Arabia Saudite po përgatitet të pranojë se gazetari i zhdukur Jamal Khashoggi është vrarë, sipas njoftimeve të dy mediave amerikane.
Njoftimet citojnë burime që thonë se vdekja e Khashoggit erdhi për shkak të një operacioni për marrjen e tij në pyetje që shkoi keq.
CNN njofton se ata që qëndrojnë pas operacionit mund të kenë menduar ta rrëmbenin Khashoggin nga konsullata saudite në Stamboll dhe ta çonin atë në Arabinë Saudite për ta marrë në pyetje.
Sipas burimeve, në raportin që përgatitet të publikojë Arabia Saudite pritet të deklarohet se operacioni që çoi në vdekjen e Khashoggit u ndërmor pa lejen e zyrtarëve dhe se ata që qëndrojnë pas vdekjes së tij do të mbahen përgjegjës.
Komentet e Presidentit amerikan Trump
Presidenti i SHBA, Donald Trump tha të hënën se gazetari saudit i zhdukur dy javë më parë mund të ketë qenë viktimë e vrasësve që ishin jashtë kontrollit.
Khashoggi u pa duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll, ku kishte shkuar për të marrë disa dokumente martese, por nuk u pa të dilte më.
Presidenti Trump tha se gjatë një bisede telefonike 20 minutëshe të hënën, mbreti saudit Salman i mohoi atij kategorisht të kishte dijeni për atë që mund t’i kishte ndodhur gazetarit, një kritik i trashëgimtarit të fronit saudit, princit të kurorës Mohammed bin Salman.
“Më i fortë nuk bëhet mohimi që ai më shprehu mua,” tha Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë. “Ndoshta nuk duhet të futem në mendjen e tij, por kjo më tingëlloi se ndoshta fjala ishte për vrasës jashtë kontrollit, ku ta dish.”
Presidenti i SHBA dërgoi sekretarin e shtetit Mike Pompeo në Riad për të biseduar me Salmanin rreth zhdukjes së gazetarit.
Ai u zotua se nuk do të lerë gur pa lëvizur për të gjetur se çfarë ndodhi me Khashoggin.
Çështja Khashoggi në fokus
Ndërkohë, në Stamboll, policia turke nisi të hënën një kërkim në konsullatën e Arabisë Saudite.
Agjencitë shtetërore të lajmeve të të dy vendeve njoftuan se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe mbreti saudit Salman biseduan lidhur me këtë çështje, gjatë një telefonate që zhvilluan të dielën në mbrëmje.
Arabia Saudite iu kundërvu kërcënimit të Presidentit amerikan Donald Trump i cili paralajmëroi ndëshkimin e Riadit lidhur me zhdukjen e gazetarit, duke thënë të dielën se do të hakmerrej me veprime ekonomike “edhe më të ashpra” nëse Uashingtoni do t’i vendoste sanksione.
Tregu saudit i aksioneve shënoi një rënie me shtatë për qind përpara se të ringrihej lehtë, por gjithësesi me humbje prej 5 për qindësh, pas intervistës së zotit Trump për rrjetin televiziv amerikan CBS.
Presidenti amerikan tha se Riadi do të “ndëshkohej ashpër” nëse do të arrihej në përfundimin që mbështet Turqia se Jamal Khashoggi u vra nga agjentë sauditë, brenda konsullatës së këtij vendi në Stamboll,
Sipas autoriteteve saudite akuza është “e pabazë”, por nga ana tjetër ata nuk kanë dhënë asnjë provë që tregon se gazetari u largua
gjallë nga konsullata, në të cilën hyri për të marrë dokumentet për martesën e tij të afërt.
“Mbretëria bën të ditur se në qoftë se do të jetë objektiv i ndonjë mase, do të reagojë me veprime më të mëdha. Ekonomia e mbretërisë ka një rol me ndikim jetësor në ekonominë botërore dhe ajo ndikohet vetëm prej saj”.
Jamal Khashoggi jetonte në mërgim të vetë-imponuar në Shtetet e Bashkuara. Ai kishte kritikuar princin e kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman në disa artikuj të publikuar në gazetën “The Ëashington Post”.
Sipas njoftimeve në shtyp Jamal Khashoggi mund të ketë regjistruar vdekjen e tij me orën inteligjente Apple që mbante në dorë.
Raportet thonë se në momentin që kishte hyrë në konsullatën saudite ai kishte ndezur butonin e orës që bën të mundur regjistrimin e zërit.
Gjithashtu thuhet se kishte arritur të regjistronte jo vetëm momentin e marrjes në pyetje dhe torturat ndaj tij, por edhe momentin e vrasjes.
Sipas njoftimeve një grup prej 15 personash me shtetësi saudite patën mbrritur në Stamboll ditën kur Jamal Khashoggi hyri në konsullatë.
Në shenjë proteste ndaj zhdukjes së tij disa drejtues biznesesh në Shtetet e Bashkuara anuluan pjesmarrjen në konferencën “Iniciativa e investimeve të ardhshme” e cila mbahet javën që vjen në Riad, e quajtur ndryshe si “Davos-i i shkretëtirës”, referuar takimit vjetor ekonomik botëror që zhvillohet në Zvicër.
Megjithatë sipas Shtëpisë së Bardhë sekretari i Thesarit Stiven Mnuchin ka ende në plan të marrë pjesë në konferencë.