Dule: Reformë në Drejtësi sipas rekomandimit 88 të Venecias

Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule bëri thirrje dje për miratimin e Reformës në Drejtësisë sipas rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Përmes një deklarate për mediat, Dule theksoi rëndësinë e miratimin e kësaj reforme me konsensusin e opozitës. “Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut vlerëson ecurinë e dialogut për Reformën në Drejtësi dhe kompromisin e deritanishëm. Kjo përbën natyrisht një arritje që dëshmon pjekurinë e klasës politike dhe aftësinë e saj për të kapërcyer barriera tradicionale, paragjykime, por edhe interesa politike të ditës. Me të njëjtin vullnet pozitiv dhe garancitë e paanshme të partnerëve tanë, mbështetës të sinqertë të çdo procesi jetik për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në vendin tonë, është plotësisht i arritshëm kompromisi edhe për pikën e vetme dhe të fundit të mbetur pa dakordësi. Inkurajojmë vazhdimin pa humbur kohë të dialogut të sinqertë dhe negociimit shterrues me sigurinë se do të çojnë shumë shpejt në plotësimin e kërkesës së fundit legjitime të opozitës konform rekomandimit nr. 88 të Komisionit të Venecias dhe arritjen e konsensusit të shumëpritur nga qytetarët dhe shoqëria. Krahas rëndësisë madhore për vetë fatet e drejtësisë, një zhvillim i tillë do të përbënte precedentin më të çmuar në rrugën e gjatë dhe të vështirë të reformave europianizuese të jetës së vendit”, thekson Dule në reagimin e tij. Neni 88 i rekomandimeve të Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi është bërë diskutim i zakonshëm, për shkak të faktit se pakica parlamentare këmbëngul në zgjidhjen e mosdakordësisë me shumicën, duke zbatuar rekomandimin e këtij neni. Formula që përmendet tekstualisht në rekomandim, i ashtuquajturi mekanizëm i “vendeve të rezervuara”, garanton që pesë vendet e anëtarëve në katër institucionet e reja që krijohen u rezervohen, në mënyrë proporcionale, propozimeve të shumicës dhe pakicës parlamentare- një numër i caktuar i anëtarëve duhet të zgjidhen me votim nga kandidaturat e propozuara nga shumica dhe një numër tjetër anëtarësh nga kandidaturat e propozuara nga pakica. Numrat përcaktohen afërsisht proporcionalisht në bazë të përqindjes së vendeve që shumica dhe pakica kanë, respektivisht, në Kuvend.

Artikulli paraprakEurostat: Shqiptarët kryesojnë listat e azilkërkuesve në Europë
Artikulli tjetërGjermani-Poloni, paqe pa gola në Paris