Drejtori i Policisë së Gjirokastrës mbron arat me drogë dhe shet kryeplakun tek trafikantët. Denoncimi është bërë nga një qytetar, i cili i ka dërguar një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Berisha bën publike një letër që kryeplaku i fshatit Tolar në Këlcyrë, Ilmi Mehmeti i ka dërguar më parë drejtorit të policisë, të cilin e njoftonte për parcelat me kanabis, por policia nuk ka reaguar. Sipas kësaj letre, kultivuesit e drogës marrin tokat e fshatarëve për t’i mbjellë me kanabis dhe ai që nuk e jep tokën kërcënohet me jetë nga trafikantët e mbështetur nga policia.
“Qytetari dixhital denoncon mbrojtjen e arave të kanabisit nga drejtori i Policisë së Gjirokastrës edhe pasi kryeplaku i fshatit Tolar, Këlcyrë e njofton me shkrim, si dhe shitjen nga ana e tij të kryeplakut tek trafikantët”, shkruan Berisha në Facebook.
Ish-Kryeministri ka publikuar edhe letrën që kryeplaku i ka dërguar drejtorit të Policisë së Gjirokastrës dhe dy foto të aravave të mbjella me kanabis në Këlcyrë. “Më poshtë keni mesazhin dhe shkresën përkatëse! Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe drejtorin trafikant, përgëzoj kryeplakun e fshatit Tolar për zbatimin me trimëri të ligjit! Sb”, shkruan Berisha.
“Jam H.M. Para dy ditësh shkova në Këlcyrë në fshatin e lindjes Tolar, mbasi vëllain tim atje e kanë kërcënuar me jetë dhe nga familja se nuk lejon drogmenët të mbjellin lëndë narkotike në territorin e fshatit mbasi vëllai është dhe kryeplak. Drogaxhinjtë u kanë marrë toka me marrëveshje ose dhe me zor fshatarëve dhe i kanë mbjellë me drogë. Vëllai e ka bërë detyrën ndaj ligjit, duke vënë në dijeni drejtorin e Policisë Gjirokastër me shkrim. Po drogaxhinjtë u premtojnë fshatarëve se mos kini frikë se ne jemi shteti dhe u nxjerrim ne nga burgu. Nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë më parë kështu. Fshatarët janë të terrorizuar. Atje gjendja do të keqësohet. Unë nuk do të lejoj që të nëpërkëmbin pjesëtarët e familjes time atje. Duke ju falënderuar për mirëkuptimin”, përfundon mesazhi i qytetarit.
Tepelena është një nga zonat më të mëdha ku lulëzojnë plantacionet me kanabis. Ish-Kryeministri Berisha publikoi para pak ditësh në rrjetin social Facebook një video të parcelave me kanabis në luginën e Luftinjës në Tepelenë, për të cilën akuzon Kryeministrin Rama dhe ministrin Tahiri për kultivimin e drogës.
I gjithë Jugu i vendit është i mbushur me kanabis nga trafikantët e lidhur me zyrtarët e lartë të policisë dhe qeverisë. Bëhet e ditur se, në rrethinat e Tepelenës si në Kamçisht, Krahës, Dorëz, Matosanaj janë prerë pemët dhe toka është mbjellë me kanabis. Sipas burimeve, për mbjelljen e hashashit garancia është e plotë nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunimin edhe me kontigjentin kriminal.
Çdo gjë që bëhet është në dijeni të krerëve të policisë dhe inspektorëve të fshatrave, pasi ata marrin pjesën e tyre nga kjo fushatë hashashi që ka kohë që po lulëzon. Po ashtu edhe në Vlorë, Krujë deri në Malësinë e Madhe, ku i është vënë zjarri malit për ta mbjellë me kanabis. Gjatë ditëve të fundit, policia ka ndërmarrë disa aksione për shkatërrimin e parcelave me kanabis, të cilat janë pa pronarë, por arat me kanabis të pushtetarëve nuk preken nga policia. Këto ara jo vetëm që nuk preken, por ruhen me forca të armatosura.
Bregu i lumit të Vlorës dhe kodrat përreth qytetit bregdetar janë të mbjella me kanabis. Këto ara me kanabis ruhen me policë. Për vaditjen e kanabisit janë punësuar punëtorë nga trafikantët që kanë lidhje direkt me drejtuesit e policisë. Trafikantët e mbështetur nga policia në të gjithë vendin kanë angazhuar edhe mercenarë të armatosur me kallashnikov që ruajnë fushat e mbjella me lëndë narkotike. Banorët e lumit të Vlorës shprehen se, policia po korr drogën e njerëzve hallexhinj, ndërsa plantacionet që janë mbjellë me dijeninë e policisë nuk preken.
Parcelat me kanabis lulëzojnë në të gjithë vendin me dijeninë e krerëve të policisë dhe inspektorëve të fshatrave. Gjatë ditëve të fundit janë asgjësuar mijëra rrënjë kanabis, por nuk janë prekur parcelat me kanabis që i përkasin krerëve të policisë.
R.POLISI