Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Lezhë, pas asaj të mesditës të së premtes. Një i ri, i identifikuar si Altin Marku është qëlluar dhe është plagosur në krah. Në afërsi të kryqëzimit të Shënkollit, Altin Marku, 31 vjeç nga Kallmeti është qëlluar me armë zjarri, ndërsa plumbi e ka kapur në krah. Altin Marku ka shpëtuar me një dëmtim të lehtë, pasi ka shkuar vetë në spital, ndërsa policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, identifikuar dhe arrestuar autorin e ngjarjes.
Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Lezhës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat blu që kanë nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, rrethanat e së cilës janë ende të pasqaruara. Sipas Policisë së Lezhës, gjatë ditës së shtunë “në Spitalin Rajonal të Lezhës është paraqitur i plagosur lehtë në krah me armë zjarri Altin Marku, 31 vjeç, banues në Kallmet. Menjëherë është ngritur grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e rrethanave”.
Ndërkohë, të premten dy persona u plagosën në Shëngjin në mes të ditës nga shkëmbimi i zjarrit me armë. Dy të plagosurit janë dërguar në spital në gjendje të rëndë, ndërsa banorët e Shëngjinit janë përfshirë nga paniku dhe frika. Ngjarja ka ndodhur ditën e premte rreth orës 14:30 tek Lapidari ku ka patur një përplasje me armë. Bëhet e ditur se shtetasi Gertian Malshi, 38 vjeç banues në Pllanë ka plagosur me armë gjahu shtetasen Mimoza Aliaj, 49 vjeç, banuese në Shëngjin. Në konflikt e sipër, bashkëshorti i shtetases Mimoza Aliaj, shtetasi Gëzim Aliaj, 52 vjeç ka plagosur me armë gjahu shtetasin Gertian Malshi. Policia bëri të ditur se plagosjet kanë ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.