Rama nuk e shkarkon përdhunuesin e tij në Kavajë

Të hënën (13 qershor) Policia e Qarkut të Tiranës arrestoi kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi pas një vendimi të shpallur nga Gjykata që dha në mungesë të tij masën arrest me burg, pas një kërkesë të Prokurorisë. Por kjo nuk mjafton për kryeministrin Edi Rama, i cili ende nuk ka bërë asnjë hap për shkarkimin e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi. Në mbledhjen e sotme, qeveria nuk mori asnjë vendim për të larguar nga detyra kryebashkiakun e akuzuar për vepra të rënda kriminale. Ndërsa një deklaratë të beftë gjatë ditës së sotme, Rama iu përgjigj pas 2 ditëve interesit të gazetarëve për arrestimin e Rroshit.
“Nuk kam asnjë koment, sepse nuk bëj pjesë tek ata që kur nuk i pëlqen kjo arsye politike apo çdo arsye tjetër përdorin politikisht pozicionet e tyre për të sulmuar Prokurorinë, por nënvizoj që çështja duhet të zbardhet me vërtetësi dhe përgjegjësi të plotë”, u shpreh kreu i qeverisë.
Por përsëri në deklaratën e tij, sulmi ndaj Prokurorisë dhe gjyqësorit ishte i qartë pavarësisht se në këtë rast kishin ndryshuar protagonistët, jo Elvis Rroshi, por Haki Çako.
“Natyrisht, ne nuk mund të heshtim kur shikojmë ndodhira që kapërcejnë kufijtë e arsyeshme siç është ajo me drejtorin e Policisë i pezulluar padrejtësisht në shkelje të ligjit. Kështu që besoj se në këtë pikë nuk kam asnjë ekuivok”, shton më tej Rama.
Prokuroria thotë se në çështjen e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi ka si prova kundër tij përveç formularit të vetëdeklarimit edhe 2 dokumenta të forta të përcjella nga autoritetet e huaja nëpërmjet Interpol Tiranës.
E para, ka të bëjë me një shkresë të ardhur nga Zvicra në 8 qershor, ku Zvicra njofton Shqipërinë se ky shtetas njihet me emrat Ervin Rroshi, Elvis Rroshi, Bashkim Hallulli, Enver Rroshi, Enver Proshi dhe ku është dëbuar dy herë nga ky shtet. E dyta, ka të bëjë me mosdeklarimin e dënimit për përdhunim nga drejtësia italiane në 1995, ndërsa nga ky shtet e kishte dëbuar po në atë vit.
Ndërkohë në Kavajë, një grup qytetarësh dhe pjesëtarë të administratës, të frymëzuar nga kryetari i PS së këtij qyteti kanë nisur protesta paqësore, ku kundërshtojnë arrestimin e kryebashkiakut të tyre. Në argumentin e tyre, drejtësia është fajtori kryesor dhe se arrestimi i Rroshit tregoi kalbjen e këtij sistemi.

Rroshi në arrest por ende në detyrë

Më 31 maj, Elvis Rroshi njoftoi dorëheqjen si Kryetar i Bashkisë së Kavajës me argumentin se ishte dënuar në Itali pa dijeninë e tij, kur kishte qenë minoren. Kjo u mirëprit nga Kryeministri Rama, i cili shfaqi një “mea culpa” dhe njëkohësisht mbylli karrierën politike të Rroshit.
“Fakti në këtë rast, që Elvis Rroshi nuk e ka vuajtur asnjë ditë dënimin, sepse ka qenë në moshë të mitur, nuk mund të ndryshojë gjë. Duke e konsideruar të përfunduar shërbimin e Elvis Rroshit si kryetar i Bashkisë së Kavajës do të vazhdoj ta mbështes me gjithë zemër projektin ambicioz të Rilindjes Urbane të Kavajës”, u shpreh Rama.
Por me një lëvizje surprizë dhe pas një udhëtimi përtej Adriatikut, Rroshi ndryshon mendje. Duke sjellë dy dokumenta me vete nga Italia, Rroshi deklaron se është i pafajshëm dhe për këtë nuk tërheq dorëheqjen.
“Nisur edhe nga mijëra mesazhe që kam marrë nga votuesit dhe nga situata që më nxjerr të pafajshëm, kam vendosur të vazhdoj detyrën time me përulje kundrejt qytetarëve të mi deri në momentin që çdo gjë do sqarohet nga drejtësia. Mandatin dhe detyrën e mrekullueshme të shërbimit ndaj qytetarëve nuk ma ka dhënë as Lulja, as Saliu dhe as Shqupi. Ma kanë dhënë bashkëqytetarët dhe atyre do tju bindem dhe shërbej deri në sekondën e fundit”, shkruante Rroshi në rrjetin social Facebook.
Pas kësaj, Kryeministri Rama pranoi në heshtje vendimin e Rroshit për të qëndruar fort në krye të Bashkisë së Kavajës, madje edhe pas arrestimit. Burime për Boldnews.al bëjnë me dije se një tjetër kryebashkiak i majtë pritet të arrestohet në vijim në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Dyshimet bien mbi kryebashkiakun e Krujës, Artur Bushin, i cili është hetuar nga autoritetet italiane për aktivitete kriminale.

Rama në panik nga skandalet e kryebashkiakëve të majtë

Ora News pak javë më parë publikoi një video-skandal ku kryebashkiaku i majtë i Dibrës, Shukri Xhelili, kërkoi favore seksuale me një vajzë të re në këmbim të një vendi pune. Të nesërmen në një mbledhje qeverie jashtë rendit, Kryeministri Rama e shkarkoi Xhelilin menjëherë nga drejtimi i Dibrës.
Por Rama nuk bëri të njëjtën gjë për Rroshin. Burime konfidenciale për Boldnews.al nga selia rozë, bëjnë me dije se shkarkimi i Kryetarit të Bashkisë së Kavajës nuk është ndërmarrë deri tani për shkak të një paniku të krijuar nga zgjedhjet e reja. Burimet shtojnë më tej, se nëse në Dibër dhe Kavajë mbahen zgjedhje të reja për Kryetar Bashkie, sondazhet e Partisë Socialiste dalin humbëse në këto dy qytete të fituara me vështirësi.
Nëse i shtohet këtu edhe mundësia për një arrestim të Artur Bushit, edhe në Krujë zgjedhjet e reja do të ishin humbëse për mazhorancën. Në një llogari të thjeshtë, mazhoranca pritet të humbasë 3 bashki në vend dhe praktikisht opozita del fituese me një kauz shumë të madhe.
Në rrjetin e skandaleve të kryebashkiakëve është edhe Xhelal Mziu i akuzuar për korrupsion, por i shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit të Tiranës. Prej kohësh Kryeministri Rama nuk e përmend më Mziun kjo për shkak se të disa të zgjedhur të tij vendor e kanë fundosur moralisht dhe politikisht.

Artikulli paraprakAtentati, nëse drejtësia gjunjëzohet, qytetarët të sigurojnë vetë jetën e tyre
Artikulli tjetërPërvëlim Parlamentit në rast të trafikimit të votave