Polici: Prenga kërcënoi në spital dy vëllezërit Cali

Në Gjykatën e Lartë u zhvillua dje seanca e radhës gjyqësore ndaj deputetit të PS, Armando Prenga, i cili akuzohet për plagosje të rëndë, kanosje dhe armëmbajtje pa leje. Para gjyqit kanë dalë dy dëshmitarë të Prokurorisë, njëri polic i skuadrës “Shqiponjat” dhe tjetri roje private në Spitalin e Laçit.
Efektivi i “Shqiponjave”, Dritan Beqiraj, ka dëshmuar për një konflik verbal midis Prengës dhe dy personave që kishin shkuar për mjekim në Spitalin e Traumës. “Natën e ngjarjes, Armando Prenga ka pasur një konflikt verbal në Spitalin e Traumës, me palën tjetër, Calët. I kërkuam Prengës që ta dorëzonim në një ambient më të sigurt nga spitali dhe e dërguam në Drejtorinë e Tiranës dhe janë marrë masa që të mos kishte incidente”, tha ai. Ndërkohë, roja e spitalit ka shpjeguar mënyrën sesi kanë mbërritur në spital personat e plagosur dhe sesi disa u dërguan drejt Spitalit të Traumës. Në seancën e djeshme u kërkua që të thirrej një mjek i Spitalit të Laçit dhe një mjek i Spitalit të Traumës për të dhënë dëshmitë e tyre.
Gjithashtu, në sancën e radhës pritet të dëshmojnë edhe tre anëtarë të familjes Cali, me të cilën Prenga është në konflikt për lagunën e Patokut. Armando Prenga ndodhet në “arrest shtëpie” deri në përfundim të gjyqit.
Deputeti i Partisë Socialiste, Armando Prenga u arrestua në flagrancë nga policia, pasi plagosi me armë dy vëllezërit Cali në Laç për një konflikt mes tyre në lidhje me tenderin për peshkim në Lagunën e Patokut, e drejtë e cila i është dhënë në mars të 2015 vëllait të deputetit. Gjatë hetimeve të kryera nga Prokuroria u bë e ditur se në duart e deputetit socialist janë gjetur mbetje baruti, çka sipas ekspertëve, vërteton dyshimet se ai ka qëlluar me armë në konfliktin përpara Komisariatit të Laçit. Fillimisht, deputeti Prenga i shoqëruar me disa persona të tjerë është përplasur fizikisht në një prej lokaleve në pronësi të familjes Cali. Më pas palët janë thirrur në Komisariatin e Policisë së Laçit për të dhënë dëshmitë e tyre. Aty ka shkruar deputeti Prenga me disa persona dhe ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar në drejtim të familjes Cali.
Prenga u ndalua nga policia në banesën e tij rreth orës 5 të mëngjesit në kushtet e flagrancës. Bashkë me Prengën u arrestuan edhe 5 persona të tjerë, Anton Leka, Gazmir Jushi Gjokë, Nikoll dhe Gjergj Cali të përfshirë në sherrin e ndodhur pas mesnate. Deputeti Prenga akuzohet zyrtarisht për armëmbajtje pa leje, kanosje serioze për vrasje dhe plagosje e rëndë me dashje.
Konflikti me armë, thika dhe mjete të forta ndodhi pranë Komisariatit të Kurbinit dhe mbetën të plagosur 7 persona, mes të cilëve edhe Eduart Prenga, vëllai i deputetit, 2 prej tyre me armë zjarri. Policia e Shtetit konfirmoi se Prenga ka plagosur një person të familjes Cali, Gjergjin. Shefi i Komisariatit të Kurbinit, Nik Nikolla tha në një deklaratë për mediat se, Prenga e ka qëlluar me qytën e pistoletës dhe ende nuk është përcaktuar nëse ka hapur ose jo zjarr me pistoletën e tij.
Sherri nisi fillimisht në lokalin e fisit Cali në zonën e Patokut dhe më pas është zhvendosur përballë komisariatit, aty ku palët kishin shkuar për të kallëzuar njëri-tjetrin për kanosje me jetë. Prenga pati deklaruar se familja Cali i kishte dalë në pritë.

Artikulli paraprakLeskaj: Korrupsioni në administratën shtetërore është ngritur në sistem
Artikulli tjetërFaqja e parë