Trump: ISIS duhet fshirë nga faqja e dheut

Në debatin elektoral të organizuar nga CNN-i në shtetin e Uiskonsinit, ku javën e ardhshme zhvillohen zgjedhjet praparake, tre kandidatët e mbetur në garën e republikanëve për president, ishin të një mendimi për nevojën e mposhtjes së grupit Shteti Islamik, por ata nuk shprehën mbështetje për njëri-tjetrin lidhur me këtë çëshje.
“Ne duhet ta fshijmë ISIS-in nga faqja e globit me dhunë dhe me shpejtësi, se nuk kemi zgjedhje tjetër”, tha Donald Trump, që kryeson garën e republikanëve.
Senatori i Teksasit Ted Cruz, i cili deri tani është i dyti në radhë për nga numri i delegatëve të siguruar, tha se Shtetet e Bashkuara duhet që fillimisht të përdorin “forcë ajrore dërrmuese” pastaj të armatosin luftëtarët kurdë “që ata të luftojnë ISIS-in”. “Vendimi nëse duhen përdorur forcat speciale, apo ato tokësore amerikane, duhet marrë pas kësaj”, tha zoti Cruz. Senatori Cruz, kritikoi edhe Presidentin Obama, duke thënë se ai vetë nuk do t’i çonte trupat amerikane jashtë vendit sipas rregullave strikte luftarake që nuk garantojnë fitoren.
Administrata Obama ka patur përplasje si me qeverinë e Irakut, edhe atë të Afganistanit lidhur me kushtet e veprimit të trupave amerikane në këto vende.
Guvernatori i Ohajos, John Kasich, mbështeti idenë e një koalicioni për shkatërrimin e Shtetit Islamik, ku të kenë kontribut më të madh shtetet e Gjirit Persik. Ai tha se, fushata duhet të jetë ajrore dhe tokësore dhe pastaj trupat të kthehen në vend.
Kasich po ashtu kritikoi propozimin e zotit Cruz, që policia të patrullojë lagjet myslimane, në mënyrë që të çrrënjoset terrorizmi.
“Ne nuk mund t’i lejojmë vetes polarizimin e njerëzve në botën e civilizuar”, tha Kasich.  “Në të gjithë botën ka njerëz që e dinë se ky kërcënim duhet ndalur, duhet shkatërruar dhe ne duhet të bashkëpunojmë me vendet e tjera, sepse kur vdesin njerëz të pafajshëm, gra dhe fëmijë në shpërthime me bombë si në Pakistan gjatë shërbesës fetare të Pashkëve, vdes edhe një pjesë e jona”.
Zoti Trump tha se, Shtetet e Bashkuara po paguajnë shtrenjë për mbështetjen ndaj NATO-s, që ai e cilësoi “të vjetëruar” dhe se vende të tjera të Aleancës janë duke përfituar me të padrejtë prej saj.

Artikulli paraprakMesi synon golin e 500 në “El Clasico”
Artikulli tjetërValencia, shkarkohet Neville