Zgjedhjet për Kongres, Bannon: “Republikanët do t’i fitojnë zgjedhjet, demokratët do të munden keq”

Tre javë para zgjedhjeve për Kongres, vështirë të gjesh politika që i bashkojnë demokratët dhe republikanët. Por aderues të të dyja partive pohojnë se Presidenti Trump dhe politikat e administratës aktuale do të jenë tema qendrore në këto zgjedhje që do t’i japin formë Kongresit për dy vitet e ardhshme.
Presidenti Donald Trump i ka marrë shumë personalisht zgjedhjet e 6 nëntorit.
“I gjithë ky përparim i jashtëzakonshëm vihet në rrezik. Unë nuk konkurroj në këto zgjedhje. Por në një farë mënyre emri im është në fletëvotime, prandaj, ju lutem, dilni në votime”.
Presidenti mobilizon fuqimisht si përkrahësit, ashtu edhe kundërshtarët, si Jenny Heintz:
“Një rezistencë aktive është mobilizuar kundër presidentit, i cili vepron sikur është mbi ligjin”.
Presidenti është figura qendrore në këto zgjedhje, thotë analisti David Barker:
“Demokratët e kanë pritur këtë ditë që të nesërmen e zgjedhjeve të 2016. Gjithë vëmendja është te Trumpi dhe ai e mirëpret këtë frymë”.
Zoti Trump i ka dhënë hov prirjes për t’i bërë zgjedhjet për Kongres një garë kombëtare thotë analistja Lara Brown:
“Tani e gjithë fushata ka marrë karakter kombëtar. Këto zgjedhje janë në një lloj mënyre një referendum pro ose kundër presidentit dhe partisë së tij”.
Baza e presidentit e mirëpret këtë evolim, thotë ish-strategu i fushatës së presidentit, Steve Bannon:
“Mendoj se nëse këto zgjedhje shndërrohen në një referendum mbi suksesin e programit të Donald Trumpit, republikanët do t’i fitojnë zgjedhjet, demokratët do të munden keq”.

Por republikanë të tjerë janë skeptikë, përfshirë ish-kryetarin e Komitetit Kombëtar Republikan, Michael Steele:
“Dakord, presidenti do që të jetë faktori qendror në zgjedhje. Por tani çdo kandidat që konkurron duhet t’i përgjigjet elektoratit për sjelljen e presidentit, për postimet e tij në Twitter”.
Pritet një pjesëmarrje më e lartë e demokratëve në zgjedhje thjesht nga fakti që Donald Trumpi është në Shtëpinë e Bardhë, thotë ligjvënësi Dutch Ruppersberger:
“Kur vetëm e ke mendjen tek vetja, nuk do t’ia dish për njerëzit, për nevojat e tyre, për ilaçet e mjekimet e pensionistëve, kur vetëm do të dukesh bukur e të dërrmosh politikisht kundërshtarët, gjërat shkojnë keq. Prandaj mendoj se njerëzit do të dalin të votojnë”.
Por presidenti nuk duket i shqetësuar dhe vazhdon të mobilizojë bazën e tij, thotë anketuesi Frank Newport.
“Me sa duket, ai ka hequr dorë nga përpjekjet për të zgjeruar bazën. Po vepron ashtu si e ka stilin. Ai ka një stil agresiv. I pëlqen të bëjë armiq sepse i pëlqen të luftojë me dikë. Prandaj Presidenti Trump e ka të vështirë të zgjerojë bazën”.
Emri i Presidentit Trump nuk do të jetë në fletëvotimet e 6 nëntorit. Por rezultatet e këtyre zgjedhjeve mund të përcaktojnë të ardhmen e presidencës së tij.

Artikulli paraprakProva e vjedhjes, PD do të anullojë koncesionin skandaloz të Ramës për Vilmën
Artikulli tjetërKorea e Jugut dhe Veriut bisedojnë mundësitë e çarmatimit