Ditën e sotme posta e Kuvendit ka dorëzuar në Presidencë, ligjin e ndryshuar për Teatrin, por këtë herë vetëm me “urdhrin” ndaj Ilir Metës, për të hedhur firmën e dekretimit.
Presidenti Ilir Meta e kishte kthyer ligjin për rishqyrtim në Kuvend, por mazhoranca pasi ka ndryshuar vetëm “pikën e garës” (pas insistimit të BE) për ndërtimin e objektit të cilin më herët ja kishte paracaktuar kompanisë “Fusha”, tani pretendon se i ka reflektuar të gjitha amendimet që bëri presidenti dhe se ligji është i njëjti, prandaj ai nuk ka të drejtë që ta rikthejë edhe një herë.
Loja që kanë bërë përfaqësuesit e mazhorancës dhe që është denoncuar nga opozita është, se ligji për teatrin që u votua ditën e hënë i ka shkuar presidencës me të njëjtin numër, si ligji i parë për Teatrin. Pikërisht për këtë çështje, opozita nuk bie dakord.
Partia Socialiste e konsideron ligjin e rivotuar si të njëjtë, pasi mban të njëjtin numër me të vjetrin dhe si pasojë e kësaj, presidenti Meta nuk ka të drejtë që ta rikthejë sërish, por thjesht të vihet në dijeni dhe ta dekretojë.
Në bazë të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, ka të drejtë që ta kthejë për rishqyrtim të njëjtin ligjin vetëm një herë dhe se këtë duhet ta bëjë brenda 20 ditëve. Por opozita dhe mjaftë juristë të njohur, pretendojnë se pavarësisht trukut të socialistëve, duke i lënë ligjit të njëjtin numër me ndryshimet që ju bënë, ai është një ligj i ri dhe presidenti ka të drejtën e tij ta rikthejë.
I vetmi organ që mund ta ndante këtë debat është Gjykata Kushtetuese, por ajo aktualisht rezulton e shkrirë.
E gjithë kjo situatë nënkupton, se debati për Teatrin do të vazhdojë të mbetet i nxehtë edhe në ditët në vijim. /Syri.net/