Hernia diskale, operacion apo fizioterapi?

Shpesh herë tendenca është që çdo dhimbje lumbare ne ta përkufizojmë si “hernie diskale”. Hernie është ajo që ne të gjithë e dimë, dalja e nucleusit pulpos nga vendi i tij, shpesh herë duke irrituar strukturat rreth e rrotull.
Në këtë stinë kemi një incidencë të lartë të dhimbjeve lumbare, temperaturat e larta, të cilat (duke e ekzagjeruar kohën e qëndrimit në diell) acarojnë akoma më tepër një inflamacion të fshehur që e kanë pasur me parë, disa nga ekzagjerimi i të notuarit shumë dhe në mënyrë të gabuar duke shkarkuar ngarkesë të madhe në shpinë. Me uljen e temperaturave disa e ndjejnë më shumë të ftohtin dhe kanë tendencën të tkurren në vetvete duke krijuar situata të pakëndshme në zona të caktuara të trupit.
Kush ka rrezikshmëri më të lartë të preken nga hernia diskale?
Unë mendoj se të gjithë ne nga pak jemi të rrezikuar, si ata që bëjnë një jetë sedentare duke mos krijuar një stabilitet të mirë të muskujve, por edhe ata që kanë punë të renda fizike ose janë të detyruar të qëndrojnë për një kohë të gjatë në të njëjtin pozicion, ulur ose në këmbë. Përveç profesioneve të vështira, të rrezikuar janë edhe ata që kryejnë sporte në terrene të vështira ose personat që vuajnë nga mbipesha trupore.

Çfarë duhet të bëjmë nëse kemi hernie?
Si fillim, duhet të bindemi që jemi të prekur nga hernia diskale, dhe e vetmja mënyrë është ekzaminimi MRI. Jo çdo dhimbje cervikale apo lumbare është hernie. Kemi edhe situata të tjera, si bilging, fryrja e diskut dhe protuzioni që është dalja jo e plotë e diskut nga hapësira intervertebrale. Këto situata ekzaminohen dhe trajtohen nga mjeku neurokirurg, është ai mjeku përgjegjës që merret me dëmtimet të këtij lloji të skeletit. Mbi 70% e rasteve nuk trajtohen ashtu siç duhet sepse nuk shkojnë te mjeku përgjegjës por konsultohen me reumatologun, neurologun ose ortopedin.
Po kur mjeku na thotë që duhet të operohemi, si duhet të veprojmë?
Mjeku neurokirurg e ka përgjegjësinë të vendosë nëse një situatë është për operacion ose është për rehabilitim. Rastet të cilat nuk klasifikohen si hernie, janë të rehabilitueshme me procedurat fizioterapeutike, dhe jo pak herë pacientët i kanë cilësuar fizioterapistët si “shpëtimtarë”, sepse jo vetëm që i kanë eliminuar operacionin por i kanë rikthyer në aktivitetet e përditshme.
Para se të vendosim të operohemi duhet të kemi parasysh:
– Afërsisht vetëm 15% e rasteve është për t’u operuar, atëherë kur kemi rrezikshmëri për dëme të parikthyeshme dhe dhimbje persistente për një kohë të gjatë (si për shembull, hedhja e hapit dhe mos ngritja sipër e këmbës).
– Në 5-7% të rasteve nuk përjashtohet mundësia e ripërsëritjes në nivele të afërta.
-Nëse durojmë për pak kohë dhimbjen, kryejmë rehabilitimin fizioterapuetik të duhur, operacioni mund të jetë vetëm një ëndërr e keqe.

Kur duhet t’i drejtohemi fizioterapistit?
Pacienti për një rehabilitim efikas duhet me patjetër të kryejë ekzaminimin me MRI, të diagnostifikohet nga mjeku neurokirug, të përjashtohet situata emergjente e operacionit dhe më pas mund të fillojë rehabilitimin fizioterapeutik sipas një programi të detajuar. Situatat kur struktura është e dhimbshme, por nuk është një hernie, por bulging ose prituzion, janë raste të cilat trajtohen dhe gjejnë një zgjidhje afatgjate me fizioterapinë.
Duhet pasur kujdes me procedurat fizioterapeutike, sepse jo pak herë ndodh që pacienti të ndjejë efektin e kundërt edhe të irritojë edhe të shtojë më tepër nivelin e dhimbjes.
Kjo ndodh nëse fizioterapisti nuk ka eksperiencën e duhur për të trajtuar me programin përkatës rastin në fjalë.
Sa kohë na duhet për të eliminuar operacionin?
Vazhdoj të theksoj që operacioni duhet të jetë zgjidhja e fundit dhe jo zgjidhja e parë pas çdo dhimbje
të tillë. Përjashtim bëjnë rastet që ritheksuam më sipër, paralizimin e lëvizjeve edhe të dhimbjeve persistente për një kohë të gjatë.
Pas përjashtimit të këtyre rasteve, procedurat fizioterapeutike mund të zgjasin deri në një muaj si periudhë kohore, duke e ndërthurur seancat edhe me hidroterapinë edhe me kohën e pushimit. Në të tilla raste ajo që duhet për një trajtim me sukses pa operacion është një koordinim i mirë i marrëdhënies mjek-pacient-fizioterapist.

Artikulli paraprakGabimet që bëhen shpesh kur ushtroni aktivitet fizik
Artikulli tjetërAfron fundi i Ramës, familjet mafioze Rama-Xhafa-Balla-Tahiri nën hetim nga agjenci ndërkombëtare