Tregtarëve në shumë raste i duhet të paguajnë 40 dollarë nën dorë për çdo ngarkesë që kalojnë në dogana. Një raport i Komisionit për Ekonominë për pjesën e Europës pranë Kombeve të Bashkuara që vlerëson barrierat tregtare të Shqipërisë, merr në vlerësim edhe pagesat informale si një fenomen me ndikim negativ. I njëjti raport ngre edhe shqetësimin e vjedhjeve që ndodhin në magazinat doganore, për të cilat nga ana e institucionit nuk mbahet përgjegjësi.
“Për disa tregtarë, pagesat informale janë të fiksuara në disa nivele për shembull 5 mijë lekë apo 40 dollarë për ngarkesë. Për të tjerë, shuma varet në vlerën e të mirave dhe mallrave që vihen në pikëpyetje për t’u kaluar.
Sa më e lartë vlera aq më e lartë edhe shuma e pagesës nën dorë që mund të variojë nga 15 deri në 50 euro për ngarkesë dhe në këto raste autorizimi për të kaluar doganën reduktohet në vetëm gjysmë dite.
Për më tepër, një pjesë tregtarësh kanë tërhequr vëmendjen se në disa raste mallrat humbasin ose vidhen kur vendosen në magazinë doganore, të cilat nuk janë të siguruara siç duhet.
Tregtarët gjithashtu ankohen se, dogana refuzon që të marrë përsipër përgjegjësinë për rastet apo vjedhjet”, thuhet në raport. Kjo nuk është hera e parë që biznesi denoncon pagesat nën dorë për punonjës të veçantë të administratës në përgjithësi dhe jo vetëm tek doganat. Raporti në fjalë ka përfshirë intervista përgjatë gjithë vitit 2015 dhe u konkludua me një publikim në maj të këtij viti.
Referuar studimeve dhe statistikave konstatohet se, sistemi doganor shqiptar vlerësohet si më i korruptuari në të gjithë rajonin. “Shqipëria vlerësohet me 31 pikë, Serbia me 42 pikë, Bosnje Hercegovina me 42 pikë, Maqedonia me 44 pikë; Mal i Zi me 44 pikë, dhe Kroacia me 48 pikë”, thuhej në raport, (ku shteti me pikët më të ulëta sinjifikon korrupsionin më të lartë).
50% e shqiptarëve që janë pyetur në disa anketime dhe sondazhe janë shprehur se nuk kanë besim te denoncimi i korrupsionit, pasi mendojnë se nuk do ndryshojë asgjë, ndërkohë që 24% kanë frikë, pasi institucionet nuk janë të gatshme t’i mbrojnë nga pasojat në rast se denoncojnë korrupsionin. “24% e të intervistuarve kanë thënë se nuk di ku të raportoj apo të denoncoj, 25% kanë frikë nga pasojat, por pjesa më problematike rreth 50% nuk do të sillte asnjë ndryshim, këta janë pjesa më problematike, të cilët mendojnë se pavarësisht se korrupsioni do të denoncohej nuk do të sillte asnjë ndryshim.