Me anë të një deklaratë për mediat, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i bëri thirrje deputetëve që të tërhiqen nga ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Sipas regjisorit Edmond Budina deputetët janë të informuar dhe po bëhen palë në vjedhje kundër interesit publik dhe në shkelje të Kushtetutës.
Budina theksoj se si do që të votojnë deputetët, Teatri nuk do të shembet, pasi Aleanca e ka shprehur qartë qëndrimin e saj për mbrojtjen e Teatrit.
“Deputetët po bëhen haptazi palë në vjedhje kundër interesit publik dhe në shkelje të Kushtetutës. Çfardo që të bëni në pjesën e mbetur të jetës tuaj, kudo që të shkoni, kjo votë do t’ju ndjekë nga pas. Do të konsideroheni si deputetët që votuan për të vjedhur popullin e tij. Jeni ju ato që do të vendosni se me çfarë reputacioni do të mbaheni mend para popullit tuaj.
Për ne votimi i sotëm është thjeshtë konfirmimi i radhës që kemi të bëjmë një qeveri të paskruptullt, qartazi kriminale, e cila nuk ndalet para asgjëje me qëllim kryerjen e grabitjes së planifikuar.
Aleanca e ka shprehur qartë qëndrimin e saj se Teatrin do ta mbrojmë deri në fund, qoftë dhe me trupat tanë po qe e nevojshme.
Si do që të votojnë sot deputetët, Teatri nuk do të shembet. Sot janë deputetë që duhet të vendosin në cilën anë të historisë do të qendrojnë. Mos u bëni palë më vjedhjen, mos u bëni palë me vjedhjen e kushtetutës. Brezat që do të vijnë nuk do t’ua falin!”, u shpreh Budina.
Për dy minuta socialistët mbyllin mbledhjen, rrëzohet dekreti i Presidentit
Ka zgjatur vetëm pak minuta mbledhja në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ku mazhoranca rrëzoi me votat e saj, dekretin e Presidentit Ilir Meta që kërkonte që Kuvendi ta rishqyrtonte ligjin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Kreu i komisionit, Shalsi tha se “beme gjykimin dhe ndryshimet qe i vleresuam te nevojshme. Jemi pro ndertimit te nje teatri te ri”.
Dekreti tani do t’i kalojë Kuvendit dhe futet automatikisht në rendin e ditës, mundet që sot, pasi seanca plenare nis në orën 10:00.
Sipas rregullores së Kuvendit, dekreti i Presidentit futet automatikisht në rendin e ditës dhe në kalendarin e punimeve.
“Në programin e punës së Kuvendit futen automatikisht dekretet e Presidentit të Republikës për rishqyrtim ligjesh, emërime, për të cilat kërkohet pëlqimi i Kuvendit, projektligje financiare ose ndryshimi i Buxhetit të Shtetit, shqyrtimi i akteve normative me fuqinë e ligjit, propozimet për emërim dhe shkarkim titullarësh të organeve që zgjidhen nga Kuvendi, mocionet e kërkuara, projektligjet ose projektvendimet e mbartuara nga programi paraardhës, si dhe çështjet që lidhen me gjendjen e jashtëzakonshme”, thuhet në rregulloren e Kuvendit.