Pogba apo Mourinho?

Është çështja e ditës: Jose Mourinho kundër Paul Pogba, me Manchester United që ndjek i pafuqishëm telenovelën e sezonit, sepse për momentin asnjë nga dy personazhet kryesore të klubit nuk mund të largohet dhe për bashkëpunim nuk bëhet fjalë.
Ndërkaq, ish-mbrojtësi i famshëm i Liverpool-it, Jamie Carragher, ka dhënë mendimin e tij në Sky Sports në lidhje me këtë çështje dhe është treguar shumë i ashpër me Pogba, duke ftuar United që t’i dalë në krah trajnerit të vet.
“Nëse Mourinho largohet, nuk do të shihni ndonjë Pogba të transformuar. Ai nuk është aq i mirë sa mendon. Problemi i tij i madh është të kuptuarit e ndeshjes. Mund t’i përmbledhësh paraqitjet e tij në dy ndeshjet e fundit – një gol i shkëlqyer ndaj Young Boys dhe faj te goli i pësuar ndaj Wolves.
“Klubet e mëdhenj e duan, por Barcelona do ishte skuadra më pak e përshtatshme për të. Pogba luan për vete, nuk është realisht kapiten. Ai lejon agjentin që të flasë keq për klubin e tij. Nuk është njeriu i duhur”.
Carragher ka dalë në mbrojtje të Mourinho-s: “‘Mourinho nuk ia hoqi kurrë shiritin John Terry-t. Unë do i dilja në krah Mourinho-s në këtë histori, por dihet që klubet e kanë më të lehtë të largojnë trajnerin sesa një lojtar të rëndësishëm. Ma shpifin justifikimet për lojtarët, të jesh kapiten dhe mesfushor qendre do të thotë të luash për skuadrën, por nuk mendoj se Pogba ka disiplinën e duhur për të luajtur në mesfushën e Mourinho-s”.

Artikulli paraprakAlbpetrolin e nxorën jashtë loje, por gratë e zyrtarëve dhe militantët e PS punësohen, ja emrat
Artikulli tjetërA është e rrezikshme hyrja e Kinës në Ballkan?