– Zoti President, ligji i shumëpërfolur i pronave që ju e keni dërguar në Gjykatën Kushtetuese me kërkesën që është antikushtetues, nuk respekton të drejtat e njeriut, të drejtat e pronarëve, etj., po kthehet në një shqetësim jo vetëm për pronarët, jo vetëm për qeverinë shqiptare, por po kthehet në një shqetësim edhe për Gjykatën e Strasburgut, ndërkohë që kjo gjykatë ka kërkuar nga qeveria shqiptare të respektohen të drejtat e pronarëve dhe të bëhet një ligj i mirë për të drejtat e tyre.
Unë i qëndroj bindjes që kam shprehur edhe përmes prononcimeve dhe deklaratave të mia publike, por edhe përmes akteve institucionale që kam ndërmarrë qoftë me rikthimin e ligjit për t’u shqyrtuar dhe riparë nga Parlamenti dhe më pas për shkak të refuzimit që iu bë kërkesës sime për ta riparë dhe rikorrigjuar atë ligj, dërgimin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese së vendit. Pra, i qëndroj kësaj bindjeje që ligji është thellësisht antikushtetues, është një ligj që bie ndesh me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, bie ndesh me të gjitha vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë në lidhje me çështjet e kthimit dhe kompensimit të pronës, bie në kundërshtim të plotë me vendimet e Gjykatës së Strasburgut posaçërisht me vendimet pilot të Gjykatës së Strasburgut, të cilat janë orientimi i vetëm për të pasur legjislacion dhe mënyrën e implementimit të legjislacionit në Shqipëri në lidhje me çështjet e kthimit dhe kompensimit të pronave. Ajo që më shqetëson më shumë kohët e fundit ka të bëjë me një tentativë për të spekuluar dhe dezinformuar opinionin publik se ligji aktual zgjidh çështjen e mospenalizimit të mëtejshëm financiar të Shqipërisë, çka nuk është tërësisht e vërtetë, përkundrazi ky ligj do të vazhdojë ta thellojë penalizimin e Shqipërisë, do të vazhdojë të rëndojë dënimet dhe penalizimet financiare të buxhetit të Shqipërisë dhe qëllimi i Gjykatës së Strasburgut dhe në tërësi i kërkesave për të implementuar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me çështjen e të drejtës së pronës është pikërisht fakti që Shqipërisë i kërkohet që të hartojë ligje në përputhje të plotë me kriteret e Gjykatës së Strasburgut, në përputhje të plotë me vendimet pilot të Gjykatës së Strasburgut, në përputhje të plotë me vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Shqiptarët e kuptojnë fare mirë se penalizimet e deritanishme, pra “gjobat” që vihen, nëse i quajmë me këtë kuptim vendimet me ngarkesa financiare, kanë ardhur pikërisht sepse ose nuk janë zbatuar në mënyrën e duhur ligjet që ne kemi pasur në fuqi, ose për shkak se kemi ndërtuar ligje, të cilat nuk i përgjigjen të drejtës që kanë pronarët. Përsa kohë ne do të vazhdojmë të ndërtojmë ligje, të cilat nuk i përgjigjen të drejtës dhe nuk realizojnë këto të drejta dhe nuk reflektojnë vendime të mëparshme, kryesisht ato pilot të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut do të vazhdojmë të penalizohemi financiarisht dhe ligji aktual do të jetë një arsye më shumë që Shqipëria do të vazhdojë të penalizohet financiarisht. Kërkesa ime kjo ka qenë, qëndrimi im pikërisht ky ka qenë që ne të kemi të qarta dy gjëra: Së pari, duhet mbrojtur dhe realizuar e drejta e qytetarit shqiptar, e çdo qytetari shqiptar mbi pronën e tij personale dhe private. Së dyti, pikërisht meraku im që e kam kundërshtuar ligjin aktual ka qenë që të mos vazhdojë penalizimi dhe ngarkesa financiare ndaj shtetit shqiptar për shkak të këtij lloj ligji që është në funksion aktualisht, për shkak se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ende nuk ka dhënë një vendim përfundimtar të saj në mënyrë që t’i lejojë më pas Gjykatës së Strasburgut që të vlerësojë dhe ajo përmbajtjen dhe nivelin dhe standardin e këtij ligji.
Ky ligj ka shumë elementë, por unë do të desha të përcjell tek opinion publik vetëm një prej elementeve më kontroversalë dhe më të papranueshëm të ligjit; përmes këtij ligji përsëri i shtetëzohet një pjesë e rëndësishme e pronave të qytetarëve shqiptarë dhe shtetëzimi i kryhet me çmimin e vitit 1945 dhe kjo pronë që shtetëzohet përsëri nga ana e qeverisë nxirret në ankand dhe u shitet personave të tretë që s’kanë lidhje me këtë pronë, jo me çmimin e vitit 1945 po me çmimin e vitit 2016. Kjo, përtej shkeljes flagrante të së drejtës të pronës për të rimarrë atë pronë që shqiptarët jo vetëm nuk e gëzuan, por edhe ju shfrytëzua nga të tjerët në mënyrë të padrejtë për 60 apo 70 e kusur vite, tashmë bëhet pjesë e aferave të mundshme të korrupsionit dhe shfrytëzimit me të padrejtë nga elementë dhe nga individë të tretë dhe subjekte të tjera që s’ka lidhje me këtë pronë. Pra, në këtë kontekst jo vetëm që shkelet dhe vijon të shkelet e drejta fondamentale e lirive dhe e të drejtave të njeriut që ka të bëjë me të drejtën e pronës që është e sanksionuar vetëm në Konventën Evropiane ku Shqipëria është palë, por edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nga ana tjetër krijohet dhe vijon procesi i penalizimit financiar të Shqipërisë dhe të buxhetit të shtetit shqiptar.
– Po mbi qëndrimin e qeverisë që i kërkon Gjykatës së Strasburgut të mos vijojë me gjykimin e çështjeve të pronave të qytetarëve shqiptarë derisa të miratohet ligji i ri.
Mua më erdhi shumë rëndë kur e kam dëgjuar sepse kjo është një çështje që nuk mund të komentosh, se si mund t’i kërkohet zyrtarisht, një qeverie, një shteti, një gjykate që të ndalojë funksionimin e saj vetëm në Shqipëri nga elementë dhe segmente të caktuara të administratës së shtetit shqiptar, mund të mendohet dhe të ketë kurajë që t’i adresohet, por është një imazh shumë negativ që na vishet të gjithëve, të tërëve në lidhje me nocionet që kemi ne për funksionimin e mekanizmave ligjorë. Imagjinoni se çfarë mund të mendojnë ata gjyqtarë të Gjykatës së Strasburgut për raportet që mund të ketë shteti shqiptar me gjyqtarët shqiptarë. Kur kërkohet që gjyqtarët e Strasburgut të mos funksionojnë dhe të ndalojnë punën e tyre, imagjinoni sesi ata krijojnë perceptimin e raporteve që ndërton shteti shqiptar me gjyqtarët e sistemit tonë të brendshëm. Është një çështje, e cila nuk ka nevojë për koment dhe mua më vjen vërtet shumë keq që na vishet një imazh i tillë nga individë se segmente të caktuara të administratës shqiptare në raportet ndërkombëtare dhe me institucione kaq të rëndësishme siç është Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut me shoqërinë shqiptare, me shtetin shqiptar dhe me imazhin e shqiptarëve në tërësi. Nuk reflekton kjo konceptin e civilizimit dhe të identitetit evropian që ne shqiptarët kemi në tërësi si shtet, si vend dhe si popull.
– Zoti President, për të disatën herë ju ktheni ligje dhe së fundmi ligji i pronës për argumentet që thatë më lart, por ky veprim i juaj është konsideruar si një veprim politik. Ju kanë numëruar edhe ligjet që i ktheni kthyer kësaj mazhorance.
Unë e kam dëgjuar në mënyrë të përsëritur nga disa politikanë që Presidenti ka qenë i njëanshëm për shkak se mazhorancës aktuale i ka kthyer njëzet ligje, ndërsa mazhorancës së kaluar, e cila tani është në opozitë, nuk i ka kthyer asnjë ligj. Kjo është një logjikë e dobët politike. Është e vërtetë që unë gjatë këtyre katër vjetëve në detyrë kam rikthyer për rishqyrtim në Parlament rreth njëzet ligje, por nga ana tjetër gjatë këtyre katër vjetëve kam miratuar me dekret më shumë se pesëqind ligje dhe akte të tjera të kësaj qeverie. Pra, po të shikosh raportin, kjo nuk tregon për një qëndrim politik. Përsa i takon faktit që nuk i kam kthyer mazhorancës së shkuar apo qeverisë së Partisë Demokratike asnjë ligj për t’u rishqyrtuar, ky nuk është një rekord që tregon qëndrimet e institucionit të Presidentit të Republikës, sepse nëse Presidenti nuk i ka rikthyer qeverisë së kaluar gjatë kohës kur unë kam qenë në zyrë asnjë ligj, atëherë çfarë ka bërë opozita? Opozita e asaj kohe që është mazhoranca e sotme le të thotë një ligj të vetëm për të cilin ish-opozita, mazhoranca e sotme, e ka kontestuar si një ligj antikushtetues dhe nuk ka pasur për të mbështetjen e Presidentit! Pra, nuk ka pasur asnjë rast të tillë, të paktën gjatë kohës kur unë kam qenë në zyrë si President dhe opozita e sotme ka qenë mazhorancë dhe ka qenë qeveri, për të cilën vërtet nëse do të kishte pasur qoftë edhe një ligj të vetëm për të cilën unë ia lë në dispozicion ta thotë mazhoranca e sotme kur ka qenë në opozitë dhe unë nuk e kam mbështetur apo nuk e kam rikthyer për rishqyrtim. Nëse vetë opozita e kohës, mazhoranca e sotme i ka miratuar dhe i ka mbështetur të gjitha ligjet dhe nuk ka pasur kontestim për asnjë ligj, si mund të kishte Presidenti? Pra, fakti tregon që në atë periudhë, përsa kohë unë kam punuar si President me mazhorancën dhe qeverinë e kaluar dhe nuk ka pasur një ligj të kthyer, tregon se gjatë asaj kohe nuk ka ardhur në institucionin e Presidentit asnjë ligj, i cili të ishte në kundërshtim me Kushtetutën.
Çelësi i suksesit të reformës në drejtësi qëndron tek kompromisi
– Mazhoranca aktuale për shqetësimet e politikës së ditës i referohet Reformës në Drejtësi, pra bërjes dhe arritjes së Reformës në Drejtësi, miratimit të ndryshimeve kushtetuese, për zgjidhjen e të gjitha problemeve. Pikërisht te Reforma në Drejtësi zoti President, duket sikur palët kanë ngecur në përgjithësi. Ju keni këmbëngulur shpeshherë në gjetjen e këtij konsensusi. Si e shihni nga pozicioni juaj?
Unë kam qenë i pari që kam iniciuar nevojën e nisjes së procesit për Reformën në Drejtësi që në tetor të vitit 2014 kam organizuar tryezën dhe konferencën e parë me të gjitha palët politike, me të gjithë aktorët prezentë, me operatorë të ndryshëm vendas dhe të huaj. Kam qenë gjithmonë në mbështetje të procesit të Reformës në sistemin e Drejtësisë, i cili është padiskutim një nevojë emergjente. Është një alternativë e vetme dhe nuk ka alternativë tjetër për Shqipërinë pa kryer një Reformë në sistemin e Drejtësisë, që besoj se do të ndihmojë shumë. Nuk është e vetmja dhe nuk është, le të themi, shkopi magjik i zgjidhjes së problemeve të shumta që ne kemi, por është një mundësi shumë e madhe për të krijuar hapësira dhe mekanizmat e nevojshme që të ndihmohen të gjitha përballjet që kemi me sfidat në shoqëri. Por kjo reformë duhet të na prodhojë një mekanizëm që të jetë i shëndetshëm. Të jetë një mekanizëm i pastër. Të jetë një mekanizëm i konsoliduar. Të jetë një mekanizëm jashtë influencave dhe kontrollit dhe posaçërisht të grupeve që kanë probleme dhe konflikt të madh me ligjin. Ne duhet të shmangim në mënyrë kategorike influencat e personave dhe grupimeve që janë të përfshirë në veprimtari kriminale, që të kenë influenca mbi mekanizmat e sistemit të drejtësisë; të kenë influenca mbi mënyrën e ndërtimit të mekanizmave të sistemit të drejtësisë dhe besoj që një situatë, e cila duhet të orientojë kompromisin mes të gjitha palëve në procesin vendimmarrës, është situata dhe zgjidhja e vetme për të na prodhuar një mekanizëm të tillë të shëndetshëm, rezistent dhe të konsoliduar që do t’i shërbejë vendit për dekada, le të themi, të ardhshme.
– Ka pasur përfaqësues të politikës që kanë kërkuar sërish ndihmën e niveleve më të larta të Bashkimit Evropian për zgjidhjen e këtij ngërçi të fundit. Çfarë mund të bëjë më shumë Bashkimi Evropian?
Unë e kam vlerësuar dhe e vlerësoj shumë mbështetjen që partnerët dhe miqtë e Shqipërisë, qoftë nga Shtetet e Bashkuara, qoftë nga Bashkimi Evropian u japin reformave në Shqipëri, të gjitha reformave. Edhe Reformës në sistemin e Drejtësisë. Ne kemi dy misione, që kanë asistuar në vijimësi procesin e Reformës në sistemin e Drejtësisë, qoftë ai EURALIUS, qoftë ai i OPDAT-it, por në fund të fundit reformat do të jenë pjesë e procesit vendimmarrës të aktorëve shqiptarë. Reforma do të na prodhojë një mekanizëm, që do të jetë në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Dhe këtu është e pandarë përgjegjësia me përgjegjshmërinë dhe me angazhimin e mëtejshëm. Në këtë kontekst unë do të thosha që përsa kohë janë të pandara pjesa e përgjegjshmërisë, e angazhimit dhe e përgjegjësisë, në këtë sens të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin e rëndësishëm që kanë për të arritur kompromisin e nevojshëm. Dhe unë besoj se çelësi i suksesit qëndron pikërisht tek kompromisi. Përtej kompromisit do të ishte shumë e vështirë për të krijuar e për të konsoliduar qoftë besueshmërinë e procesit, qoftë edhe mënyrën se si do të funksionojë më pas një mekanizëm i tillë i nevojshëm.