Një foristradë, e cila ishte gjuajtur me një breshëri plumbash është gjetur në fshatin Shtoj i Vjetër në afërsi të shinave të trenit. Makina është gjetur tre ditë më parë por është mbajtur e fshehtë nga policia. Brenda fouristradës forcat e policisë kanë gjetur edhe njolla gjaku.
Dyshohet se një person që ka qenë brenda makinës është plagosur, por nuk dihet më tej lidhur me fatin e tij.
Deri më tani ende nuk ka asnjë lloj informacioni se ku ndodhet ai shtetas dhe se kush është plagosur.
Megjithatë sipas burimeve nga vendngjarja por edhe burime policore ka një dyshim se kemi të bëjmë me një person problematik që dyshohet se ka qenë brenda fouristradës.
Forcat e policisë kanë shoqëruar shumë persona në zonën ku ka ndodhur ngjarja ndërsa po ashtu janë marrë në pyetje shumë të tjerë.
Një prej të dyshuarve kryesor por jo i vetëm sipas burimeve nga vendngjarja dhe policisë është edhe shtetasi Artan Koçeku.
Ky i fundit është person i shpallur në kërkim që në dhjetorin e 2017-ës si autor i dyshuar për vrasjen e shtetasit Angjelin Shkambi, ngjarje e ndodhur tek varrezat e Stom Golemit.
Kjo vrasje dyshohet nga policia se erdhi pas një borxhi mes viktimës dhe autorit për pazare droge. Fouristrada e cila është qëlluar me breshëri plumbash natën e 14 tetorit të këtij viti rezulton se ka targa të vjedhura dhe të mbivendosura.
Në spitalin rajonal të Shkodrës sipas burimeve që nga nata e 14 tetorit nuk ka shkuar asnjë person i plagosur me armë. Vendi ku ka ndodhur ngjarja është një rrugë dytësore që nuk ka qarkullim të shpeshtë dhe larg vëmendjes së njerëzve, detaje këto që e vështirësojnë punën e efektivëve.
Deri më tani kjo ngjarje nuk është bërë e ditur nga policia e Shkodrës në njoftimet e saj ashtu si në të gjitha rastet e tjera. Policia po heton për të zbardhur të plotë këtë ngjarje mbi autorët dhe për të gjetur nëse personi i plagosur ka qenë i dyshuari Artan Koçeku apo ndonjë tjetër.