Kush ishte vërtet gazetari saudit i vrarë në Turqi. Çfarë do të ndryshojë në ekuilibrat ndërkombëtarë dhe çfarë do të qëndrojë njëlloj?
Më 28 shtator, gazetari saudit me banim në Shtetet e Bashkuara Jamal Khashoggi ka hyrë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll për të marrë disa dokumenta që i duheshin për t’u martuar me të fejuarën e tij dhe nuk ka dalë më prej saj. E fejuara e pritur për orë të tëra dhe më pas i ka telefonuar policisë. Ditën kur duhej të ishte martesa, Khashoggi nuk dukej akoma dhe ka qenë atëhere që Reuters ka dhënë lajmin e zhdukjes së tij.
Ndërsa Turqia thërriste ambasadorin saudit dhe Princi Trashëgimtar Mohammed bin Salman shprehej i gatshëm për të bashkëpunuar me çfarëdolloj investigimi lidhur me këtë ngjarje dhe autoritetet saudite lëshonin një deklaratë zyrtare ku sugjerohej se Khashoggi mund të ishte zhdukur pasi kishte lënë konsullatën, filluan të dalin lajme shqetësuese: sipas mediave turke, në ditën e zhdukjes së gazetarit, stafi turk i konsullatës saudite ishte njoftuar të rrinte në shtëpi dhe nga Riadi ka ardhur një avion privat me në bord 9 punonjës të inteligjencës së Mbretërisë, që më pas do të shkonin në konsullatë.
Me kalimin e kohës është bërë gjithnjë e më e qartë se të dyja gjërat qenë të lidhura, derisa më 8 tetor një burim anonim i inteligjencës turke ka thënë për Washington Post se Khashoggi ishte vrarë brenda konsullatës saudite. Në orët dhe në ditët në vazhdim kanë nisur të qarkullojnë zëra, janë bërë gjithnjë e më këmbëngulës dhe janë pasuruar dora dorës me detaje: Khashoggi është prerë copa copa dhe është nxjerrë nga konsullata me një furgon të zi, ekziston një video e torturimit dhe e vrasjes, ka qenë një tentativë rrëmbimi e përfunduar keq. Ka qenë atëhere që ajo që dukej si një gjë e ndërlikuar është transformuar në një aferë ndërkombëtare.
Fillimisht, nëpërmjet Ministrit të Brendshëm të saj, Arabia Saudite është pozicionuar, ka denoncuar “akuzat false që qarkullojnë nëpër media” kundër saj për zhdukjen e Khashoggi dh i ka quajtur zërat për vrasjen e tij “gënjeshtra dhe akuza të pabaza kundër qeverisë së Mbretërisë”. Por më pas i është dashur t’u nënshtrohet presioneve ndërkombëtare sidomos të Turqisë dhe të Shteteve të Bashkuara: natën e 15 tetorit, policia turke ka kontrolluar konsullatën, duke zbuluar se brendësia e ndërtesës ishte e sapolyer krejtësisht (dhe praktikisht një video e paraqitur nga al-Jazeera e xhiruar pak orë përpara tregon hyrjen në ndërtesë të një kompanie pastrimi). Ndërkaq Neë York Times, pasi ka konsultuar burime të inteligjencës turke, ka shkruar se filmimet dhe audiot në posedim të turqve demonstronin se Khashoggi është torturuar, i janë prerë gishtat dhe më pas i është prerë koka dhe është bërë copa copa.
Nga zhvillimet e fundit, duket praktikisht e sigurtë se Khashoggi është vrarë brenda konsullatës saudite: në mënyrë mjaft elokuente, pasi ka dyshuar për rreth 20 ditë, Washington Post ka vendosur të botojë artikullin e fundit e shkruar nga gazetari për rubrikën që mbante aty.
Deri Trump – që në fillim minimizonte duke thënë se, përderisa gazetari nuk ishte shtetas amerikan, nuk do t’ia ndërpriste furnizimet më armë Arabisë Saudite – i është dashur ta pranojë se Khashoggi duket pikërisht se ka vdekur se në rast se zbulohej se përgjegjësia është e sauditëve, atëhere ata do të kishin pasoja të rënda.
Ndërkohë, në gazetat perëndimore, narrativa që po përcillet e redukton gjithçka në vrasjen e një gazetari dhe disidenti saudit: një sintezë sipërfaqësore dhe e gabuar, që na bën ta keqkuptojmë shtrirjen e kësaj historie dhe atë çka po ndodh prapa kuintave.
Kush ishte Jamal Khashoggi
Jamal Khashoggi ishte 60 vjeç dhe ishte gazetari më i famshëm i botës arabe. Kishte punuar për gazeta të ndryshme të botës arabe, por edhe si korrespondent nga jashtë; ka qenë dy herë kryeredaktor i al-Watan, gazetë progresiste saudite, dhe drejtor i televizionit al-Arab me qendër në Bahrein. Pjesë e reputacionit të tij i detyrohet faktit që në vitet ’90 ka qenë gazetari me kontaktin më të ngushtë me Usama bin Laden, që e ka ndjekur nga afër dhe e ka intervistuar disa herë si në Sudan, ashtu edhe në bastionin e tij të Tora Boras në Afganistan.
Për aktivitetet e tij, Khashoggi i është mbyllur shumë herë goja nga censura saudite. Në vitin 2003 kishte humbur vendin e punës tek al-Watan prej një artikulli kritik ndaj Ibn Taymiyya, i konsideruar si babai themelues i ëahabizmit. Në vitin 2016, pasi ka kritikuar Donald Trump, autoritetet saudite e kishin ndaluar që të shkruante nëpër gazeta dhe të shfaqej në televizion. Më së fundmi kishte kritikuar fushatën ushtarake kundër Jemenit dhe Princin Trashëgimtar mjaft të fuqishëm Mohammed bin Salman: në vijim të këtyre poziciomeve dhe duke u ndjerë i kërcënuar, kishte vendosur ta linte Arabinë Saudite për Uashingtonin.
Pavarësisht pozicioneve të tij mjaft kritike ndaj qeverisë saudite, Khashoggi mbetej megjithatë një anëtar i spikatur i elitës së Mbretërisë. Gjyshi i tij Muhammad Khashoggi, me origjinë turke, ishte mjeku personal i Mbretit Abdulaziz al-Saud, themelues i Arabisë Saudite; xhaxhai i tij ishte shumë i famshmi dhe tregëtari shumë i fuqishëm i armëve Adnan Khashoggi. Në vitet ’90 kishte bashkëpunuar me shërbimet sekrete saudite me detyrën që të provonte ta bindëte Usama bin Laden të hiqte dorë nga dhuna dhe në vitet ‘2000 kishte qenë përgjegjës i komunikimeve të Princit Turki al-Faisal, ambasadorit saudit në Shtetet e Bashkuara.
Me pak fjalë, jo tamam disidenti dhe opozitari politik që paraqitet në shumë gazeta perëndimore. Dhe pikërisht për këtë arësye vrasja e tij është jashtëzakonisht e rëndësishme: është një mesazh drejtuar disidentëve të vërtetë për t’u thënë se nëqoftëse një si Khashoggi eliminohet kështu, atëhere ata mund të shpresojnë vetëm për më keq akoma.
Çfarë po ndodh midis Shteteve të Bashkuara, Arabisë Saudite dhe Turqisë
Edhe pse në dukje janë në konflikt, në realitet ajo që po zhvillohet midis Uashingtonit, Ankarasë dhe Riadit është një lojë komplekse diplomatike, qëllimi i së cilës është që t’u mundësojë të gjithëve ta ruajnë fytyrën e tyre. Asnjëri – në radhë të parë Shtetet e Bashkuara – nuk ka dëshirë që të vihet vërtet kundër sauditëve, që janë një aleat strategjik për motive të ndryshme: nga furnizimet me naftë tek shitja e armëve, nga bazat ushtarake në qendër të një rrjeti diplomatik për të frenuar influencën iraniane në Lindje të Mesme. Aq sa fillimisht Trump praktikisht ka thënë se, duke mos qenë Khashoggi shtetas amerikan, nuk ia ndjente aspak për zhdukjen e tij, por edhe kur e ka korrigjuar shënjestrën, ajo ka qenë për të akuzuar pjesë të devijuara të shërbimeve sekrete.
Sipas të përditshmes Foglio, është Turqia fituesja e vërtetë e kësaj historie praktikisht, sjellja e Turqisë – që thotë se ka në dorë prova dërrmuese të përbëra nga filmime dhe regjistrime audio të bëra brenda konsullatës që do të demonstronin se Khashoggi është torturuar dhe vrarë – është ambige. “E kanë ndërtuar rastin pa arritur tek skena finale, kanë moduluar rrjedhjen e lajmeve dhe, megjithatë, nuk e tregojnë videon vendimtare. Është sikur të kishin një armë të drejtuar tek sauditët dhe ka të ngjarë që t’u kenë bërë shumë kërkesa”, shkruan Foglio.
Në realitet, as ata nuk duhet të vihen kundër sauditëve: e gjitha është një balet diplomatik. Në fakt, është e qartë se cila është zgjidhja e përkryer për të tri palët e përfshirë: një investigim që të deklarojë se Khashoggi praktikisht është vrarë në konsullatë, por që shfajëson nivelet e larta e qeverisë saudite, duke ua veshur përgjegjësitë ndonjë koke turke – domethënë shërbimeve sekrete të devijuara për të cilat fliste Trump – për t’i mundësuar Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara që të mos kalojnë vende që u lejojnë aleatëve të tyre t’i shkelin pafytyrësisht dhe pandëshkueshmërisht të drejtat e njeriut dhe të vrasin gazetarë në dritën e diellit, por edhe ta lejojnë qeverinë e Arabisë Saudite që të dalë relativisht e pastër, duke bërë ndonjë ndryshim në favor të Uashingtonit dhe Ankarasë.
Çfarë pasojash do të ketë gjithë kjo situatë?
Edhe sikur operacioni të dilte (dhe do të dalë) me sukses, zhdukja dhe vrasja e Khashoggi do të kenë një pasojë jetëgjatë: do të peshojnë rëndë mbi imazhin e Mohammed bin Salman, Princit Trashëgimtar saudit ose, siç e quajnë rëndom, MbS.
Gjatë viteve të fundit, MbS ka bërë përpjekje të mëdha për të ndërtuar imazhin e princit të ri “reformator” si në kuadrin ekonomik – ku ka lançuar Saudi Vision 2030, një program ambicioz me qëllim që ta shkëpusë ekonominë saudite nga nafta dhe të tërheqin investime ndërkombëtare – ashtu edhe në kuadrin social. Vendimi për t’i lejuar gratë që të ngasin makinat dhe ajo e lejimit pas 35 vitesh e rihapjeve të kinemave në vend kanë qenë iniciativa të marra në këtë drejtim dhe për një periudhë edhe kanë funksionuar: praktikisht të gjithë gazetat perëndimore i kanë bërë jehonë propagandës së tij, duke folur për “pranverën” saudite në ardhje me Princin e ri.
Në realitet, bëhej fjalë për operacione kozmetike që nuk e ndryshonin aspak situatën e të drejtave civile në Arabinë Saudite dhe që bile provonin që t’i paraqisnin si meritë e mendjehapjes së Princit ato që në realitetin e fakteve qenë arritje të lëviizjeve të protestave saudite: për shembull, vendimi për lejimin e grave që të ngisnin makinat vinte pak kohë pas arrestimit të aktivisteve të ndryshme që prej kohësh luftonin për këtë objektiv.
Qysh nëntorin e kaluar, imazhi i MbS ishte dëmtuar, kur kish ndërmarrë një operacion policor për të konsoliduar pushtetin e tij që kish çuar në arrestimin e dhjetëra eksponentëve të elitës dhe të familjes mbretërore saudite në Ritz-Carlton Hotel të Riadit. Por atëhere ia kishte kaluar duke folur për “masa antikorrupsion”. Por kësaj radhe Princi duket se e ka ekzagjeruar dhe vrasja e një gazetari të njohur dhe gjithsësesi pak i rrezikshëm si Khashoggi – sidomos prej brutalitetit dhe prej modaliteteve të sipërpërmendura: viktima është tërhequr në kurth në një përfaqësi diplomatike në një vend të tretë – sigurisht që do të jenë një njollë në imazhin prej reformatori të cilit Princi i ka kushtuar kaq shumë (dhe kaq shumë para) për ta ndërtuar.
Jo vetëm kaq, por mund t’i kushtojë shumë më tepër se reputacionin. Shpejt do të nisë Future Investment Initiative, një samit ekonomik i organizuar nga Princi dhe i mbiquajtur “Davosi i shkretëtirës”, por sponsorë, media partnere të ndryshme si Financial Times e New York Times dhe të ftuar të ndryshëm si CEO e JPMorgan Chase, Ford, Uber dhe Virgin Group kanë njoftuar tashmë se nuk do të marrin pjesë në shenjë proteste për zhdukjen dhe vrasjen e Khashoggi. Bile orët e fundit ka zëra që i kërkojnë Mbretit saudit Salman që ta zëvendësojë dhe të emërojë një trashëgimtar tjetër në vend të tij.
Përgatiti
ARMIN TIRANA