Autoritetet gjetën 14 trupa të tjerë të vdekur të shtunën pasi një zjarr i madh shkatërroi një komunitet të Kalifornisë Veriore, duke ngritur në 25 numrin e të vdekurve nga zjarret. Autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në veri të Kalifornisë për të ndihmuar në lehtësimin e përpjekjeve të shpëtimit.
Sherifi i qarkut Butte, Kory Honea tha se viktimat u gjetën të vdekur brenda ose jashtë shtëpive apo makinave të tyre.
“Sot u gjetën 14 trupa të tjerë, dhe tani numri i jetëve të humbura për ne është 23. Katër prej tyre u gjetën në zonën Con-Cal, dy prej të cilëve ishin në makina, dhe dy brenda në shtëpitë e tyre. Përveç kësaj, u gjetën 10 trupa në zonën Paradise”.
Njoftimi të shtunën e çon në 25 numrin e njerëzve që kanë vdekur gjatë këtyre zjarreve në Kaliforninë veriore dhe atë jugore.
Zyrtarët thanë se zjarri në zonën Camp Fire është bërë më shkatërruesi në historinë e shtetit dhe i treti më vdekjeprurësi.
I gjithë qyteti luksoz i Malibusë është evakuuar, dhe një vend historik ku filmoheshin filmat Western është shkatërruar pas shpërthimit të zjarrit.
Vatra e zjarrit Woolsey po kërcënon rreth 75 mijë shtëpi në rrethin Ventura, në veriperëndim të Los Anxhelosit.
Kalifornia ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në pjesën veriore të shtetit për të ndihmuar në lehtësimin e përpjekjeve të shpëtimit në atë që ka qenë një nga vitet më të këqija për zjarret në shtet.
Zyrtarët i kanë bërë thirrje njerëzve të mos kthehen në shtëpitë e tyre derisa të jepet drita jeshile nga autoritetet.