Shmangu rrëzimin e helikopterit mbi turmë duke zgjedhur vdekjen, kush është piloti hero

Ajo e Eric Swaffer, pilotit të helikopterit që transportonte pronarin miliarder të Leicester City, është një histori heroizmi.
Së bashku me të dashurën e tij, Izabela Roza Lechowicz, pilote e dytë e mjetit të rrëzuar mbrëmjen e së shtunës, pas ndeshjes kundër West Ham, Swaffer, i cili kishte kuptuar se diçka nuk shkonte me helikopterin, u përpoq me të gjitha forcat ta largonte sa më shumë atë prej turmës së njerëzve poshtë, edhe pse i ndërgjegjshëm se ky mund të ishte veprimi i fundit që do të bënte në këtë jetë.
5 ishin viktimat e tragjedisë: manjati tajlandez Vichai Srivaddhanaprabha, që e bleu klubin e futbollit për 39 milionë paundë në vitin 2010 dhe 6 vjet më vonë e çoi në fitimin e titullit në Premier League; ish-mbretëresha tajlandeze e bukurisë, Nursara Suknamai, asistenti i pronarit, Kaveporn Punpare si dhe dy pilotët.
Swaffer besohet të ketë shpëtuar shumë jetë me përpjekjet e tij për ta larguar mjetin me probleme nga tifozët në terren.
Homazhet kanë vërshuar nga të gjitha anët për të dhe për manjatin e konsideruar një bamirës që nuk do të harrohet lehtë.
“Nuk kam takuar kurrë një njeri si ti në jetën time. Ti preke zemrat e të gjithëve. E ndryshove futbollin përgjithmonë. I dhe shpresa të gjithëve se e pamundura mund të bëhet e mundur”, ka qenë mesazhi i ngushëllimit të portierit të Leicester, Kasper Schmeichel.
Ekspertët dyshojnë se shkak i fatkeqësisë është bërë mosfunksionimi i helikës së bishtit të helikopterit, çka bëri që mjeti 6 milionë paundësh AgustaWestland të dilte nga kontrolli në një mënyrë të cilën asnjë pilot, sado i mirë, nuk do ta menaxhonte dot.

Artikulli paraprakNë tragjedinë e Leicesterit, kanë humbur jetën pronari dhe 4 persona të tjerë
Artikulli tjetërAvioni indonezian rrëzohet në det me 189 pasagjerë