Edhe pse i dëmtuar, ylli i Kroacisë, Luka Modriç dha kontributin e tij që skuadra ballkanase të mposhtte 2-1 Spanjën dhe të fitonte Grupin D. Modriç i dha një mesazh sekret kapitenit të kroatëve, Darijo Srna, për të frenuar 11-metërshin e Sergio Ramos në minutën e 72-të të duelit në Euro 2016, ndërsa rezultati ishte në barazim 1-1. Si lojtar i Realit të Madridit, mesfushori e njeh mirë mënyrën e ekzekutimit të kapitenit të Spanjës dhe këtë ia tregoi me detaje Srna, që kishte detyrën ta përcillte mesazhin te portieri Danijel Subasiç.
Këshilla rezultoi mjaft e vlefshme, me gardianin që nuk u nxitua të hidhej në njërin krah dhe neutralizoi penalltinë. Detajet e dhënë nga Modriç u konfirmuan nga vetë Subasiç. “Penalltitë janë llotari. Lojtari çek e ekzekutoi mjaft mirë, ndërsa këtë herë prita pak dhe e largova topin”, tregoi gardiani. Numri 23 i kroatëve shtoi: “Modriç më dërgoi një mesazh nëpërmjet Srna dhe më tha të prisja që Ramos të gjuante nga krahu i djathtë. Pikërisht kjo ndodhi”.
Kroacia fitoi falë golit të shkëlqyer nga Ivan Perisiç, duke marrë kryesimin e grupit, ndërsa me pozicionin e dytë, ecuria e Spanjës komplikohet, pasi në rrugën e “Furisë së Kuqe” do të jetë menjëherë Italia.