Përgjimi i bandës kriminale me Ballën: Të kemi dhënë 3 milionë euro në fushatë

Nënkomisari Emiljano Nuhu, të mërkurën zbuloi se, deputeti i PS-së Taulant Balla është i lidhur drejtpërdrejt me një nga grupet kriminale më të rrezikshme që vepron në qytetin e Elbasanit. Ai u shpreh se ky hrup i ka dhënë deputetit të PS, Taulant Balla 3 milionë euro për fushatën e tij të 2017.
Nënkomisari tregoi se ky grup kriminal, i kërkoi Ballës shkarkimin e disa shefave të policisë.
Një kërkesë që u zbatua pak kohë më vonë nga vetë deputeti i PS-së, Taulant Balla.
Sipas tij, grupi i kërkoi Ballës arsyen se pse kishin ardhur këta shefa në qytetin e Elbasanit, duke kërkuar edhe shkarkimin e tyre.
“Ky grup kriminal i ka thënë Taulant Ballës se të kemi dhënë 3 milion euro për fushatën zgjedhore të 2017-ës dhe duhet t’na i kthesh”, tha Nuhu.
Pjesë nga intervista
GAZETARI: Pra janë këta grupe që vendosin emërimet e oficerëve?
EMILIANO NUHU: Këta grupe në të gjithë Shqipërinë vendosin emërimet e oficerave të policisë, oficerave madhorë, për shkak që të mos të hetohen dhe ta kenë çdo gjë nën kontroll.
GAZETARI: Për shkak të detyrës pra, informacionin që ju e keni, mendoni që këto grupe kriminale i kanë lidhjet e tyre për të vendosur në polici njerëzit e tyre siç është rasti i Elbasanit, siç është rasti i Krujës? Këta përdorin ndikimet e tyre politike dhe bëjnë emërime?
EMILIANO NUHU: Kjo tashmë është e provuar dhe i kanë dhënë provat që grupet kriminale kanë autoritetin për të vendosur drejtuesit e policisë dhe për të vendosur deputetët në Parlamentin e Shqipërisë. Ku në një përgjim telefonik i grupit kriminal në zonën e Elbasanit i kanë thënë Taulant Ballës që “Të kemi dhënë për fushatë 3 milionë euro dhe duhet të na i kthesh urgjentisht!” dhe ka vajtur i ka takuar. Këto janë edhe në raportet e vëzhgimit që ka Policia e Shtetit.

GAZETARI: Sa milionë euro i kishin dhënë?
EMILIANO NUHU: 3 milionë euro i kanë dhënë për fushatën e tij të 2017.
GAZETARI: Kishte investuar?
EMILIANO NUHU: Po.
GAZETARI: Dhe tani kërkonte bakshishin, kërkonte..?
EMILIANO NUHU: Kërkonte rikthimin e lekëve në mënyra të tjera.
GAZETARI: Dhe këta janë pjesë përgjimesh, pjesë e punës hetimore që është e dokumentuar besoj diku?
EMILIANO NUHU: Këto ndodhen në dosjet që janë krijuar për këto grupe kriminale në drejtoritë përkatëse por është e pamundur që të çohen para drejtësisë.
GAZETARI: E pamundur sepse?
EMILIANO NUHU: Për shkak të influencës që kanë, për shkak se mbështeten nga deputetët ose nga ministrat. Unë kam shumë informacione për grupet kriminale që kanë veprimtari të theksuar në zona ku kanë mbështetje ose të deputetëve ose të ministrit. Por nuk mund t’i them në media nëse do të më kërkohet. Do t’i them para organeve të drejtësisë por në media nuk mund t’i them.
GAZETARI: Të ministrit aktual apo të ministrit të mëparshëm?
EMILIANO NUHU: Të ministrit aktual dhe të deputetëve. Në çdo zonë. T’i them me emra çdo zonë, çdo grup kriminal dhe kë kanë mbështetje të deputetëve ose të ministrit.
GAZETARI: Pra është qarku i mbyllur me deputetë e ministra, i kanë caktuar? Emiliano, a kemi një grup parlamentar paralel në këtë mënyrë?
EMILIANO NUHU: Grupi parlamentar që i mbron ligjërisht nga Kuvendi dhe grupi tjetër që vepron në terren.

GAZETARI: Këto janë Parlamenti, këto grupe kriminale në terren.
EMILIANO NUHU: 70% e deputetëve, nga informacionet e mia, janë të lidhur me grupet kriminale. Vetëm kështu mund t’i marrin votat. Është e pamundur në mënyrë tjetër.
GAZETARI: Dhe ata pastaj vendosin se për çfarë u kanë shërbyer paratë dhe ndajnë mendjen?
EMILIANO NUHU: Kërkojnë t’i rikthejnë mbrapsht, t’i 10-fishojnë ato para.
GAZETARI: Nga puna juaj në të gjithë vendin, mund të themi se gurpet kriminale kanë fituar terren ndjeshëm ndaj policisë?
EMILIANO NUHU: Kjo është e vërtetë që kanë fituar terren ndjeshëm, që ata i emërojnë drejtuesit e policisë. Normalisht që i kanë nën kontroll, çfarë thotë grupi kriminal bën grupi i policisë lokale. Dhe disa grupe kriminale që janë bërë mediatike që janë goditur, hetimet kanë ardhur nga shtetet e Bashkimit Evropian, nuk ka bërë hetime policia shqiptare. Policia shqiptare ka bërë vetëm ekzekutimin e urdhërave ndërkombëtare.
GAZETARI: Vetëm në rastet kur policitë e BE kanë marrë pjesë në operacione, vetëm atëherë nuk kanë pasur mundësi këta që të mos veprojnë?
EMILIANO NUHU: Po, nuk kanë pasur mundësi dhe janë detyruar të veprojnë. Kanë bërë edhe rrjedhje informacioni kur kanë pasur interesa të mëdha, duke mos i arrestuar.
GAZETARI: Në rastin e trafiqeve përshembull?
EMILIANO NUHU: Në rastin e trafiqeve ndërkombëtare të drogërave, të armëve, trafiqeve të qenieve njerëzore që kanë goxha të ardhura.
GAZETARI: Në këto raste, sipas asaj që ju keni dokumentuar, ka pas dekonspirime jo të pakëta?
EMILIANO NUHU: Ka pasur dekonspirime nga pala jonë për t’i dhënë mundësi pjesëtarëve të grupeve kriminale të largohen që të most ë arrestohen.
GAZETARI: Jeni larguar tashmë nga Shqipëria pas këtyre kanosjeve dhe mendoni se për gjithë atë punë që keni bërë këtu, ndjeheni i braktisur dhe i kërcënuar njëkohësisht.
EMILIANO NUHU: Kam 10 vjet në Policinë e Shtetit dhe nga këto, 6 vjet kam në sektorin e agjentëve të mbulimit të infiltruar, ku kam bërë shumë operacione si agjent i infiltruar dhe kam goditur shumë grupe kriminale.

GAZETARI: Ke pasur punë me shumë grupe kriminale. Për këtë aryse kam pasur mundësinë dhe shansin të mësoja si funksionojnë këto grupe kriminale dhe strukturën e tyre.
GAZETARI: Këto janë momente delicate dhe ekspozimi ndaj grupeve është me risk. Titullarët e policisë e Policisë së Shtetit nuk gjenden në shërbim të ligjit, nga ajo çfarë ju keni përjetuar tashmë? I shihni më shumë në shërbim të këtyre kanosësve dhe kërcënuesve?
EMILIANO NUHU: Në shërbim të punonjësve të dëmtuar apo të kërcënuar siç jam unë, nuk gjenden drejtuesit e policisë, por duan t’i mbyllin gjërat privatisht me politikën.
GAZETARI: Ka një moment Emiliano. Ju keni bërë një dosje që acaroi për shkak të ndikimeve. Mendoni se tashmë fati i kësaj dosjeje është i humbur?
EMILIANO NUHU: Kjo dosje me numër 372 ndodhet në Prokurorinë e Krujës. Nuk e di si po vazhdojnë hetimet por është regjistruar si proçedim. Mund t’i zhdukin provat, mund t’i mbulojnë por proçedimi është i regjistruar. Paralelisht është regjistruar edhe një dosje që ka ardhur nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Prokurorinë e Krujës që vërteton këto çfarë thashë unë në lidhje me ngjarjen.
GAZETARI: Po kallëzimi juaj?
EMILIANO NUHU: Kallëzimi im është në Prokurorinë e Tiranës. Është regjistruar mbasi ka pas tentativa që të mos të referohej fare në Prokurori. Por në datën 1 gusht ka dalë në media dhe në portale që unë jam kërcënuar me jetë dhe e gjendur në këto kushte, policia e Komisariatit nr. 6 ka qenë e detyruar dhe e ka referuar rastin në Prokurori.

GAZETARI: Po kallëzuesja, nëse keni hetuar apo investiguar ju, a mendoni se është e kërcënuar sërish dhe rezikshmëria është më e lartë?
EMILIANO NUHU: Ajo vazhdon të jetë e kërcënuar sepse është pa mbështetje nga familja. Është pa baba, jeton vetëm me nënën dhe jeton në afërsi me zonën e Niklës dhe kërcënohet gjatë gjithë kohës nga këta persona. Kanoset, rrihet në çdo kohë dhe nuk i ofron asnjëri mbrojtje, në këtë rast nuk kanë për t’i ofruar mbrojtje.
GAZETARI: Ata nuk ju ofruan mbrojtje juve si oficer policie, jo më një denoncueseje..
EMILIANO NUHU: Është normale, jo më t’i ofrojnë asaj.
GAZETARI: A mendoni se jeni më të sigurtë atje dhe e keni vështirë pa u larguar ky grup aksioner i përbashkët me krimin në polici?
EMILIANO NUHU: Unë këtu ku ndodhem jam i sigurtë, po aty nuk mund të kthehem pa u shfarosur këta grupe kriminale se jam shumë në rrezikuar. Janë grupe kriminale shumë të fuqishme me përkrahje politike dhe ekonomike të fuqishme.
GAZETARI: Pra janë grupe me shumë pasuri, me shumë pushtet, me shumë krim brenda, edhe me vrasës?
EMILIANO NUHU: Po.
GAZETARI: Atëherë, të paktën t’u përcillje një mesazh drejtuesve të Policisë apo ministrit të Brendshëm që kjo ‘Forca e Ligjit’ na trumbetohet sikur po bën namin.
EMILIANO NUHU: Mesazhi që mund t’i përcjellë është që ata pak oficerë të ndershëm që punojnë të mos t’i katandisë siç më katandisi mua. Ky është mesazhi!
GAZETARI: Beson tek ajo që thotë ministri i Brendshëm tek ‘Forca e Ligjit’ që thotë se “Kemi identifikuar 40 banda dhe nuk i quajmë të 40 përtej hekurave.”
EMILIANO NUHU: Faktet flasin ndryshe që ‘Forca e Ligjit’ nuk po godet asnjë grup kriminal. Thjesht janë të identifikuar si grupe kriminale po s’po goditen.

GAZETARI: Ndërkohë që informacionet për to janë dmth?
EMILIANO NUHU: Grupet kriminale janë të identifikuar nga agjensitë ligjzbatuese të huaja por ‘Forca e Ligjit’ nuk po vepron, nuk po arrin dot t’i godasë. Thjeshtë bëjnë propagandë në televizor për të informuar njerëzit që nuk arrijnë ta kuptojnë.
GAZETARI: Po a mendoni se policia e vendeve të BE që merr pjesë bashkërisht në operacione, mund të ndikojë që të goditen disa grupe?
EMILIANO NUHU: Nuk jam unë personi kompetent për të dhënë një shpjegim të tillë. Ka të tjerë të cilëve mund t’u kërkosh një informacion të tillë. Unë jam një oficer i Policisë Gjyqësore i nivelit të mesëm, nuk jam drejtues.
GAZETARI: I cili do ta bëjë punën ndershmërisht dhe nuk e lënë?
EMILIANO NUHU: Është e pamundur të zbatosh ligjin.
GAZETARI: Emiliano, unë besoj se kemi ezauruar pyetjet dhe gjërat dhe ndërkohë besoj që do shkëmbejmë edhe dokumentacionet që i kemi dhe shkresat e nevojshme.
EMILIANO NUHU: Do t’ju vë në dispozicion gjithçka kam për të provuar atë që kam thënë. I kam me dokuementa të gjitha.
GAZETARI: Ne do të mbetemi në kontakt dhe unë ju falenderoj për kallëzimin që bëtë dhe njëkohësisht që keni bërë detyrën tuaj.
EMILIANO NUHU: Dhe unë ju falenderoj për interesimin tuaj ndaj meje.

Artikulli paraprakA do të arrestohet Balla? Prova të reja nga grupi i përdhunimit në pjesën e dytë të intervistës
Artikulli tjetërNënkomisari i policisë: Deputeti Rraja porositi vrasjen time tek Durim Bami