Prapaskena e frikshme, Escobar donte të eliminonte një ekip të tërë futbolli

Shumë është thënë dhe vazhdon të thuhet për Pablo Emilio Escobar Gaviria, edhe pse kanë kaluar 25 vite nga vdekja e tij. Ajo e mbretit të trafikut ndërkombëtar të drogës është kthyer në një figurë “kulti”, ashtu si ajo e Al Capone-s, për të cilin janë bërë libra, filma, seriale televizive në të gjithë botën dhe janë organizuar vizita turistike në zonat e frekuentuara nga bosi i Kartelit të Medelin. Por që “El Patron” donte të vriste “El Tigre” Gareca-n, trajnerin aktual të Perusë, kjo është një gjë e re për të gjithë. Zbulimi është bërë nga John Jairo Velasquez, i mbiquajtur “Popeye”, një nga të besuarit e Escobar, për të përditshmen peruane “El Popular”.
Faji i Gareca-s? Ka luajtur me America de Cali, një skuadër që Escobar nuk e pëlqente aspak, duke parë se klubi zotërohej nga vëllezërit që drejtonin Kartelin e Kalit, rivali kryesor i Medelin. Për rrjedhojë, gjatë konfliktit të armatosur mes këtyre dy organizatave kriminale, futbollistët kanë rrezikuar shumë, duke përfshirë edhe “El Tigre”-n. “Pablo Escobar i mbante nën vëzhgim të gjithë lojtarët e America de Cali, ishim në luftë. Dhe Ricardo Gareca ka qenë gjithmonë në shënjestrën e bosit.

Gjithsesi, dashuria e madhe e Escobar për futbollin ka shpëtuar Gareca-n dhe të gjithë lojtarët e America de Cali, sepse u mendua që të hidheshin në erë me një autobombë pasi Karteli i Kalit ka bërë të njëjtën gjë me familjen e Pablo-s”.
Do të dukeshin si skena filmash nëse këto fjalë të thëna për “El Popular” nuk do të vinin nga një prej njerëzve më të afërt të Pablo Escobar. Dhe “Popeye” ka vazhduar duke zbuluar anekdota të tjera që përshkruajnë marrëdhënien e vështirë të Mbretit të Kokainës me futbollin. “Escobar ka urdhëruar rrëmbimin e lojtarëve të America-s për të bindur vëllezërit Rodriguez (kokat e Kartelit të Kalit) të bashkëpunonin me të. Një lëvizje kjo që nuk ka funksionuar dhe ai është kundërpërgjigjur duke vrarë familjen e Pedro Sarmiento, që tani është një trajner i famshëm, por që në atë kohë as ai nuk ka dashur të bashkëpunojë me Escobar”.
“Zotërinjtë e drogës i kanë bërë shumë dëme futbollit kolumbian”, ka qenë përfundimi i “Popeye”.

Artikulli paraprakMbyllen bastet sportive, por mbetet basti online i Olsi Ramës
Artikulli tjetërShaqiri injoron Liverpulin, zgjedh… Mançesterin