Raporti për falsifikimet e pronave, akuza për zvarritje në hetime

Të dhënat e siguruara për Boldnews.al nga Agjencia e Trajtimit të Pronave ngrenë shqetësimin për ngadalësimin e hetimeve nga ana Prokurorisë dhe Policisë për falsifikimet e dokumentave të pronësisë. Në një raport konfidencial të Agjencisë së Trajtimit të Pronave (më parë AKKP) thuhet se se deri tani janë depozituar pranë organit të akuzës 53 kallëzime penale. Nga këto vetëm për 10 raste ka përfunduar hetimi penal ku 4 prej tyre janë dërguar çështjet në gjykatë. Gjithashtu nga të gjitha rastet, vetëm një proces gjyqësor ka përfunduar me sukses. Bëhet fjalë për ç’regjistrimin e disa pronave nga ZVRPP e Vlorës të përfituara padrejtësisht dhe me dokumenta të falsifikuara. Raporti i ATP-së nënvizon më tej se Prokuroria ka zvarritur hetimet penale në të paktën 43 kallëzime. “Për 43 raste të kallëzuara ka vetëm hetime paraprake nga ana e Prokurorisë, siç janë kërkesat për kopje dokumentacioni apo këqyrje të dokumentave dhe në pak raste sekuestrim të këtyre dokumentave. Kjo ka krijuar një zvarritje të hetimit penal si dhe humbjen e efektivitetit të qëllimit për të cilën është krijuar edhe një Task-Force e ngritur mes dy institucioneve”– thuhet në raport ku të dhënat janë sigurura nga Boldnews.al. Lidhur me disa hetime penale të pushuara nga prokuroria, raporti konstaton se organi i akuzës është justifikuar me përmbushjen e afateve të parashkrimit penal për autorët që kanë falsifikuar dokumenta. Madje sipas Agjencisë së Trajtimit të Pronave në disa raste hetimet nuk kanë filluar për shkak se autorët e veprës penale kanë vdekur. “Në disa raste, prokurorët e rretheve mjaftohen vetëm me verifikimin nëse është përmbushur afati i parashkrimit të ndjekjes penale për autorët, duke mos e shtrirë hetimin në verifikimin e ekzistencës së veprës penale të falsifikimit të dokumentave” shtohet më tej në raport.

Dështon Task-Forca e ngritur për pronat

Më 8 gusht, Prokuroria, Policia e Shtetit, Avokatura e Shtetit dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunimin ndërinstitucional për vënien para përgjegjësisë të personave që kanë falsifikuar dokumentat duke tjetërsuar pronën. Në raportin konfidencial të ATP, thuhet se kjo marrëveshje nuk ka arritur qëllimin për penalizimin e shtetasve që kanë konsumuar këto vepra penale duke vënë kështu në dyshim edhe marrëveshjen ndërinstitucionale.  Është zbehur mundësia e kthimit të pronave të paluajtshme të shtetit, të tjetërsuara në mënyrë të padrejtë nga këta individ. Pra nuk është krijuar mundësia për të kthyer në gjendjen e mëparshme.” – thuhet në raport. Por pavarësisht raporti fshikullues, vetëm javët e fundit Prokuroria ka arritur të sekuestrojë me qindra hektarë tokë të përfituar në mënyrë të paligjshme në zonën e Karaburunit dhe Zvërnecit.  Boldnews.al raporti pak ditë më parë se disa biznesmenë dhe kompani të njohura ishin “viktima” të skemës mashtruese me falsifikimin e dokumenteve në plazhin e Shën Vasilit, në Karaburun, vlera e të cilës arrinte në shifrën spektakolare të 100 milionë eurove. Agjencia e Trajtimit të Pronave në qëndër të akuzave.  Shoqata Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” ka lëshur një lumë akuzash ndaj Agjencisë së Trajtimit të Pronave lidhur me një ligj të njohur si nr.133/15. Në një deklaratë për mediat kreu i kësaj shoqate, Myrshit Vorpsi deklaron se një ligj i  tillë është  antikushtetues dhe kundër çdo parimi të së drejtës për disa arsye. “Jo më larg se para dy javësh ATP vlerësoi në mënyrë të njëanshme dhe deklarative pasuritë e pronarëve, të njohura në kuadër të vendimeve përfundimtare gjatë viteve 1993 dhe 1994. Këto vlerësime janë publikuar nga ky institucion në një regjistër elektronik dhe nëpër disa gazeta tek të cilat pronarët jo domosdoshmërisht kanë akses. Sipas terminologjisë ngatërruese të përdorur nga hartuesit e këtij mashtrimi me vlerë ligjore, ky grup pronarësh, shumica e të cilëve janë shkualifikuar nga e drejta e pronës, apo të cilëve u janë vlerësuar pronat në shuma tejet qesharake po rrezikojnë të humbasin edhe të drejtën e ankimit në gjykatë.” – thuhet në deklaratë e kryetarit të Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”. Sipas përfaqësuesve të pronarëve Vorpsi shpjegon se shpërblimi i pronarëve në bazë të këtij ligji do të jetë qesharak dhe me një vlerë 100 fish më pak nga realja. “Ky pronar do të kompesohet sipas zërit kadrastal që ka pasur kjo pronë në vitin 1945, pra ka qenë tokë bujqësore dhe do të kompesohet me një çmim 350 lekë të reja për m2, ndërkohë ai person që ka përfituar këtë pronë do të kompesohet me 300 mijë lekë për m2.”- shton më tej Vorpsi.  Vorpsi shprehet se do të ndjekin çdo rrugë ligjore për ta kundërshtuar ligjin e ri te pronave ndërkohë që aktualisht kane vene ne dijeni edhe Gjykatën e Strasburgut dhe Këshillin e Europës dhe nëse ai miratohet pa reflektuar shqetesimet e pronarave ata do ti drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.

Artikulli paraprakGati për Rumaninë
Artikulli tjetërBisedimet Prishtinë-Beograd, takimi në Bruksel, Tahiri: Serbia po bllokon