Skema “Xhafaj-Marku”, për të liruar djalin përdhunues të deputetit Rraja

Mesditën e së dielës, Policia deklaroi me nota gati triumfuese se ishte arrestuar Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist, Rrahman Rraja, i cili trazoi jo pak maxhorancën ditët e fundit.
Djali “gangster” i deputetit kishte keqtrajtuar fizikisht ish-të dashurën Xh.M, e kishte djegur me cigare, e kishte kërcënuar me pistoletë rreth dy muaj më parë, por asnjë institucion ligjzbatuese nuk kishte reaguar.
Vetëm kur nënkomisar Emiljano Nuhu denoncoi publikisht mbi kërcënimet që kishte marrë nga familjarët e deputetit për shkak të hetimit të këtij rasti dhe vetëm pas reagimit të fortë qytetar dhe opozitar, Policia dhe Prokuroria vendosën të vepronin. Nën këtë presion, Prokuroria e drejtuar nga Arta Marku vendosi t’i drejtohet gjykatës për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj djalit të deputetit socialist të Krujës.
Gjykata, natyrisht, po për shkak të të njëjtit presion publik, vendosi që Rexhep Rraja të arrestohet, vendim që u zbatua menjëherë nga Policia, e cila, në fakt mund ta kishte arrestuar në flagrancë që ditën kur ka bërë kallëzimin e dhunuara.
Arrestimi i Rexhep Rrajës lehtëson Edi Ramën dhe maxhorancën e tij, të cilët janë akuzuar për mbrojtje politike që i kanë dhënë djalit të deputetit të tyre. Gjithashtu, çliron edhe Policinë e Prokurorinë, të gjendura nën akuzë publike se nuk kanë reaguar ndaj këtij rasti flagrant.

Por, si përherë, “djalli fshihet në detaje”, sidomos kur dhunues apo shkelës të ligjit janë familjarë të pushtetarëve socialisë.
Policia, në njoftimin e saj zyrtar për rastin konkret, deklaron se “ka zbatuar vendimin e gjykatës për arrestimin e Rexhep Rraja, i dyshua për veprën penale “Përndjekja”. Për këtë vepër e ka referuar policia e Fatmir Xhafaj në Prokurori dhe për këtë vepër e ka dërguar çështjen edhe Prokuroria e Arta Markut në Gjykatë.
Pra, nuk ka akuzë as për dhunë fizike, përfshirë edhe djegien me cigare e hematoma të shumta. Nuk ka akuzë as për armëmbajtje pa leje, pasi denoncuesja deklaron se dhunuesi i saj e ka kërcënuar me pistoletë si jashtë, ashtu edhe në ambjentet e Postës Policore të Fushë-Krujës.
Natyrisht, për veprën penale të armëmbajtjes, askush nuk mund ta akuzojë sot, pasi nuk mund të provohet që Rexhep Rraja ka pasur në dorë armë para dy muajsh. Për këtë vepër aim und të arrestohej në flagrancë, nëse do të kishte pasur vullnet policor që në momentet e para.
Gjithësesi, duke u rikthyer tek vepra për të cilën akuzohet zyrtarisht Rexhep Rraja, “Përndjekja”, Kodi Penal parashikon një dënim gjashtë muaj deri në 4 vjet burgim. Pra, ekzistojnë të gjitha mundësitë që Rexhep Rraja të marrë dënimin edhe 6-mujor, për shkak të “sjelljeve të mira” dhe pranimit të autorësisë së veprës penale.

Nëse e pranon “përndjekjen” para gjykatës, ai mund të përfitojë edhe uljen me 1/3 e dënimit, pra të qëndrojë përfundimisht pas hekurave 4 muaj.
Por, nëse mbahet parasysh se një ditë në paraburgim konsiderohet 1 ditë e gjysëm burgim, atëherë, me llogari të thjeshtë, Rexhep Rraja mund të jetë pranë familjes shumë kohë para festës së Vitit të Ri.
Këto janë parashikimet e thjeshta, për sa kohë institucionet e drejtuara nga Xhafaj-Marku kanë vendosur ta akuzojnë vetëm për një vepër penale, “Përndjekjen”. Publiku tashmë e ka të qartë për dhunën që ka pësuar shtetasja Xh.M. nga djali i deputetit socialist, Rrahman Rraja. Por ndërkohë, Policia dhe Prokuroria e akuzojnë vetëm për “Përndjekja”, e parashikuar në nenin 121/a të Kodit Penal, i cili parashikon se: “Kërcënimi ose ngacmimi i personit me anën e veprimeve të përsëritura, me qëllimin për t’i shkaktuar një gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë ankthi apo frike për sigurinë vetjake, të një të afërmi ose të një personi, me të cilin ka lidhje shpirtërore, apo për ta detyruar të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës, dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në katër vjet”.
Ky nen nuk flet në asnjë moment për ushtrim dhune, për djegie me cigare, për kërcënim me armë. Pra, duket qartë se Xhafaj-Marku i kanë ofruar “amnisti” të plotë djalit të deputetit socialist, Rrahman Rraja.
“Boldnews.al”

Artikulli paraprak500 milionë euro nga eurobondi, Tabaku-Ramës: Po merr para për të shlyer borxhet e luksit
Artikulli tjetërJepini ilaçet psikopatit se ka ikur fare: Kush flet kundër meje do paditet