Kryetari i PD, Basha deklaroi se Prokuroria ka përgjimet e komunikimeve me bandat e krimit të organizuar për Dakon, Gjiknurin, Manjën dhe Ballën, por i fsheh ato. Kreu i PD bëri publike kushtet e opozitës për të qenë pjesë e reformës zgjedhore.
Deklarata e Bashës
Në polici dhe në prokurori ka regjistrime telefonatash dhe mesazhesh telefonike mes Vangjush Dakos dhe grupeve kriminale, mes Ulsi Manjës dhe grupeve kriminale, mes Damian Gjiknurit dhe grupeve kriminale, mes Taulant Ballës dhe grupeve kriminale dhe mes Edi Ramës e kriminelëve më famëkeq të vendit, të gjithë të regjistruar në pazare votash me kriminelë duke iu premtuar atyre mbrojtje për aktivitetet kriminale.
Kjo martesë e krimit me politikën elektorale u demonstrua me zë të lartë në rastin e përdhunuesit sadist Rexhep Rraja i cili në mënyrë të sinqertë nuk e kërcënoi opozitën me hakmarrje me dhunë, por me hakmarrje elektorale.
Krimineli Rraja njësoj si gjithë të tjerët që përmenda e shumë të tjerë, ndihet realisht kundërshtari ynë zgjedhor sepse në Fushë Krujë, në Krujë ashtu si në mbarë vendin ne nuk konkurrojmë me socialistët por me kriminelët që mbështesin kupolën e korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës.
Pushteti i marrë përmes krimit vihet në shërbim të krimit dhe mbahet vetëm përmes krimit.
Origjina e të gjithë situatës së krimit në Shqipëri, e inkriminimit të politikës, kapjes së shtetit dhe korrupsionit të jashtëzakonshëm është krimi elektoral.
Prandaj jemi sot këtu për të publikuar para jush dhe para qytetarëve shqiptarë platformën e opozitës, e cila konsiston në katër pika kryesore:
1. Dekriminalizimi i procesit zgjedhor – Vetting i politikës- pastrimi i Policisë së Shtetit nga lidhjet me krimin
E kuptoni se nga kush administrohej procesi zgjedhore! Krerët e policisë, palë me krimin, trafikun dhe mbjelljen e drogës, njerëz me zero besueshmëri publike dhe Rama i cili një vit më parë i cili bënte thirrje policisë të mblidhte vota për Rilindjen.
2. Sistem masash kundër shitblerjes së votës
E cila është evidentuar si problemi kryesor në raportin e OSBE/ODIHR për vitin 2017. Shitblerja e votës jo vetëm do të konsiderohet korrupsion zgjedhor që trajtohet nga SPAK, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
Por kërkon një sërë masash të tjerash që duhet të nisin që në gjenezën e procesit të blerjes së votës, i cili ndodh tashmë jo javën e fundit, jo muajin e fundit por gjatë 6-12 muaj para zgjedhjeve.
3. Financimi i partive dhe fushatës,
E cila parashikon reduktim të shpenzimeve të fushatës elektorale.
Financim shtetëror 100% të procesit zgjedhor dhe fushatës së partive.
Kriminalizim të financimeve private.
Kompani që financojnë parti politike dhe kandidat do të përjashtohen nga përfitimi i tenderave dhe koncesioneve për një kohë të përcaktuar.
Kjo mase në fakt do të parandaloje korrupsionin dhe trajtimin preferencial të kompanive financuese të partisë fituese të zgjedhjeve në tendera dhe koncesione.
4. Përdorimi i teknologjive në votim,
Identifikimi biometrik, votimi dhe numërimi elektronik.
Të gjitha këto janë të rëndësishme për të trajtuar vdekjen e procesit zgjedhor, shkatërrimin e procesit zgjedhor dhe kthimin e tij nga një festë të demokracisë në një gosti dhe orgji të krimit të lidhur me politikën.
Vetëm pasi të zgjidhen këto mund të hapet diskutimi për sistemin.
Mendimet e mia dihen publikisht, dihet që janë mendimet e mia dhe duhet t’i nënshtrohen një konsultimi në radhë të parë brenda partisë time, aleancës opozitare dhe natyrisht të gjithë faktorëve qytetare, organizate medias, botës akademike.
Qëndrimi im personal është që për çfarëdo sistemi të shkojmë maxhoritar, proporcional, proporcional kombëtar duhet një diskutim i hapur dhe i thelluar për të arritur në mënyrën më të mirë përfaqësimit të vullnetit të qytetarëve.
Reduktim i numrit të deputetëve me 100? Pse jo.
Është përfaqësues dhe redukton shpenzime të panevojshme të cilat mund të kthehen në investime për shkolla, spitale, rrugë, etj.
Parlamenti me dy dhoma, për një kontroll dhe balancim më të mirë të pushteteve.
Të gjitha propozimet të hapura për diskutim, jo sot. Sot vëmendja e të gjithëve ne duhet të jetë te çlirimi i i zgjedhjeve nga krimi, nga dekriminalizimi i zgjedhjeve, nga shitblerja e votës dhe nga kapja shtetërore.