Dosja sekrete e përgjimeve/ Kush është “Xhuxhi” për të cilin flasin trafikantët e drogës?

Goditja e grupit të Avdylajve të arrestuar si trafikantë droge po serviret nga opozita si një lëvizje e parakohëshme për të shpëtuar “peshqit e mëdhenj”. Njëri prej tyre i treguar me gisht me emër dhe mbiemër, është kreu u bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. PD ka akuzuar se dosja e tij është ndarë me një manovër politike nga ajo e 44 të arrestuarve, për të mos i dhënë kosto shtesë mazhorancës. Madje, duke treguar se është në brendësi të ngjarjeve, për këtë përgjim që e ka denoncuar këtu e dy vite më parë, opozita ka ‘nxjerrë” edhe numrin e fashikullit ku gjendet emri i Dakos: “Dosja 339”. Aty gjithnjë sipas të njëjtit burim thuhet se gjenden edhe bisedat e Dakos me krerë të krimit të organizuar të cilëve u premton punësime në këmbim të mbështetjes në zgjedhje.
Po a ka të vërtetë në këto pretendime që ia atribuojnë përgjimet shërbimeve sekrete gjermane?
Dosja “Dako”, a është përgjuar kryebashkiaku nga gjermanët?
Deri më tani në publik nuk ka dalë asnjë fakt që e implikon kreun e Bashkisë Durrës. Indicia e vetme për njeriun që ambasada e ShBA i ka ndaluar hyrjen në amerikë, është se ai po rri pa folur, dhe ndryshe nga porosia e Ramës apo shembulli i taulant ballës, nuk po e hedh PD, në në gjygj sipas modës së re të shpifjes. Nga ana tjetër edhe Rama nuk po i bën një mbrojtje ballore dhe nuk po i vë gjoksin krijimit të alibive në favor të Dakos, siç ka bërë në raste të tjera.

Vangjush Dakos i anullohet viza amerikane
Një pistë tjetër e dyshimtë është edhe ajo se për këtë dosje, prokuroria e kapur nga e përzgjedhura e socialistëve, Arta Makru, ka ndërruar 5 prokurorë me rradhë, siç njoftoi gazetari i kronikës Flamur Vezaj. Po pse duhet të ndodhinin këto lëvizje drastike, ndoshta për të gjetur dikë që do e veçonte dosjen e Dakos nga ajo e Avdylajve?
Përpos këtyre hipotezave që mbeten të tilla deri në daljen e fakteve të reja, ekziston vetëm një “provë” që Lapsi.al ka arritur ta shohë me sy nga dosja e përfolur e prokurorisë. Aty dy të akuzuarit. Jasin Kala dhe Altin Avdyli përmendin një person me pseudonimin “Xhuxhi” i cili do tu sigurojë vende pune. Kala i kërkon Avdylit numrin e “Xhuxhit” dhe në të njëjtën bisedë përmen edhe Lulzim Berishën(faksimile poshte).
BIRN/ Skandali i kërkesës së Vangjush Dakos për lirimin e Lul Berishës
Dihet botërisht që me firmën e Vangjush Dakos, Lulzim Berisha çoi një document në gjykatë për të shkurtuar dënimin e tij dhe për të arritur lirimin nga burgu. Po a janë këto fakte të mjafta për të thënë se “Xhuxhi” që del në bisedat e trafikantëve është Vangjush Dako që pretendon opozita? Ende nuk kanë dalë fakte dhe prova për këtë.

©Lapsi.al

Artikulli paraprakPutin dhe Bolton diskutojnë mbi Traktatin e armëve bërthamore
Artikulli tjetërMaskat terror në Vlorë, lidhin të moshuarin dhe i grabisin makinën