Paketa antishpifje/ Manjani i vërsulet Ramës: Armiku i lirisë do të mbushë nenet e Enverit

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar pas propozimit të kryeministrit Edi Rama për një projektligj kundër shpifjeve, ku të gjitha fitimet nga gjyqi të shkojnë për fondin e edukimit. Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Manjani theksoi se Rama ka një armiqësi patologjike me lirinë e shprehjes.
Sipas Manjanit, këto nene të Kodit Penal janë bosh, pasi u hoqën në vitin 2012 edhe me votat e Partisë së Ramës.
Ai tha se armiku patologjik i lirisë së shprehjes, do t’i mbushë prapë këto nene, që janë aty që prej kohës së diktatorit Enverit.
“Besoj e patë dhe mbrëmë se në ç’armiqësi patologjike gjendet sot Kryeministri me lirinë e shprehjes. Që nga koha e arrestimit të Aleksandër Frangajt e Martin Lekës, nuk kishim parë një sulm të tillë ndaj gazetarëve!
Megjithatë, sa për informacion këto nene të Kodit Penal janë bosh. U boshatisën në vitin 2012 edhe me votat e Partisë së Kryeministrit.
Ishte një nisëm e OSBE dhe e mbështetur nga BE dhe KoE. Synimi ishte i qartë: Askush nuk mund të ndëshkohet pse mendon, beson dhe shpreh ato që mendon për qeverinë dhe shtetin.
Armiku patologjik i lirisë së shprehjes, do t’i mbushë prapë këto nene, që janë aty që prej kohës së Enverit!
Vetëm se i duhen 84 vota…
Të fala shumë OSBE, në qoftë gjallë!”, shkruan Manjani.

Artikulli paraprakRama diskriminim racist/ Mziu: Zyra e Punës nuk regjistron punëkërkuesit nga Kamza
Artikulli tjetërAktivisti zbërthen Ramën: Ti ishe i sinqertë kur i gjuaje me celularë kokës ca bashkëpunëtorë të tu e ua quaje gratë kurva