Si paratë e oligarkëve do t’u kthehen qytetarëve, 2.2 miliardë dollarë plaçkitje në 4 vite

Platforma antimafia e opozitës për çlirimin e ekonomisë, propozon mekanizmin ligjor për evidentimin, identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të personave privatë dhe zyrtarëve publikë përfshirë në afera kriminale korruptive, PPP, tendera, koncesione, leje apo licenca.
Këto janë masa drastike për një kohë sfidash dramatike për vendin. Pa ndalur këtë të keqe dhe pa iu rikthyer shqiptarëve paratë dhe asetet që po vidhen çdo ditë nga një qeveri e bërë njësh me krimin as sipërmarrja nuk do të shohë asnjë ditë të bardhë.
Bashkë me vetingun në politikë, çlirimi i ekonomisë përmes platformës antikorrupsion dhe antioligarki, do t’i japë Shqipërisë frymëmarrjen e munguar.
Lulzim BASHA
Zonja dhe zotërinj mirë se keni ardhur në prezantimin e sotëm të platformës të opozitës për çlirimin e ekonomisë kundër korrupsionit dhe oligarkisë.
Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë për praninë e tyre përfaqësues të komunitetit të Kukësit, përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, mjekë dhe profesorë të nderuar nga sektori i shëndetësisë, banorët e Zharrëzit, përfaqësuesit e tyre këtu sot, përfaqësuesit e komunitetit të Mbrostarit, Vërrisë, Elbasanit dhe Sharrës; që përfaqësojnë tre bombat ekologjike ku po zhvillohen tre veprat korruptive të inceneratorëve.
Në mënyrë të veçantë dua të falënderoj për mbështetjen dhe përkrahjen e tyre ekspertë të shquar të ekonomisë.
Falënderoj po kështu për praninë e tyre, intelektualë, zëra publikë, analistë, opinionistë, gazetarë, të cilët janë përgjigjur me praninë e tyre ftesës së opozitës për këtë prezantim të rëndësishëm.
Shqipëria është në një gjendje kolapsi, një krizë e trefishtë; ekonomike, politike dhe morale ka kapluar vendin.
Opozita është angazhuar tashmë jo thjeshtë të nxjerrë në pah të vërtetën që jetojnë dhe përjetojnë familjet shqiptare çdo ditë, por edhe të përpunojë dhe të hedhë për diskutim me qytetarët platformat tona, rrugët tona për të dalë nga kjo e keqe.
Që të dalim nga e keqja, duhet të kuptojmë rrënjët e të keqes!

Për ne, sikundër për shumicën e qytetarëve, ato janë dy: E para është rënia e demokracisë dhe shtetit ligjor për hesap të bashkëpunimit krim –pushtet. Aleanca midis krimit dhe qeverisë ka shkatërruar demokracinë, ka kapur dhe ka shkatërruar zgjedhjet, përmes shitblerjes së votës dhe deformimit të vullnetit të popullit.
Ka kapur shtetin ligjor përmes shkatërrimit dhe kapjes së institucioneve të drejtësisë dhe reformës në drejtësi për hesap të bandave kriminale të lidhura me pushtetarët.
Opozita ka propozuar platformën e vetingut politik, si një nga përgjigjet ndaj këtij problemi kombëtar.
Vetingu politik nuk është asgjë më shumë dhe asgjë më pak, në kuptimin e mekanizmit dhe instrumentit, sesa vetingu i policëve, gardistëve, i gjyqtarëve, i prokurorëve.
Largimi pra i politikanëve me lidhje me krimin e organizuar dhe që nuk justifikojnë ligjshmërinë e pasurisë së tyre.
Deri më sot, Edi Rama dhe qeveria kanë refuzuar vetingun në politikë me lloj-lloj pretekstesh dhe justifikimesh. Në fakt vetëm pak ditë më parë e dëgjuam të thoshte hapur që është kundër qëllimit të propozimit tonë ligjor, vetingut në politikë, kundër instrumentit, ndonëse është po ai bashkë me Fatmir Xhafën dhe Taulant Ballën, me Jurgis Çyrben që kanë votuar të njejtët dispozita ligjore për gjyqtarët, për prokurorët, për policët dhe gardistët.
Logjika është e thjeshtë dhe e kuptueshme për çdo shqiptar, ajo që vlen për policët e thjeshtë, ajo që vlen për gardistët, ajo që synon të zbatohet për gjyqtarët dhe prokurorët, nuk duhet të vlejë për politikanët. Politikanët janë specialë, janë mbi ligjin.
Natyrisht kjo është e papranueshme.
Ne jemi të vendosur ta ndjekim deri në fund rrugën ligjore dhe institucionale për të kaluar vetingun në politikë si një masë kushtetuese që do të ndërpresë mandatet e politikanëve të lidhur me krimin dhe do të pamundësojë praninë e tyre në institucione shtetërore.

Transformimi i marrëdhënies midis politikës dhe krimit, nga banditët dhe kriminelët që kishim në Kuvend derisa u miratua ligji për dekriminalizmin, tek politikanët e karrierës që bashkëpunojmë haptazi me bandat e krimit të organizuar, nga Taulant Balla me bandat e Lushnjës dhe bandën e Elbasanit, tek Ditmir Bushati me Bajrët e Shkodrës dhe natyrisht tek koka e qeverisë, pa autorizimin dhe mbështetjen e së cilit asnjë prej këtyre bandave nuk do të ishte në pozitat që është sot, të diktimit dhe kontrollit të territorit dhe kontrollit të ekonomisë.
Por sot jemi mbledhur këtu për shtyllën e dytë të së keqes, të platformën, zgjidhjen, që opozita ka për këtë. Marrëdhënia midis krimit dhe politikës nuk është mjaftuar me shkatërrimin e demokracisë, me kapjen dhe prishjen e zgjedhjeve, kapjen e drejtësisë dhe shkatërrimin e reformës në drejtësi por ka avancuar si një kancer në një fushë tjetër në ekonominë shqiptare.
Forma e evoluimit midis krimit dhe politikës në ekonomi tashmë janë të qarta dhe transparente në opinionin publik. Mjafton të shikojmë dy akte që parlamenti shqiptar ka ndërmarrë në dy javë; Javën e kaluar me kalimin e ligjit antikueshtetues, korruptiv dhe kriminal “Fusha –Rama”, për grabitjen e pronës publike, për shkatërrimin e memories historikë, me qëllim pastrimin e parave të pista të drogës në një aferë 200 milionë euro në ndërtimin e 7 kullave në qendër të Tiranës dhe një javë para kësaj uljen e taksave për bixhozin.
Kuvendi i Shqipërisë, vendi ku duhet të zgjidhen hallet e shqiptarëve, ku duhet të kalojnë legjislacione dhe të merren vendime për të përmirësuar
jetën e tyre është kthyer në vendin që ligjëron dhe legjitimon pastrimin e parave të pista; përmes industrisë së bixhozit dhe përmes aferave korruptive, të ndërtimit që janë dy mënyrat e preferuara të mafies për të pastruar paratë e krimit.

Asgjë nuk e përmbledh më mirë korruptimin total të kësaj qeverie, sesa afera korruptive 1 miliardë euro e cila po përkthehet në koncesione korruptive dhe PPP-të korruptive me anë të cilave po zhvaten miliarda lekë, qindra milionë euro nga xhepat e qytetarëve më të varfër të Europës për të pasuruar një grusht oligarkësh dhe klientësh të kryeministrit dhe qeveritarëve.
Nga Durrës-Kukës tek check-up, nga inceneratorët tek sterilizimi dhe ajo që i përmbledh të gjitha që tregon se nuk ka asnjë fre derisa ne ti vëmë fre, pra “Fusha-Rama”, që po shkatërron apo dëshiron të shkatërrojë edhe Teatrin Kombëtar.

Kapja totale e shtetit merr formë përmes këtyre dy gjëmave të mëdha; kriminalizimit të vendimmarrjes dhe shkatërrimit të ekonomisë dhe konkurrencës së lirë përmes përqendrimit të pushtetit ekonomik në duart e pak faktorëve ekonomik, që shqiptarët tashmë janë mësuar t’i njohin si oligarkë.
Janë në fakt klientë të qeverisë që ndajnë paratë me qeverinë, që fitojnë në mënyrë të padrejtë pozicione në treg, shkatërrojnë konkurrencën, shkatërrojnë tregun dhe janë bashkëpërgjegjës për gjendjen e mjeruar të ekonomisë shqiptare. Vetë statistikat shqiptare flasin për 45 biznese që mbyllen çdo ditë. 45 biznese mbyllen çdo ditë!
Ne i kemi denoncuar këto afera një për një dhe do të vijojmë t’i denoncojmë ato pa asnjë hezitim.
Por, kjo që do të bëjmë sot është më shumë se denoncim.
Ne do të prezantojmë para jush platformën antimafia për çlirimin e ekonomisë, e cila shkurt dhe thjeshtë konsideron dhe propozon mekanizmin ligjor dhe institucional për evidentimin, identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të personave privatë dhe zyrtarëve publikë përfshirë në afera kriminale korruptive, qofshin këto PPP, tendera, koncesione, leje apo licenca.
Para pak ditësh, është shprehur me të drejtë shqetësimi për klimën e biznesit në Shqipëri. Dua të garantoj të gjithë përfaqësuesit e biznesit të ndershëm se Partia Demokratike, por edhe aleatët tanë se qëndrojnë fuqishëm pro sipërmarrjes.
Por sipërmarrja nuk do të shohë asnjë ditë të bardhë nëse ne nuk garantojmë konkurrencën e lirë të tregut.
Sipërmarrja nuk do të shohë asnjë ditë të bardhë nëse një grusht njerëzish përfitojnë gjysmën e fondeve publike në mënyrë jotransparente dhe akte korruptive për afera që nuk sjellin asnjë leverdi publike.
Thënë ndryshe, shërbimi më madh që mund t’i bëhet biznesit shqiptar, sipërmarrjes shqiptare, është të rikthejmë kushtet e konkurrencës së lirë midis bizneseve, kushtet e garës së barabartë dhe mbi të gjitha zbatimin e ligjit, ku të gjithë përfaqësuesit e sipërmarrjes nga më i madhi tek më i vogli të jenë të barabartë para ligjit.

Ky është synimi i platformës sonë të cilën sot do ta prezantojmë në tre pjesë.
Së pari, zonja Tabaku do të bëjë një prezantim të shkurtër të bilancit të abuzimeve në sektorin e koncesioneve, tenderave por po kështu edhe në sektorin e monopoleve, oligopoleve dhe të licencave dhe lejeve korruptive.
Së dyti, z.Mima do të bëjë një bilanc financiar se çfarë do t’i kushtojë kjo qytetarëve shqiptarë, taksapaguesve shqiptarë dhe ekonomisë shqiptarë.
Së treti, z.Alibeaj do të bëjë një prezantim të projektligjit që opozita tashmë ka gati për amendimin e ligjit Antimafia ku njësoj si me krimin e organizuar dhe me asetet e krimit të organizuar, të gjithë ata që përfitojnë në mënyrë korruptive paratë e taksapaguesve shqiptarë do të jenë subjekt i të njëjti mekanizëm, i cili konsiston në dy pjesë: Së pari, barra e provës do të jetë me subjektet e ligjit dhe jo me shtetin. Njësoj si me krimin e organizuar do t’ju takojë këtyre që janë bërë në këto afera korruptive të provojnë pafajësinë e tyre dhe ligjshmërinë e aseteve të tyre. Dhe së dyti, duke bërë të mundur që pavarësisht nga procesi i penal –juridik, pasuritë e vëna në këtë mënyrë t’i nënshtrohen procesit të verifikim-sekuestrim-konfiskim.
Këto janë masa drastike për një kohë sfidash dramatike për vendin. Pa ndalur këtë të keqe dhe pa iu rikthyer shqiptarëve paratë dhe asetet që po vidhen çdo ditë nga një qeveri e bërë njësh me krimin as sipërmarrja nuk do të shohë asnjë ditë të bardhë, as qytetarët shqiptarë nuk do të mund të dalin nga spiralja e të keqes që i ka mbërthyer.
FalEnderoj tre prezantuesit, natyrisht edhe ekipin që ka punuar intensivisht për këtë platformë, grupin e punës për këtë shtyllë, që njihet si shtylla e katër e platformës.
E para, vettingu në politikë,
E dyta, çlirimi i drejtësisë nga kapja politike,
E treta, çlirimi i zgjedhjeve
E katërta, çlirimi i ekonomisë.

Grupi ka bërë një punë të jashtëzakonshme, në një kohë relativisht të shkurtër.
Dua të falënderoj në veçanti ekspertët që u morën me detajimin e konkluzioneve politike të grupit të punës në propozimin antimafia, në veçanti z. Bardhi, znj. Pelinku dhe z. Teliti, dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në këtë punë intensive.
Shpresoj që prezantimi të ketë qenë i plotë dhe shterues.
Thelbi i propozimit tonë, është që përmes ligjit dhe institucioneve, shtetit të së drejtës, të garantojmë që gjithçka që i është marrë me të padrejtë qytetarëve shqiptarë, buxhetit të shtetit, pasuritë publike, t’u merren atyre që i kanë përfituar me të padrejtë dhe t’u kthehen njerëzve.
Ky është ndryshimi thelbësor në qasjet që duhet të bëjmë.
Sot kemi një kryeministër dhe një qeveri, që u merr qytetarëve, zhvat njerëzit, shkatërron bizneset, për të pasuruar pesë oligarkë dhe veten e tyre.
Nesër do të kemi përmes këtij ligji dhe këtyre mekanizmave që kërkojnë vullnet politik, ndalimin e menjëhershëm të kësaj praktike shkatërrimtare për konkurrencën, për tregun, për ekonominë, për punësimin, për mirëqenien e shqiptarëve dhe gjithçka që kanë përfituar, do t’u merret dhe do t’u kthehet qytetarëve.

Kjo do të ndodhë jo me parulla, as me praktika revolucionare jakobinë, por me praktika ligjore të konfirmuar në vendet zhvilluara të perëndimit, siç është Britania e Madhe dhe vendet e Bashkimit Europian.
Bashkë me vetingun në politikë, çlirimi i ekonomisë përmes platformës antikorrupsion dhe antioligarki, do t’i japë Shqipërisë frymëmarrjen e munguar, duke çliruar parlamentin dhe qeverinë nga politikanët e lidhur me kirmin dhe duke çliruar ekonominë shqiptare nga klientela e politikanëve të lidhur me krimin, nga përdorimi i aseteve publike për pastrimin e parave të pista të krimit dhe nga shkatërrimi total i konkurrencës ku sipas biznesit sot, punojnë vetëm 5 veta, ata që marrin lejen dhe miratimin e kryeministrit.

Rikthimi i konkurrencës së lirë, i transparencës, i kushteve të barabarta, sundimi i ligjit, ku duhet të jenë të barabartë të gjithë, nga biznesi më i vogël me një kryefamiljar, e deri tek korporata më e madhe multinacionale, është parakusht që Shqipëria të thithë investime dhe të futet në rrugën e progresit teknologjik dhe krijimit të vendeve të punës.
Më lejoni ta përfundoj, përpara se e t’u jap fjalën të pranishmëve, me një konstatim të bërë nga një zyrtar i lartë gjerman, pak përpara gjatë një takimi me të.
Nuk ka nevojë të prezantosh në detaje se çfarë po ndodh në Shqipëri. Nuk ka pasqyrë më të mirë për politikën gjermane se sa atë që thotë, ndjen, apo tregon biznesi gjerman.
Shifrat e investimeve gjermane në Shqipëri janë 300 milionë.
Shifrat e investimeve gjermane në Maqedoni, janë 3 miliard.
Kjo flet mjaftueshëm.
Ndaj kam besim të madh, se me prezantimin e kësaj platforme konsultimi do të shtrihet në të gjitha grupet e interesit, duke nisur me të prekurit e të goditurit, përfaqësuesit e të cilëve i kemi këtu në këtë sallë, e duke vazhduar me përfaqësuesit e sipërmarrjes së ndershme shqiptare, dhe bëjnë të mundur që Shqipëria të mos mbetet prapa vendeve të rajonit, por të krijojë kushtet për një ekonomi të tregut të lirë, konkurrencës së barabartë dhe zbatimit të njëjtë të ligjit.

Artikulli paraprakTrump i tregon “dhëmbët” Kinës, i vendos tarifa 200 miliardë dollarë
Artikulli tjetërDenoncimi: Bajri solli 5 kg kokainë nga Holanda, nipi i deputetit të PS dhe policia e shpërndanin në Shkodër