Shkaku i aksidentit të ndodhur në Kavajë pasditen e të shtunës ka qenë favorizimi i biznesit të kushëririt të Elvis Rroshit. “Një qytetar u plagos rëndë, pasi trafikndarësja në dalje në Synej i hyri mespërmes makinës, ndërsa shkak i aksidentit është lënia e kësaj daljeje me qëllimin e vetëm për të favorizuar kushëririn e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi”. Kështu shkruan ish-Kryeministri Sali Berisha në rrjetet sociale. Ai thotë se dalja shërbente për biznesin e Spartak Rroshit, kushëririt të parë të kryebashkiakut të Kavajës, që është në arrest shtëpie. Rroshi, sipas Berishës, ka një servis për riparim dhe shitje makinash pikërisht në vendin ku ndodhi aksidenti.
“Qytetari dixhital denoncon shkakun e aksidentit të djeshëm në Kavajë: Trafikndarësja mungonte pasi aty ishte biznesi i Spartak Rroshit, kushëririt të parë të Ervin/ Elvis/ Edvin/ Edi/ Rroshit! Sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe mesazhin e qytetarit.
“Përshëndetje Doktor, aksidenti që ndodhi sot në Kavajë ishte sërish për shkak të mungesës së trafikndarëses. Trafikndarësja mungonte pasi në të ishte biznesi i djalit të xhaxhait të kryebashkiakut Rroshi, Spartak Rroshi, i cili ka një servis dhe qeveria e ka lënë të hapur pikërisht për të…”, shkruan qytetari nga Kavaja.