Presidenti amerikan, Donald Trump tha të mërkurën se administrata e tij po planifikon një takim të dytë me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe do të njoftojë hollësitë e këtij takimi së shpejti.
“Do të takohem me kryetarin Kim”, u tha zoti Trump gazetarëve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Trump tha se data dhe vendi I takimit do të shpallen së shpejti.
Më parë të mërkurën, Sekretari amerikan Shtetit Mike Pompeo tha se po planifikon takimin dhe se ai mund të zhvillohet pas tetorit.
“Ne jemi duke punuar shumë për të siguruar që të kemi kushtet e duhura në mënyrë që të arrijmë sa më shumë rezultate. Por shpresojmë se do të jetë së shpejti”, tha sekretari Pompeo për rrjetin CBS të mërkurën në mëngjes. “Mund të ndodhë në tetor, por më shumë gjasa ka pas tetorit.”
Komentet e sekretarit Pompeo erdhën një ditë pasi presidenti Trump lavdëroi marrëdhënien e tij me Korenë e Veriut, duke thënë në Asamblenë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se kjo ka ndihmuar në zbutjen e tensioneve në gadishullin Korean.
“Raketat nuk po fluturojnë në çdo drejtim, provat bërthamore kanë ndalur, dhe disa objekte ushtarake tashmë janë duke u çmontuar,” tha presidenti Trump.
Ai shtoi se “mbetet shumë punë për t’u bërë” me Korenë e Veriut dhe tha se “sanksionet do të mbeten në fuqi derisa të ndodhë denuklearizimi.”
Komentet e tij në lidhje me Korenë e Veriut ishin në kontrast të thellë me ato që presidenti bëri vitin e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme, kur ai kërcënoi të “shkatërronte tërësisht” vendin dhe vuri në lojë udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un duke e quajtur atë “Njeriu i Raketave” i cili ishte në një “mision vetëvrasës”. ”
Të dy udhëheqësit u takuan në Singapor në qershor ku Kim Jong Un u angazhzua për të “punuar drejt” denuklearizimit të gadishullit.