Një furgon i ngarkuar me drogë ka kaluar pa asnjë problem për Policinë Kufitare të Kakavijës. Bëhet e ditur se furgoni me drogë është bllokuar nga policia greke 1 km larg doganës. Ndërkohë, në pranga ka rënë një 23-vjeçar shqiptar, i cili drejtonte mjetin. Mësohet se droga është kapur në vendin e quajtur Kallpaq.
Nga të dhënat paraprake mësohet se, në mjet u gjetën 38 pako me 21 kg marijuanë. Droga ishte e fshehur në serbatorin e mjetit. Po ashtu, gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan 350 euro, si dhe automjeti. Ky është rasti i dytë brenda javës që mjete kalojnë doganën të ngarkuar me drogë. Ndërkohë, rasti i fundit u regjistrua të dielën e kaluar, ndërsa u kapën 22 kg drogë.
Para pak ditësh u sekuestrua 680 kg drogë në Greqi. Droga ishte futur nga Shqipëria pa asnjë problem për policinë shqiptare. Trafikantët bashkëpunojnë me policinë dhe e fusin drogën lirisht në tokën greke. Jo vetëm në Greqi, por edhe në Itali. Prej kohësh autoritetet e huaja kanë dhënë alarmin për trafikun e drogës nga Shqipëria, por ky trafik nuk ndalet.
Ndërkohë në të gjithë vendin janë mbjellë plantacione me drogë. Droga kultivohet nga trafikantët në bashkëpunim me drejtuesit e policisë, të cilët marrin pjesën e tyre të fitimit. Drejtuesit e policisë marrin 50 euro për çdo rrënjë kanabis, ndërsa plantacionet ruhen me armë nga njerëz të punësuar nga trafikantët.