Kryetari i grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka reaguar pas skandalit që shpërtheu mbrëmë gjatë emisionit “Opinion”, ku i ashtuquajturi dëshmitari kyç i prokurorisë dhe qeverisë, Fredi Alizoti, thotë në një video se, i janë ofruar para në këmbim të dëshmisë së rreme.
Më konkretisht në këtë video të dytë, Alizoti tha se, “Balla i ka ofruar 200 mijë euro për dëshminë e rreme”.
Ashtu siç veproi me rastin e fotos me të arrestuarin për kokainë Maksi Beço, Balla nxitoi të deklaronte para gazetarëve “se nuk e kishte takuar asnjëherë Alizotin”.
Ndërkohë u kujdes që për këtë rast t’ia kalonte “topin” kryeprokurores Arta Marku, duke thënë se, i takon prokurorisë që të zbardhë edhe këtë rast. Këto komente Balla i bëri në dalje të Gjykatës së Tiranës ku po shqyrtohet një tjetër skandal në të cilin emri i tij është përfshirë në miliona eurot e gjetura në të famshmen “Toyota Yaris” në portin e Durrësit.