Islami: Tre grupet e oligarkëve të Ramës, e vetmja rrugë nxjerrja e tyre jashtë politikës

Nga Kastriot ISLAMI

Opozita ka bërë më së fundmi publik qëndrimin e saj: Oligarkët jashtë politikës.
Çdo reagim kundër kësaj platforme fatkeqësisht do të vetë-evidentonte jo vetëm oligarkët por edhe mbrojtësit e fshehtë të lidhur me fije te dukshme apo të padukshme, nostalgjike, politike apo interesash me oligarkinë që qeveris vendin.
Edi Rama, i cili ka ardhur në pushtet dhe qeveris vendin si drejtues i interesave të oligarkisë ka reaguar këto ditë ashpër dhe ka vënë në dispozicion të gjithë artilerinë e propagandës së regjimit oligarkik kundër kësaj nisme, që herët e vonë do të veprojë dhe sa më shumë të vonohet aq më e ashpër do të jetë.
Një nga tezat diabolike që po përpiqet Rama të hedhë në treg për të shtrënguar radhët e oligarkëve rreth qeverisë së tij dhe për ti egërsuar ata kundër opozitës është: opozita e papërgjegjshme po sulmon biznesin! Sulmojeni opozitën se po ju prek privilegjet që ju kam krijuar!
Ky është një mashtrim që tregon frikë, panik dhe ligësi.
Askush nga opozita nuk e ka sulmuar biznesin e ndershëm dhe askush nga opozita nuk është kundër zhvillimit të ekonomisë së tregut dhe kapitalizmit; madje qëndrimin e ashpër kundër oligarkëve opozita e ka mbajtur pikërisht për të mbrojtur biznesin e ndershëm dhe për të krijuar rregullat e konkurrimit të barabartë që oligarkët e Ramës të mos diskriminojnë bizneset e ndershme dhe të mos shkatërrojnë rregullat e ekonomisë së tregut.
Më poshtë jepen disa kritere për të kuptuar drejt se cilët janë oligarkët e lidhur me qeverisjen që po shkatërrojnë bizneset e ndershme dhe po varfërojnë qytetarët duke i detyruar shqiptarët, veçanërisht të rinjtë të emigrojnë.
Përmes këtyre kritereve është e lehtë të zbulohen emrat konkretë të oligarkëve e klientelës qeverisëse. Mjafton të ndiqni metodologjinë e mëposhtme dhe të mos mashtroheni nga demagogjia dhe mashtrimet e propagandës së Ramës. Kriteret janë objektive dhe japin mundësi të dalë në dritë të diellit të gjithë emrat e oligarkëve që qeverisin aktualisht vendin, pavarësisht se cila është origjina e tyre politiko-partiake apo cila ka qenë përkatësi apo sjellja e tyre ndaj qeverisjeve të fundit.

Nën-grupi I: Oligarkë të futur në politikë nga Rama…
Merrni në shqyrtim deklaratat e pasurisë të deputetëve të PS të periudhës 2009-2017, të kryetarëve të bashkive të PS të periudhës 2007-2017 dhe të drejtorëve të rëndësishëm të periudhës 2013-2017 të emëruar nga Rama. Analizoni se çfarë pjesë e pasurisë së tyre është vendosur përmes
lejeve të ndërtimit nga Rama si kryetar i bashkisë së Tiranës,
nga fondet publike të bashkisë së Tiranës të dhena nga Rama gjatë viteve 2000-2011;
nga privatizimet e pronës publike,
nga fondet publike dhe koncensionet gjatë periudhës 2013-2017 kur Rama ka qënë kryeministër;
shikoni nëse janë bërë deputetë e kyetarë bashkie pas vitit 2005 apo janë emëruar në poste kyçe të administratës publike, kur Rama ka ardhur në krye të PS apo është bërë kryeministër në 2013.
Të gjithë ata që janë ose kanë qenë deputetë, kryetarë bashkie, drejtorë të rëndësishëm dhe mbi 50 për qind të pasurisë së deklaruar prej tyre e kanë vendosur nga marrëdhëniet klienteliste me Ramën si kryetar i bashkisë së Tiranës apo në krye të qeverisë, janë pjesë e oligarkisë që Rama i ka futur në politikë. Emrat e tyre do të përbënin Bazën e të Dhënave të oligarkëve të futur në politikë nga Rama, si njëra nga pjesët e rëndësishme të klientelës politike-oligarkike të Ramës. Vetingu pikërisht do të duhet të zbulonte përmes këtyre kritereve emrat konkretë të këtij nën-grupi të oligarkisë. Këta nuk janë as politikanë të ndershëm dhe as biznesmenë të ndershëm, opozita duhet tja bëjë me dije publikut, Rama le të mbrojë!

Nën-grupi II: Oligarkë-biznesmenë të klientelës së Ramës
Përdorni këto kritere për të zbuluar nën-grupin e dytë të oligarkëve:
të gjithë tenderat e zhvilluara nga Rama si kryetar i Bashkisë së Tiranës në periudhën 2000-2011;
të gjithë lejet e ndërtimit të firmosura nga Rama si kryetar i Bashkisë së Tiranës gjatë periudhës 2000-2011;
të gjithë objektet e rëndësishme të dhëna me qera nga Rama si ministër i Kulturës dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës gjatë periudhës 1998-2011;
të gjithë koncesionet e dhëna nga Rama si kryeministër gjatë periudhës 2013-2017;
të gjithë tenderat e rëndësishëm të dhëna nga Rama dhe ministrat e tij gjatë periudhës 2013-2017.
Nëse emri i ndonjërit prej tyre shfaqet më shumë se tre herë në këto lista, ky është tregues i pakundërshtueshëm i lidhjes klienteliste me Ramën. Nëse pasuria e këtyre “biznesmenëve” në lidhje preferenciale klienteliste me Ramën është vendosur në një masë të konsiderueshme nga përfitime për shkak të këtyre lidhjeve, favoreve preferenciale apo veprimeve selektive të qeverisë Rama atëherë emrat e këtyre “biznesmenëve duhet të vendosen në Bazën e të Dhënave të “oligarkëve-biznesmenë anëtarë të klientelës së Ramës”.
Asnjë prej tyre nuk duhet patur shqetësimi për tu future në listën e oligarkëve lidhjet e të cilëve me qeverinë oligarkike duhet të ndërpriten. Sepse pikërisht shumë nga këto pjesëtarë të këtij grupi i kanë marrë frymën bizneseve të ndershme dhe pasuria e tyre është krijuar në kurriz të shkatërrimit të biznesit të ndershëm dhe mbi të gjitha në kurriz të varfërimit të qytetarëve.

Nën-grupi i III: Oligarkë-manjatë të medias, pjesë e klientelës së Ramës…
Kurse për të zbuluar nën-grupin e tretë të oligarkëve, ndoshta shumë i rëndësishëm për qeverisjen e Ramës duhet bërë një skanim i pasurive të manjatëve e medias të vendosur nën kontroll nga qeverisja oligarkike e Ramës. Për këtë do të mund të përdoreshin kriteret e mëposhtme:
sa leje ndërtimi kanë marrë nga Edi Rama, gjatë kohës që ka qenë kryetar i bashkisë së Tiranës apo kryetarët e bashkive që bëjnë pjesë në nën-grupin e parë të klientelës oligarkike të Ramës;
sa mjedise kanë marrë me qira preferenciale apo ju janë dhuruar nga Edi Rama në krye të Ministrisë së Kulturës, të Bashkisë së Tiranës dhe gjatë periudhës 2013-2017 nga Rama Kryeministër dhe ministrat e qeverisë së drejtuar prej tij;
sa tendera nga fondet publike të bashkisë së Tiranës kanë fituar në periudhën 2000-2011 dhe nga fondet publike të ministrive gjatë periudhës 2013-2017;
sa koncesione kanë fituar në periudhën 2013-2017 .
Lista e të gjithë atyre që plotësojnë minimalisht dy nga këto kritere bëjnë pjesë në Bazën e të Dhënave të manjatëve te medias, apo në nën-grupin e tretë të klientelës oligarkike të Ramës. Asnjë nga mediat e ndershme nuk do të prekej nga këto kritere sepse askush nuk është kundër medias të ndershme që nuk është në lidhje klienteliste me qeverinë dhe ruan pavarësinë në realizimin e aktiviteteve të saj.
E vetmja rrugë: Oligarkët jashtë politikës…
Rama dhe qeveria e tij janë përfaqësueset e interesave të oligarkisë, korrupsionit, krimit dhe narkotrafiqeve. Në këtë shënim të shkurtër jepen vetëm kriteret e përcaktimit të kësaj oligarkie që qeveris vendin.
Oligarkëve të futur në politikë nga Rama me prejardhje nga biznesi të cilët pjesën më të madhe të pasurisë së tyre të dyshimtë e kanë vendosur nga marrëdhëniet klienteliste me Ramën kur ai ka qenë në krye të Bashkisë së Tiranës apo në krye të qeverisë. Shumica e tyre e kanë paguar haraçin e lidhjes klienteliste me Ramën në momentin e përfitimit por edhe më vonë kur janë thirrur për tu futur në politikë. Ata në politikë kanë vetëm një funksion, të financojnë blerjen e votave dhe Edi Ramën.

Oligarkëve-biznesmenë që s’janë futur në politikë por që i shërbejnë Ramës për pasurimin e tij të paligjshëm dhe për financimin e të gjithë nevojave të tij politike, ku më i rëndësishmi mbetet blerja e votave për marrjen apo mbajtjen e pushtetit. Këta oligarkë-biznesmenë janë pjesë e klientelës permanente të Ramës Këta janë kryesorët në fitimin e tenderave, koncesioneve dhe të lejeve të ndërtimit apo lejeve të tjera me interes fitimi të madh.
Oligarkëve-manjatë të medias që i shërbejnë Ramës përmes përpunimit të opinionit publik në favor të qeverisë së tij apo imazhit të Ramës personalisht por edhe duke sulmuar egërsisht në mediat që ata zotërojnë të gjithë kundërshtarët e Ramës gjatë të gjithë kohës duke përfituar leje ndërtimi, tendera të rëndësishëm, koncesione fitimprurëse.
Një pjesë e konsiderueshme e tyre e kanë zgjeruar perandorinë e tyre mediatike në sajë të këtyre lidhjeve klienteliste me Ramën dhe kanë qënë në mënyrë permanente në shërbim të Ramës. Jo rrallë Rama ka shpërblyer punonjës të devotshëm të mediave klienteliste me poste kyçe lukrative të administratës publike.
Emrat e këtyre personazheve dihen dhe njihen nga të gjithë shqiptarët. Sa më shumë përpiqet Rama për ti maskuar emrat e tyre, aq më dukshëm për publikun bëhen këta personazhe. Një nga mënyrat e maskimit naiv dhe mediokër e tinzar që Rama është përpjekur të bëjë është propaganda e tij për të akuzuar opozitën si armike të biznesit.
Askush nuk e ha këtë demagogji të trashë sepse shumica e qytetarëve e kanë të qartë se s’janë bizneset e ndershme që shndërrohen në pjesë të klientelës oligarkike por është Rama dhe qeverisja e tij që ka krijuar klientelën oligarkike dhe herë pas herë kërcënon, josh, apo edhe tenton të komprometojë bizneset e ndershme për të maskuar pikërisht klientelën e tij oligarkike. Sepse askush nuk është kundër zhvillimet dhe rritjes së bizneseve të ndershme, ndërkohë që askush nuk mund të jetë pro krijimit nga Rama e qeveria e tij e një klientele oligarkike që kontrollon vendin dhe sistemin politikisht, ekonomikisht, mediatikisht.
Kjo betejë kundër oligarkisë mund të duket politike dhe do të ishte e këshillueshme të realizohej përmes Vetingut Politik sepse sa më shumë të vonohet apo të kundërshtohet ajo mund të jetë më e ashpër duke fundosur edhe atë pjesë të pastër të politikës si të paaftë për pastruar qeverisjen nga oligarkia dhe për të nxjerrë vendin nga ky batak ku po zhytet çdo ditë e më thellë.

Shënim: ky shkrim bazohet në një artikull të botuar 1 vit më parë.

Artikulli paraprakDëshmia tronditëse, kush është deputeti që porosit vrasjet me pagesë, gazetari prova në “Shijak.tv”
Artikulli tjetërZbulohen lojtarët që janë kundër portugezit, Mou drejt shkarkimit