Pesë vjet burg për biznesmenin serb

Një gjykatë në Serbi dënoi me pesë vjet heqje lirie njërin nga afaristët më të pasur në Ballkan, nën akuzat për evazion fiskal, në një proces që qeveria e sheh si hapin më të madh në luftën kundër korrupsionit, derisa Serbia synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Miroslav Mishkoviç dikur vlerësohej se ishte ndër njerëzit më me ndikim në Serbi për shkak të lidhjeve të fuqishme politike.
Ai u shpall fajtor sepse sipas gjykatës e kishte ndihmuar të birin, Marko Mishkoviç, për të shmangur pagesën e taksave me vlerë prej 3 milionë eurosh (afërisht 3.4 milionë dollarë), lidhur me kompaninë e ndërtimit të rrugëve.
Gjykata e gjobiti Mishkoviçin edhe me 65 mijë euro.
Marko Mishkoviçi tashmë është dënuar me 3 vjet e gjysmë heqje lirie me të njëjtën akuzë.
Miroslav Mishkoviç, 70-vjeçar, ngriti perandorinë e tij afariste në kohën e sundimit të Slobodan Milosheviçit gjatë viteve ’90, ndërsa e zgjeroi atë pas largimit të tij nga pushteti në vitin 2000.
Në vitin 2007, pasuria e tij vlerësohej në 2 milionë dollarë amerikanë, por besohet se ajo është shtuar që atëherë.
Avokati i tij, Zdenko Tomanoviç, tha se procesi kundër tij ishte zhvilluar nën trysni të fuqishme politike, ndërsa paralajmëroi ankesë. Mishkoviçi nuk ishte i pranishëm në gjykatë në kohën e shpalljes së vendimit.

Artikulli paraprakPasojat e largimit të Britanisë nga BE
Artikulli tjetërAntipolitika, nga anomalia në qeverisje