Konsiderohen si piramidat e reja financiare, përplasen Rama dhe Banka

Përkundrejt paralajmërimeve të bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit Bankar Europian, lidhur me përdorimin e monedhave virtuale, apo kriptovalutave, kryeministri Rama ka deklaruar sot se po punojnë për krijimin e një kuadri rregullator që do të mundësojë përdorimin e tyre në vend.
“Për të krijuar tregje të reja perspektive për vendet pune që paguhen shumë më mirë, për njerëzit e kualifikuar dhe më profesione të ndryshme në sektorë që janë tejet të zhvilluara apo në rrugën e zhvillimit sot në botën ku jetojmë jemi duke eksploruar edhe mundësinë e krijimit të një kuadri rregullator për kriptovalutën që është një risi shokuese në botën e sotme dhe ku mundësia për të qenë inovativë dhe për të krijuar një pikë graviteti atraktive për tregjet financiare me një inovacion është e hapur për të gjitha vendet pavarësisht sa të zhvilluara janë.
Për momentin jemi në një proces vlerësimi pune për hartimin e kuadrit rregullator pasi i kemi bërë një analizë dhe një studim të thelluar dhe nëse rezultatet do të jenë të kënaqshme ne do të promovojmë dhe përtej kufinjve të Shqipëri gatishmërinë për t’u bërë një vend pritës për investitorët e shumtë potencialë që synojnë të përfshihen në këtë revolucion të financave globale” tha sot Rama.
Paralajmërimi i Bankave qendrore
Monedhat virtuale, ku më kryesorja ishte Bitcoin janë përhapur gjerësisht vitet e fundit, por ato kanë hasur në skepticizmin e bankave qendrore kudo në botë për shkak të rreziku që vjen nga përdorimi është luhatja e madhe që kanë këto valuta në treg. Duke qenë se karakteristikë e tyre është pagjurmueshmëria, Bankat qendrore besojnë se përdorimi i kriptovalutave shërben për të humbur gjurmët nga aktivitetet e jashtëligjshme.

Banka e Shqipërisë, pasi Bitcoin hyri në tregun shqiptar pak muaj më parë, paralajmëroi se kuadri ligjor në fuqi dhe ai rregullator i Bankës së Shqipërisë nuk e parashikon kryerjen e një veprimtarie të tillë në Shqipëri.
Banka e ka cilësuar këtë aktivitete të rrezikshëm, duke listuar disa prej më kryesoreve si paqëndrueshmëri, origjinë e panjohur e parave, mundësi për manipulim, ekspozim ndaj sulmeve kibernetike etj.
Të gjithë faktorët relevantë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Autoritetin Bankar Evropian dhe Bankën Qendrore Evropiane, janë duke punuar intensivisht për të vlerësuar të gjithë problematikën që lidhet me paranë virtuale, me qëllim rregullimin dhe mbikëqyrjen adekuate të saj.
Autoriteti Bankar Evropian, si autoriteti kompetent dhe i pavarur për të garantuar rregullim dhe mbikëqyrje të kujdesshme të sektorit bankar evropian me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar, në fund të vitit 2013 publikoi¹ rreziqet me të cilat do të përballen konsumatorët kur blejnë, mbajnë ose tregtojnë monedhat virtuale.
Po kështu, dhe Banka Qendrore Evropiane është ndalur në këtë problem dhe ka theksuar në publikimet e saj se asnjëherë nuk duhet vënë shenja e barazisë midis parasë virtuale dhe parasë elektronike.
Ndërsa kjo e fundit është aktivitet i rregulluar ligjërisht dhe i mbikëqyrur sikurse dhe ne Shqipëri, paraja virtuale është një aktivitet tërësisht jashtë syrit dhe kontrollit të autoriteteve.

Kriptovalutat, si u krahasuan me piramidat shqiptare
Kriptovalutat janë cilësuar nga ekspertët si flluska e re financiare. Nouriel Roubini, profesor i ekonomisë në Universitetin e Nju Jorkut, tha se bitcoin ishte “nëna e të gjitha flluskave” që u favorizua nga “sharlatanët dhe mashtruesit”. Ai e bëri këtë paralajmërim në shkurt, pasi pasi monedha ra nën 8,000 dollarë.
Ndërsa sot, sipas kuotimeve, ajo tregtohet me 6377 dollarë, duke rënë ndeshëm nga kulmi i saj prej afër afër 20,000 dollarë në fund të dhjetorit 2017.
Mediat e huaja i kanë krahasuar kriptovalutat edhe me piramidat shqiptare. “Megjithatë – ashtu si mania shqiptare e vitit 1996 – ky episod dëshmon dështimet e financave të bazuara në treg. Ndonjëherë lakmia vetëm prodhon marrëzinë”, shkruante Reuters në muajin janar të këtij viti.
Çfarë janë kriptovalutat
Kriptovalutat janë një monedhë virtuale është një formë e parregulluar e parave dixhitale, e paemetuar dhe e pa garantuar nga një bankë qendrore, e cila mund të veprojë si mjet pagese. Monedhat virtuale janë krijuar në shumë forma, duke filluar si monedha brenda mjedisit të lojërave online kompjuterike dhe rrjeteve sociale, dhe duke u zhvilluar në mjete të pagesës të pranuar ‘offline’ ose në ‘jetën reale’.
Monedha virtuale mund të blihet në një platformë këmbimi duke përdorur monedhën konvencionale. Ata transferohen më pas në një llogari të personalizuar të njohur si ‘portofol dixhital’. Duke përdorur këtë portofol, konsumatorët mund t’i dërgojnë monedhat virtuale në internet tek të gjithë të tjerët, që janë të gatshëm për t’i pranuar ata, ose të bëjnë konvertimin e tyre përsëri në një monedhë konvencionale (të tilla si Euro, Paund apo Dollar).

“Monitor”

Artikulli paraprakFonde sekrete për të paguar portale, media dhe gazetarë në Shqipëri, Greqia nis hetimin
Artikulli tjetërTë shtëna me armë në Vlorë, plagoset një i ri