Nga Enver Bytyçi
Gazetari, publicisti dhe shkrimtari, Ilir Kadia, sot postoi një status, të cilin po e riprodhoj saktësisht:
“Në Londër njëherë!
Më treguan për një Tahir nga Shkodra që punonte në seksionin shqiptar të BBC. Bëhet fjalë për dikur në mesin e viteve 50’! I dhanë Tahirit të lexojë një lajm në mikrofon ku Kosova thuhej se historikisht ishte Serbi!
Kurrë, tha Tahiri. Kurrë nuk e lexoj këtë lajm kundër vendit tim.Kosova ka qënë, është e do të jetë Shqipëri përjetë!
Po nuk e lexove do të heqim nga puna, i thanë shefat.
S’ ka nevojë të më hiqni, iki vetë! -tha Tahiri
Ndërkohë shkrimtarja dhe publicistja, Miranda Haxhia, në një koment të sajin sqaron se ky person, i cili nuk pranoi të lexonte një lajm, ku Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë, duke lënë vendin e tij të punës, ishte Tajar Zavalani. Nuk ka rëndësi si e kishte emrin, Tahir apo Tajar!
Por kjo histori më nxiti të bëj një krahasim me atë çfarë përfaqëson sot presidenti i Kosovës. Erdhi koha që vetë presidenti, Hashim Thaçi, të pranojë me koshiencë të plotë ndarjen e Kosovës, me qëllim që të marrë pjesë në hedhjen e themeleve të Serbisë së Madhe! Atë që nuk mundi ta bënte Milosheviçi me luftë, e me masakra dhe terror, po e bën Beogradi me ndihmën e kryetarit të shtetit të Republikës së Kosovës. Midis këtij rasti dhe ngjarjes së mesit të viteve ’50 ka një oqean midis. Tahiri ose Tajari pranoi që të largohej nga puna në prestigjiozen BBC të Londrës vetëm që të mos lexonte një lajm, në të cilin Kosova konsiderohej pjesë e Serbisë. Hashim Thaçi pranon t’i falë teritore Serbisë e jo të ikë nga detyra e presidentit!
Ballafaqimi i kësaj historie në dy kohë na ndihëmon të dallojmë atë se çfarë përfaqëson Hashim Thaçi sot për Kosovën, interesat dhe territorin e saj. Një idealist i para 60 e ca viteve e donte Kosovën më shumë sesa e do atë sot vetë presidenti i këtij shteti. Një idealist i kohës së fillimit të themelimit të BE-së ishte i gatshëm të sakrifikonte veten dhe familjen e tij vetëm që të mos lexonte diçka, që binte ndesh me interesin e vendit të tij.
Ndërsa presidenti i sotëm i Kosovës është i gatshëm ta sakrifikojë shtetin dhe territorin, vetëm që të mbrojë interesat dhe veta personale e familjare!
Historia që më dha lëndën për këtë koment të publikuar nga zoti Kadia nuk mbaron e kaq.
Nëse shohim prapa në këto 15 vitet e fundit, do të vemë re se Beogradi i ka ngrënë disa koka politikanësh të Prishtinës pikërisht në momentin kur do të fillonte një proces bisedimesh ose negociatash me Beogradin për statusin e Kosovës ose për të ashtuquajturën “Zgjidhje të problemeve me Serbinë”! Sapo u shpall vendimi ndërkombëtar për fillimin e bisedimeve të Vjenës për statusin e Kosovës më 2005-ën, u sëmur rëndë dhe ndërroi jetë vetë kreu i atyre negociatave, presidenti historik, Ibrahim Rugova. Kjo ngjarje është trajtuar si një ndodhi e zakonshme. Vetë Rugova nuk ka dashur të hedhë akuza me dyshime për shfaqjen e papritur të sëmundjes së kancerit, e cila i mori jetën atij. Megjithatë koinçidencat në politikë nuk janë të rastësishme. Ky është rregulli i përgjithshëm.
Unë i përkas atyre që nuk besojnë se shkuarja e Ibrahim Rugovës në amshim ishte “dhuratë e Zotit”. Unë vazhdoj të dyshoj se ajo ishte “dhuratë e robit”! Ndodhi pikërisht në momentin kur do të nisnin bisedimet për statusin… Por fatmirësisht ato bisedime përfunduan me sukses.
Vendin e Rugovës në këto bisedime e zuri Prof. Dr. Fatmir Sejdiu, president i Kosovës si pauses i Rugovës. Eshtë meritë e padiskutueshme e Fatmir Sejdiut fakti që argumentoi se pavarësia duhej të ishte zgjidhja e vetme e statusit të Kosovës, e dokumentuar kjo në Dokumentin Ahtisaari. Por më 2011-ën u parashikuan të nisnin bisedime të reja me Serbinë. Ky projekt u shpall në vitin 2010, kur Fatmir Sejdiu ishte ende president i vendit. Ai kundërshtoi çdo bisedim me Serbinë, veçmas bisedimet për çeshtje politike. Për t’i hapë rrugë këtyre bisedimeve u sajua kurthi i shkarkimit të Fatmir Sejdiut. Deputetët e Lidhjes Demokratike me ambicje kundër shefit të LDK-së punuan kundër Sejdiut dhe Hashim Thaçi arriti ta mënjanojë ish-presidentin Sejdiu, me qëllim që bisedimet me Serbinë t’i udhëhiqte ai.
Sejdiu u bë kështu viktimë e Beogradit dhe shërbëtorit të Beogradit në Prishtinë, Hashim Thaçit. Shpura e Thaçit në LDK e kudo u bashkua me kryeministrin kundër presidentit. Pse? Sepse presidenti ishte kundër bisedimeve me Beogradin! Ndërkohë që kryeministri Thaçi mori në dorë ekipin negociator dhe me duar në xhepa u paraqit në tavolinat e rrumbullakta të bisedimeve tashmë në Bruksel. Gjithkush duhet të kuptojë se shqiptarët duhet t’i falen Baroneshës Ashton, e cila mundi ta mbajë në fre Hashim Thaçin, se ndryshe ai do ta kish nënshkruar me kohë marrëveshjen e turpit me Beogradin.
Prandaj dhe Beogradi e qarqet pro tij në Europë u kujdesën që në vend të Ashton si Shefe e Diplomacisë Europiane të vinte një guerilase, si Frederica Migherini. Besoj se mund të bëhet qartë dallimi: Nga një baroneshë tek një guerilase. Kjo i krijoi kushtet e plota që Hashim Thaçi të mund të shfaqte pasionin e militantizmin e tij serb me iniciativën e çmendur të ndryshimit të kufijve dhe cënimin antikushtetues të integritetit territorial të Kosovës,
Më erdhën në memorie këto shembuj, përveçse shembullit që ma dha taze miku im Ilir Kadia, që të shtoj disa argumente shtesë se pse po ndodh sot ajo që ne e quajmë cënim të territorit të Kosovës dhe shkatërrim i shtetësisë së saj. Aktori dhe autori kryesor i saj është Hashim Thaçi, fatkeqësisht president i këtij vendi, i cili ka vendosur të mos sakrifikojë veten e as familjen ose privilegjet e pushtetin e tij, në këmbim të nënshkrimit të një marrëveshjeje poshtëruese dhe shkatërruese me Serbinë. Udhërrëfyes i Thaçit është dhe mbetet kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama!
Tirane, 25.10.2018