Atentati ndaj shokut të Shullazit, vdes në spital i plagosuri

Ka ndërruar jetë në spital i plagosuri i atentatit mafioz të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Durrës.
Genci Caci, i cili ishte i shtruar në Spitalin e Traumës bëhet e ditur se ka vdekur mbrëmjen e sotme, ndërkohë që prej orësh ka qenë në vdekje klinike.
Caci mbeti i plagosur rëndë në atentatin e djeshëm në lagjen 13 të Durrësit, ku u ekzekutua në mënyrë mafioze Edison Harizaj, miku i Emiljano Shullazit.
Ngjarja
Një atentat ka ndodhur pak pas mesnate në Durrës, ku mbeti i vrarë Edison Harizaj, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, dhe u plagos rëndë miku i tij, Genc Caci, 33 vjeç, i cili ndërroi jetë në spital.
Edison Harizaj është me orgjinë nga Vlora dhe mësohet se ka qenë objektivi i këtij atentati. Nga burime mësohet se Edison Harizaj ishte duke udhëtuar nga Tirana drejt Vlorës, kur i është bërë pritë nga dy persona.
Ndaj makinës “AUDI” ku udhëtonte Harizaj bashkë me mikun e tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi dhe autorët pas atentatit kanë shkuar në zonën e Shën Vlashit të Durrësit dhe kanë djegur makinën. Në drejtim të mjetit Audi A8 janë zbrazur mbi 30 plumba, që dyshohen automatike.
Harizaj që njihet ndryshe si krahu i djathtë i Shullazit nuk është një emër i panjohur për forcat e policisë pasi dyshohet se ai ka qenë i përfshirë në zhdukjen e Albano Xhaferrit në Vlorë. Harizaj ka qenë i skeduar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale në vend.
Drejt Durrësit mësohet se janë nisur me urgjencë dhe forcat RENEA, ndërsa janë ngritur pika kontrolli në Tiranë, Fushë Krujë dhe Kavajë. Dyshohet se autorët janë larguar me një makinë tjetër pas atentatit.

Artikulli paraprakZjarri në Bathore, reagon Mziu: Qeveria urgjent të financojë stacionin zjarrfikës në Kamëz
Artikulli tjetërBasha: Mbështetje dhe vlerësim nga liderët e PPE për pastrimin e politikës nga krimi (Video)