Fëmija 3 vjeç rrihet barbarisht nga pronarja e kopshtit

Një fëmijë vetëm 3 vjeç është rrahur barbarisht nga administratorja (pronare) e kopshtit privat “Diren”, Anjeza Shabani që ndodhet në Sauk. Pamjet shokuese janë transmetuar mbrëmë në emisionin “Stop” në “TV Klan”. Ky emision investigoi rastin, pasi babai i fëmijës kishte denoncuar me fakte se fëmija i tij dhunohej. “Nuk kam dyshime, kam bindje se djalin ma kanë rrahur”, tha babai në një intervistë për “Stop”.
Dhe ky baba paguante me para dhunën, pasi kopshti është privat. Pas fotove që babai ka paraqitur në stafin e emisionit ka nisur edhe puna për të zbardhur ngjarjen. Është arritur nga stafi i “Stop”-it të vendoset një kamera, ku është filmuar dhuna makabre ndaj fëmijës.
“Kjo është vetëm një ditë”, tha Saimir Kodra teksa pasqyronte kronikën, duke lënë të kuptohet se dhuna ka qenë e vazhdueshme në këtë institucion privat për rritjen e fëmijëve.
Anjeza Shabani, administratorja e një kopshti privat në Tiranë, videoja e së cilës duke dhunuar në mënyrë mizore një fëmijë vetëm 3 vjeç në ambientet e kopshtit, u publikua dje në media nga emisioni investigativ “Stop”, është arrestuar nga policia. Burimet bëjnë me dije se, Shabani është arrestuar bashkë me pesë punonjës të tjerë të kopshtit privat që ajo drejtonte.
Po kush është Anjeza Shabani?
Ajo ka mbaruar Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, dega gazetari në vitin 2007. Pastaj ka punuar si gazetare në disa media të ndryshme, gazeta, radio dhe televizione, ku së fundi bashkë me bashkëshortin e saj kanë menduar të hapin edhe një kopsht privat në zonën e Saukut.
Vetëm pak momente pas publikimit të videos, njerëz të ndryshëm kanë hyrë në faqen në Facebook të kopshtit duke e sharë dhe mallkuar gruan që gjuante me sa fuqi të kishte një fëmijë të pambrojtur, që vetëm qante dhe nuk kishte mundësi të thoshte asgjë.

Artikulli paraprakAksident i rëndë në Rrugën e Kombit
Artikulli tjetërBreshëri plumbash në hotelin e Sadri Abazit, policia e fsheh