Bayern Munich nuk po kalon një kohë të mirë (sportive), referuar rezultateve, ndaj zërat e parë kritikë në dhomën e zhveshjes kundër trajnerit Niko Kovaç nuk kanë munguar. Sipas “Bild”, James Rodriguez e sulmoi trajnerin javën e kaluar në dhomën e zhveshjes, duke përfituar nga mungesa e tij. “Ne nuk jemi këtu si te Frankfurti“, shpërtheu kolumbiani i tërbuar, duke iu referuar ekipit të mëparshëm të trajnerit të tij.
James ishte zëvendësues në barazimin kundër Ajax (1-1), në Ligën e Kampionëve, dhe nuk luajti asnjë minutë kundër Augsburg (1-1). Mesfushori është mjaft i pakënaqur dhe kërkon të flasë me trajnerin, për t’ia bërë me dije se dëshiron të largohet nga grupi bavarez. Pas tri ndeshjeve të njëpasnjëshme pa fitore, dyshimet rriten në “Säbener Strasse”.
Bavarezët e Bundesligës tani kanë regjistruar tri ndeshje pa fitore, në të gjitha garat, pas startit të sezonit me shtatë fitore të njëpasnjëshme. “Askush nuk e priste këtë, por ky është futbolli. Kur rrëzohesh, ju gjithmonë keni mundësi të ngriheni, tha trajneri Kovaç për “Sky Germany”, referuar situatës jopozitive të Bayernit.
– Ndoshta gjithçka u mor lehtë nga ana jonë, por tani duhet të përveshim mëngët. E dimë se nuk kemi fituar tri ndeshje dhe duhet të përqendrohemi përsëri në gjërat thelbësore. Kjo nuk është ajo, që unë imagjinoja personalisht.
Tani duhet të tregojmë me shpejtësi fytyrën e vërtetë, që na ka bërë kaq të mirë në shtatë ndeshjet e para. Ndaj Ajax nuk ishte një lojë e mirë nga ana jonë. Luajtëm shumë mirë në 15 minutat e para, pastaj treguam pakujdesi. Fituam shumë pak duele, çdo top i dytë ishte në favor të kundërshtarit”.