Antipolitika, nga anomalia në qeverisje

Pierluigi Battista

Plebishiti për Virginia Raggi-n në Romë dhe rezultati befasues i Chiara Appendino-s në Torino dëshmojnë se me ligjin elektoral që parashikon balotazhin dhe turnin e dytë, Lëvizja “5 Yjet” mund të luajë ndeshjen e fitores. Mund të mos e fitojë, por ama mund ta luajë patjetër, sepse elektorati i djathtë preferon partinë e Grillo-s dhe e ndëshkon atë të Renzit. Një rezultat i papritur, të cilin e kanë nxjerrë në pah këto balotazhe. Për herë të parë lëvizja e krijuar nga Grillo mund të matet realisht me mundësinë për t’i fituar zgjedhjet për të drejtuar qeverinë kombëtare.
Dhe të mendosh që vitet e kaluara kishin qenë të sigurt se do të bëhej fjalë për një fenomen kalimtar ose madje fluturak, i cili në të parën “vaffa” të Piero Fassino-s, i cili u mat këto javë me grillinen Chiara Appendino, e ftonte Grillon të matej në votime, nëse do të kishte qenë i zoti: e bëri dhe tani rezultatin e dimë. Por “vaffa” konsiderohej si protestë e pastër, gjest tallës, një shuplakë dhe grusht ndaj politikës së vjetër. Po sigurisht, do të kishte marrë një grusht votash, sikurse ndodh në të gjithë Evropën me daljen në skenë të “antipolitikës”, por megjithatë përqindjet nuk do t’i kishin kaluar kurrë dy shifrat.
Më pas sigurisht, një rast si ai i Parmës me fitoren si kryebashkiak të grilinos Pizzarotti mund të ishte një sinjal alarmi. Por më optimistët thoshin se ndoshta bëhej fjalë për një çështje thjesht lokale ose për një gabim të rëndë të PD-së, gabim i rëndë, por i ndreqshëm. Sepse ishte e pamundur të mendohej se grilinët janë një forcë që synon qeverisjen, qoftë edhe të ndonjë qyteti të përmasave të mesme.
Skema mendore mbizotëruese, madje dërrmuese, ishte bipolarizmi e djathtë-e majtë ashtu sikurse e kishin njohur italianët që nga 1994 e më prapa nuk mund të prekej në thelbin dhe në filozofinë e tij. Në këtë skemë forcat e treta dhe periferike mund edhe të arrinin ndonjë rezultat të caktuar elektoral, por gjithsesi në fund të skenës politike do të kishin mbetur. Çdo hipotezë e reformës së sistemit elektoral e ashtuquajtur Porcellum ishte e bazuar tek ideja se kjo gjeometri nuk mund të prekej në themele. Grilinët nuk mund të merrnin pjesë në lojën kryesore, e cila qëndron në mesin e tryezës dhe që përfshin forcat më të mëdha. Dhe kjo bindje vijoi deri në momentin e fundit, madje edhe përtej rezultatit elektoral të 2013-s, i cili në mënyrë krejt të papritur dëshmoi se Lëvizja “5 Yjet” është një parti që ka 25 për qind të votave. Kur ndjekësit e Grillos mbërritën në Parlament ekzistonte ende përshtypja sikur përballë kishim disa jashtëtokësorë. Por forca e tyre dukej sikur përqendrohej vetëm te faza sulmuese. Një forcë, e cila do t’i çonte dëm përpjekjet për të bërë një qeveri me një shumicë të legjitimuar nga vota elektorale, por sidoqoftë gjithnjë në llogore pas një muri të përbërë vetëm nga JO-të. Ejani të qeverisni me ne, thoshin sirenat e PD-së së Berssanit, i cili nuk arriti t’i fitonte zgjedhjet. Por ata dhe Grillo përgjigjeshin gjithnjë në të njëjtën mënyrë, pikërisht sikurse kishin lindur, me sloganin që ishte kthyer në moton e tyre: me “vaffa” të prerë dhe të ashpër.
Vetëm se forcat politike u marrosën pas lindjes tronditëse të asaj që e konsideronin si një anomali kaotike. Humbën toruan për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, i hapën rrugën një qeverie të bashkimit kombëtar, por besuan sikurse përkundrazi po besonin në Gjermani, në situata të ngjashme. Më pas u duk sikur triumfi i Matteo Renzit në zgjedhjet evropiane të 2014 e kishte përtharë ose madje e kishte shkatërruar këtë anomali. Renziani i ri e kishte hequr qafe grilinon e ri. Kështu iu duk shumicës së vëzhguesve dhe vetë forcave politike. Por nuk ishte e vërtetë: me krizën vertikale të qendrës së djathtë bipolarizimi i ri po konfigurohej gjithnjë e më shumë si një përplasje në aksin PD-M5S. U bë një ligj i ri elektoral i qepur në trup pas idesë së një balotazhi të mundshëm mes dy partive të para (ose listave) duke e përjashtuar qendrën e djathtë, që ishte një fitues potencial vetëm në një logjikë koalicioni. Por prapamendimi ishte se gjithsesi në balotazh forcat antisistem të Grillos do të kishin humbur. Pra, një ndeshje rezultati i së cilës ishte shkruar që në fillim. Por mjaftoi kjo kthesë balotazhesh për të ndryshuar përfundimisht idenë dhe perceptimin.
“Corriere della Sera”

Artikulli paraprakPesë vjet burg për biznesmenin serb
Artikulli tjetër300 mijë refugjatë nga Libia drejt Europës