Për të ulëritur…

Ergys MËRTIRI

E dhunuara ka bërë denoncime të përsëritura që para një viti dhe gjithmonë agresori është infromuar menjëherë duke mbërritur në polici me urgjencë për ta detyruar viktimën të tërhiqet.
Drejtori i komisariatit të Fushë Krujës, është përpjekur ta mbyllë çështjen në ujdi me Rrahjat, oficeri i policisë Citozi, ka kopsitur letrat për të mbyllur hetimet, të gjithë punonjësit e policisë kanë lejuar Rexhepin dhe bandën e tij të hyjë e të dalë në rajon me armë ne brez, duke nxjerrë prej andej me forcë viktimën, për ta detyruar të tërheqë denoncimin, prokuroria nuk ka hapur hetim gjatë gjithë kësaj kohe, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe Ministri i Rendit nuk e kanë çarë kokën megjithëse janë vënë në dijeni…
I vetmi që ka bërë diçka në këtë histori është Emiliano Nuhu, i cili është detyruar të përballet me pasojat. Së fundi, falë denoncimit të tij në media, sot janë hapur hetimet. Pa këmbënguljen e tij, çështja do ishte e mbyllur dhe i biri i deputetit nuk do të ishte në burg.
E megjithatë, Emiljano është i vetmi person që ka ndezur inatin e Kryeministrit. Ai e quajti oficerin e policisë horr dhe u zotua se do ta ndjekë këmba-këmbës. Duke derdhur lot të pështirë krokodili për fatin e keq të vajzës, Rama nuk gjeti asnjë fjalë kundër agresorit, por tërë mllefin e zbrazi ndaj të vetmit njeri që realisht ka qenë në anën e viktimës!
Mesazhi është i qartë: Rama nuk ka asnjë shqetësim nga krimi. Përkundrazi, problemin e ka me ata që bëjnë detyrën dhe denoncojnë kriminelët. Pikërisht këta ai i ndjek këmba-këmbës e i kërcënon haptazi në sy të të gjithë publikut. Nuk mjaftuan Rrahjat dhe banditët e tij që terrorizojnë qytetin në Fushë-Krujë, por Emiljanon e kërcënon tashmë dhe vetë Kryeministri, i cili haptazi del në krah të kriminelëve!
Kjo është Shqipëria që duam, sipas rilindjes. Kjo është policia që na duhet.

Artikulli paraprakVetingu në politikë, Bylykbashi: Kuvendi dhe qeveria që sot janë në duart e krimit do t’i kthehen popullit
Artikulli tjetërKryemadhi: Rama siç quajti Xhisielën përdhunuese, ashtu do t’i quajë të gjithë shqiptarët