Pavarësisht se mori dy plumba, Astrit Hani fatmirësisht i mbijetoi masakrës së djeshme në Mat, ku një 51-vjeçar vrau me kallashnikov 3 punonjës të bashkisë Mat. Shkak i krimit të 3-fishtë u bë rruga e fshatit Shëlli, ku këta punonjës po kryenin punime. Gazetari Enver Doçi ka siguruar për “BalkanWeb” dëshminë e Astrit Hanit, i cili ndodhet i shtruar në spitalin e Burrelit, ndërsa ka marrë 2 plumba në kofshën e djathtë. Në një gjendje tejet të rënduar psikologjike, por jashtë rrezikut për jetën, Hani tregoi minutat e tmerrit, kur pa se si Kujtim Koxha, kryetar i PS për këtë zonë, qëllonte me breshëri automatiku tre kolegët e tij dhe atë vet.
Ai tha se dy orë para ngjarjes autori i krimit kishte pirë raki me një nga viktimat, Hamit Buçin. Madje Hani shokon me dëshminë e tij, ndërsa shton se babai i një prej viktimave, (Mentor Hoxhës), i kishte lënë porosi pronarit të lokalit që ta qeraste Koxhën me një gotë raki nga ana e tij.
“Kujtimi ishte dy orë para ngjarjes në atë lokal. Ishte ulur bashkë me Hamit Buçin. Pak më vonë, babai i një nga viktimat, Mentor Hoxhës, e qerasi me një dopio raki Kujtimin dhe më pas u largua. Aty ishin të gjithë punonjësit e bashkisë, edhe shoferët e makinave dhe varrmihës, po punonin për rrugën. Unë isha poshtë makinës (shoferi i një prej mjeteve të bashkisë) se po e shihja se dha një defekt, dhe pash që Kujtimi po debatonte me viktimat. Dëgjova që u thoshte “Jam unë këtu, jo ju” dhe kur iku i ofendoi. Madje ai tha; ‘do ta shihni për pak se kush jam unë’”, tha i mbijetuari.
Më tej Hani pohoi se gjithçka ndodhi gjatë kohës që ata ishin të gjithë duke ngrenë drekë, ndërsa autori i ngjarjes ishte larguar prej aty 20 minuta më parë. Hani rrëfeu për ‘BalkanWeb’ edhe skenën e tmerrshme se si ndodhi ngjarja, kur Kujtim Koxha u shfaq në derën e lokalit, ku më parë kishte pirë me një nga viktimat. “U largua për 20 minuta, se aq siç duket e kishte shtëpinë larg prej aty. U fut në derë me automatik, dhe një çantë në dorë. Të parin qëlloi Mentor Hoxhën dhe më pas hapi zjarr me automatik tek të tjerët. Vëllai i pronarit të lokalit që ishte tek banaku, pas dere e kapi nga duart dhe i ngriti automatikun lartë dhe plumbat prekën tavanin. Po mos të kishte qenë ai do ishin 13 viktima brenda në lokal”, tha Hani.
Po ashtu “BalkanWeb” ka arritur të mësojë të tjera detaje rreth ngjarjes, ndërsa pohon se Koxha ishte një person me problematik në fshatin e tij. Raportohet se para disa ditësh Koxha kishte qenë në spital, pasi ishte plagosur me thikë nga vëllai i tij pas një konflikti. 51-vjeçari kishte qëndruar i shtruar për disa ditë në spitalin e Burrelit.
Mes të tjerash bëhet e ditur se Koxha kishte shkuar në vendin ku ndodhi krimi me një automatik me një karikatorë të mbushur, dhe një tjetër e kishte e mbante në xhep. Fatkeqësisht nga breshëria e plumbave Mentor Hoxha ndërroi jetë në vend, ndërsa Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi vdiqën në spital. Sakaq, policia arrestoi autorin rreth dy orë pas ngjarjes, ndërkohë që familja e tij është marrë në mbrojtje për shkak të frikës nga një hakmarrje e mundshme nga familjet e tre viktimave.