“El Clasico” që do të luhet të dielën në “Camp Nou” mund të ringjallë Real Madrid-in ose ta fundosë. Fillimi zhgënjyes në La Liga, paraqitjet e zbehta në Champions League dhe vendimet në lidhje me merkaton kanë krijuar shumë polemika dhe shumë kritika, veçanërisht kundrejt numrit një të klubit, Florentino Perez.
I fundit që ka kritikuar punën e presidentit të madrilenëve ka qenë ish-numri një i “merengues”, Ramon Calderon, i cili ka dhënë mendimin e tij në lidhje me momentin që po kalon klubi.
“Nuk e kuptoj si mund ta çojë përpara klubin i vetëm”, ka thënë ish-presidenti, që më pas ka thumbuar: “Te Real Madrid nuk ka një drejtor sportiv, është vetëm ai që është një inxhinier. Ai di shumë mirë si të ndërtojë ura, tunele dhe rrugë, jo skuadra futbolli. Nuk është e njëjta gjë”.
Calderon ka kritikuar edhe vendimin për të shitur Cristiano Ronaldo-n: “Mungesa e tij ndikon shumë, nuk e di nëse klube të tjerë mund t’i japin atë që Real Madrid i ka dhënë atij. CR7 është zëvendësuar nga Mariano Diaz. Me këtë kam thënë gjithçka”.