Rusia kërkon një start të ri pas eliminimit të turpshëm në Euro 2016, ku e mbylli grupin me vetëm një pikë, atë të marrë ndaj Anglisë në ndeshjen e parë. Humbja e fundit 3-0 me Uellsin e detyroi trajnerin Slutsky të jepte dorëheqjen, ndërsa federatën ruse në niste kërkimin për emrin që do ta përgatisë skuadrën për Botërorin 2018 që do të zhvillohet pikërisht në Rusi. Federata ruse e Futbollit ka si objektiv kryesor Manuel Pellegrinin, ish-trajnerin e Manchester City-t, të cilit i është ofruar një kontratë milionere 2-vjeçare. Në fakt, 62-vjeçari kilian kërkohet edhe nga Milani, mirëpo klubi italian është ende i përqendruar për të zgjidhur çështjen e pronësisë.
Oferta ruse e intrigon Pellegrinin, i cili ka kërkuar kohë për të dhënë një përgjigje përfundimtare. Eliminimi i Rusisë që në fazën e grupeve të Euro 2016 nuk ishte diçka e papritur, pasi edhe në Euro 2012 dhe në Botërorin Brazil 2014 kjo përfaqësuese nuk ka mundur të kualifikohet në fazat me eliminim direkt. Diçka të tillë drejtuesit e futbollit rus nuk mund ta lejojnë të ndodhë edhe në Botërorin e 2018-ës, ku Rusia do të ketë statusin e vendit organizator.