Një konferencë për shtyp me krerët e Bayern-it që kërcënonin mediat për kritikat e tepruara dhe më pas disa fitore bënë që atmosfera rreth Bayern-it të kthehej disi më e qetë, por barazimi shtëpiak kundër Freiburg-ut, me gol të pësuar në minutën e fundit, ka ndezur sërish debatet dhe nën akuzë është trajneri Niko Kovac, i cili u kritikua hapur edhe nga Lisa Müller, bashkëshortja e Thomas Müller, me një postim në Instagram: “Pas më shumë se 70 minutash, trurit i vjen pak frymëzim”, duke iu referuar faktit që Thomas Müller u fut në fushë në fundin e ndeshjes.
Ish-ylli i Bayern-it dhe Gjermanisë, Lothar Matthäus, sheh një problem thelbësor: “Bashkëshortja e Thomas Müller postoi një mesazh që flet qartë mbi atmosferën te Bayern-i. Mendoj se ai mesazh kundër trajnerit Kovac reflekton bisedat që bëhen në shtëpi. Jo të gjithë lojtarët e mbështetin trajnerin, shoh pakënaqësi në ekip”.
Matthäus kërkon hierarki tek ekipi bavarez: “Nuk po shoh kohezion, lehtësi në veprime, agresivitet dhe kënaqësi të luajturi në këtë moment. Nuk po shoh askënd të marrë përsipër rolin e liderit. Kovac nuk ka arritur të ndërtojë një hierarki që në fillim të sezonit dhe situata nuk duket normale. Niko duhet të gjejë mënyrën që skuadra të kthehet e gjitha në mbështetje të tij”.
Dietmar Hamann – Ish-mesfushori i njohur Hamann shkon edhe më tej me kritikat e tij, duke e konsideruar të përfunduar misionin e Niko Kovac në Bavari.
“Mendoj se fati i Niko Kovac është vulosur javët e fundit. Nuk ka rëndësi nëse fiton apo jo në Dortmund, nuk mendoj se Kovac do plaket në Mynih. Roli i tij është zhvlerësuar, po dalin përditë histori e probleme që duhen zgjidhur nga brenda. Fakti që drejtuesit nuk po reagojnë, është një sinjal për lojtarët, sepse askush nuk po kujdeset që ta izolojë skuadrën dhe të mbrojë trajnerin. Çdo futbollist e kupton mirë çfarë po ndodh dhe sa i sigurt është trajneri”.