Kreu i PD, Lulzim Basha i është bashkuar protestës së banorëve tek Unaza e Re, të cilët prej disa ditësh vijojnë protestat duke kundërshtuar prishjen e banesave të tyre. Basha i dha fjalën një 12-vjecari, i cili tregoi se gjithë fisi i tij po përjeton një dramë për shkak të kësaj çështje. Ai tha se është tromaksur dhe nuk e zë gjumi natën, pasi duan t’i prishin shtëpinë.
“Falënderoj Lulzim Bashën që na u gjend pranë bashkë me deputetët e opozitës. Unë jam Klevis Hysko dhe jam këngëtar. Kam emocione se më dridhet shpirti kur flas. Isha një ditë në shtëpi dhe i gjeta të gjithë të mërzitur. Pyeta mamin dhe babin, çfarë keni. Më thanë se, dëgjuam në televizor që do na prishin shtëpinë me një ligj që ka bërë kryeministri Edi Rama që nuk dua tja dëgjoj emrin. Unë vetëm qaj. Kam 1 javë që nuk na zë gjumi mua dhe prindërit.
Ne jemi tre kurorë dhe po na prishin 3 shtëpitë. Kam të gjyshit, timen dhe të dajove. Kur erdha një ditë në shtëpi pyeta gjyshen se, ku është mami dhe babi dhe më thanë se i ka marrë në komisariatin numër 6. Të gjithë fisin e kishte marrë policia. U tromaksa dhe nuk më ka zënë gjumi. Këtë dramë po e përjetojnë të gjithë, madje dhe fëmijët. Protestat të mos ndalen dhe të vazhdojnë. Poshtë oligarkët dhe banditët dhe rrofshin shqiptarët”, tha 12-vjeçari.