Investimet kineze në vendet e Ballkanit Perëndimor po rriten nga viti në vit. Kritikët flasin për rrezikun e ndikimit politik të Pekinit. Por askush nuk thotë, se ku qëndron ky rrezik. Kur në mediat perëndimore flitet për nevojën e një integrimi në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, thirren në kujtesë rregullisht rreziqe të ndryshme. Të gjitha këto vende filluar me Maqedoninë në Lindje e Serbinë në veri, Bosnje-Hercegovinën, Kososvën, etj perceptohen si burimi i problemeve. Në të njëjtën kohë, Ballkani Perëndimor shihet edhe si skena e përplasjeve gjeostrategjike të të ashtuquajturve “global player” lojtarët globalë. Tek fuqitë tradicionale, BE apo Rusi është shtuar vitet e fundit edhe Kina, një aktor i angazhuar dhe aktiv. Në rajon kjo fuqi identifikohet me një fuqi aktive. Kina ndjek “interesa gjeostrategjike”, kjo është frika e përbashkët, sidomos në Bruksel. Në një kohë që të gjitha rreziqet për paralajmërime mbeten të vagullta, vështirë se dikush e përcakton avantazhin politik konkret të Kinës në angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor.
Kina – një kapitaliste në tregun botëror
Ndryshe është diagnoza, kur bëhet fjalë për interesat ekonomike të Kinës në rajon. Në vitin 2013, presidenti kinez, Xi Jinping bëri publik strategjinë “one belt-one road” – i njohur si “Rruga e Re e Mëndafshit”, që parasheh zhvillimin e disa projekteve infrastrukturore me synim transportimin e shpejtë dhe të lirë të mallrave nga Kina në tregjet e pasura perëndimore. Si një pjesë e rëndësishme në këtë tranzit janë edhe vendet e Europës Juglindore, saqë flitet herë pas here edhe për “Rrugën e Mëndafshit të Ballkanit”.
Investimi i parë i madh në këtë drejtim u krye në Greqi. Në vitin 2009, COSCO, koncerni i madh kinez i anijeve dhe porteve investoi në portin e Pireut më shumë se 250 milionë euro, më vonë edhe 650 milionë të tjera për të siguruar shumicën e aksioneve në këtë port. Investimi më i suksesshëm, sepse sot Pireu renditet ndër 10 portet më aktive në Europë.
Program koniunkturor kinez
Ndërkohë firmat kineze investojnë në të gjitha vendet e Europës Juglindore në shuma miliardash dyshifrore. Duhen dalluar investimet direkte nga dhënia e kredive të leverdisshme, thotë Jens Bastian, analist i ekonomisë i pavarur dhe një nga njohësit më të mirë të investimeve kineze në Europnë Juglindore. “Me përjashtim të Greqisë dhe Serbisë, në të gjitha vendet e tjera bëhet fjalë për kredi me leverdi për qeveritë përkatëse.”
Dhënia e këtyre kredive është e lidhur me kushte që krijojnë një “qark të mbyllur kreditimi”. Bankat kineze e japin kredinë me kushtin që porositë t’i marrin firmat kineze. Ata sjellin punëtorë dhe materiale nga Kina për të ndërtuar një urë apo një autostradë si në Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci. “Ky është një lloj programi koniunkturor për ekonominë kineze që ka mbikapacitete”, thotë Bastian.
Qëllimi: Tregjet perëndimore
Interesat ekonomike kineze janë të qarta: Tregjet perëndimore. Në këtë kontekst vendet e Ballkanit Perëndimor marin rolin e një “porte që duhet hapur për të hyrë në Europë”, sipas Bastian. Prandaj investohet në infrastrukturë, rrugë, ura, hekurudha, porte. Por vëllimi i këtyre investimeve nuk është shumë i madh. Jens Bastian thotë se “po të shohësh se sa investime të BE rrjedhin në programe të ndryshme kredish për Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Serbinë, Kroacinë apo Hungarinë, kuptohet se këto janë shuma disa herë më të mëdha se sa ato që do dhe është gati të investojë Kina.”
Po aq i madh është edhe dallimi në shumat që investitorët kinezë japin për vendet e Ballkanit krahasuar me ato perëndimore. Firmat kineze kanë interes të madh për teknologjinë e zhvilluar, për këtë ato janë gati të fusin dorën thellë në xhep. Nëse investimi kinez për portin e Pireut shkoi deri në 1 miliardë euro, vetëm për të blerë prodhuesin gjerman të robotëve, Kuka, në vitin 2016, kinezët ofruan 4,5 miliardë euro. Vetëm në Gjermani kinezët kanë investuar 13,7 miliardë euro, një vlerë rekord. Nga ana tjetër edhe investimet gjermane në Kinë shënojnë rekord. 70 miliardë euro.
Kapitali kinez dhe perëndimi vigjilent
Bëhet fjalë pra për investime klasike të kapitalit në një treg global. Të gjithë e investojnë paranë aty ku kanë interes. Dhe të gjithë kanë një synim: Të pozicionohen sa më mirë në tregun global për të shtuar sa më shumë përfitimin. Se ku investohet, në Kinë, në Gjermani apo në Europnjë Juglindore, kjo është e dorës së dytë. E vërteta është se vendet perëndimore më të forta kanë më shumë mundësi për të mbrojtur ” sferat sensibël” të ekonomive të tyre. Kështu qeveria gjermane e bllokoi blerjen e prodhuesit të chip-avem Aistron nga investitorët kinezë
Qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë në këtë drejtim një pozicion më të pafavorshëm, sepse ato janë më shumë të varura nga investimet e Kinës, thotë Jens Bastian. “Kina kërkon në këtë rajon ata partnerë ekonomikë që kanë një pozicion të dobët ndërmjetësimi.” Kjo i mundëson Pekinit të hapë rrugë të reja transporti me relativisht pak shpenzime, sipas Bastian.
Megjithatë mbetet e paqartë, nëse dhe çfarë agjende politike fshihet pas investimeve kineze. “Kina nuk ka interes, ndryshe nga Rusia, që të nxisë një ndryshim qeverish në këto vende”, thotë Bastian. Duket se interesi kinez gjeostrategjik aktual ka vetëm natyrë ekonomike, si një pjesë tranziti për tregjet e pasura perëndimore. E fakti që Kina askujt në këto vende nuk i mban leksione për të drejtat e njeriut apo lirinë e medias më shumë mirëpritet nga qeveritë e disa vendeve të Ballkanit Perëndimor.