat e pushtetit, për të cilat paratë gjenden dhe shpenzohen pa asnjë problem.

Në një vend të varfër si Shqipëria, shifra të tilla për rinkonstruksione stonojnë jashtëzakonisht shumë.
Sipas dokumenteve që disponon Tpz.al, ndërtesa daton që nga viti 1937, në funksion të Ministrisë së Ndertimit dhe Punëve Botore. Ajo rezulton se ka mbetur me një seksion, por në kohë të ndryshme ka njohur nderhyrje në pjesën e pasme të hyrjes, është me 3 kate të plotë mbi tokë dhe ka një kat gjysem nën tokë. Ministria thotë se qëllimi i rinovimit është përmirësimi i kushteve të brendshme.
Sipas saj, ndërtesa 3 katëshe e Ministrisë është një objekt, ku gjatë historikut në të janë vendosur institucione të ndryshme, të cilat kanë bërë investime të pjesshme.
Ministria thotë se ndërtesa është amortizuar, sidomos përsa i përket sistemit elektrik, sistemit të kaldajave, sistemit te ftohjes me chiller dhe Fan-Coil, tavanore të veçanta, të shkarkimit të ujërave të zeza dhe izolimit të tarracës që ka shkaktuar dëme mjaft serioze në lidhje me lagështinë.
Në dokumente thuhet se sipas materialeve teknike të marra nga Arkivi Qendror, gjatë 20 vjeçarit të fundit ndërteses i është shtuar dhe me një gjysem kat, që ka rritur peshën e ndërtesës.
Më tej vijohet se fasada është tejet e amortizuar dhe profilet e dritareve dhe vetratave janë në kundërshtim dhe pa asnjë cilësi, referuar rëndësisë së ansamblit të monumentit të kulturës.
“TPZ.al”

Artikulli paraprakKurseni së paku milionat e taksapaguesve, me të cilat presidenti i Kosovës lobon për Serbinë!
Artikulli tjetërMziu: PS nuk mbajti asnjë premtim nga 2013-a, Gjylameti ripremton nga Kamza se si do të bëhet Vora!