Shqipëria, Republikë kanabisi, Berisha thirrje SHBA, BE dhe Italisë

Ish-Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje dje komunitetit ndërkombëtar SHBA, BE si dhe Italisë të ndihmojnë Shqipërinë në parandalimin e prodhimit dhe trafikimit të drogës ndërsa bëri të ditur se vendi është shndërruar në Republikën e kanabisit. “I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndëshkojë politikën kanabiste të Ramës dhe të ndihmojë në parandalimin e kësaj situate. Nga Pogoni i Gjirokastrës deri në Alpet dhe Bjeshkët e Tropojës, në vende ku s’ta pret mendja se mund të shkohet për të mbjellë, dhe që të gjitha pa përjashtim janë nën kujdesin e plotë të shefave të policisë, të drejtorëve të policisë”, tha ish-Kryeministri.
Berisha u bëri thirrje autoriteteve italiane, vend i cili, siç theksoi ai, është i pari që e merr këtë sasi të madhe droge për të shkuar drejt Perëndimit, të cilat bëjnë një filmim në përputhje me një marrëveshje që kanë me Republikën e Shqipërisë të territorit për kanabisin, të bëjnë filmimin më të plotë të çdo pjese të vendit dhe jo vetëm aty ku i çon Saje qorri, sepse kjo do të thotë që ai fsheh plantacionet e tij dhe të klaneve të qeverisë.
Ish-Kryeministri i kërkoi qeverisë amerikane, me urgjencë të madhe të angazhohet  në identifikimin me foto, filmimet që do bëhen, por dhe duke përdorur mundësi të tjera satelitore që kanë, për të shpëtuar këtë vend mik nga kthetrat e kanabisit.
Berisha i bëri thirrje Bashkimit Europian të marrë në konsideratë me seriozitetin më të madh gjendjen katastrofale të mbjelljes së kanabisit në Shqipëri. “I kërkoj Interpolit, Europolit të aktivizojë të gjithë mekanizmat, që një bashkëpunim i frytshëm ndërkombëtar të ndëshkojë në radhë të parë politikën kanabiste të Edi Ramës, të ndëshkojë politikën zyrtare dhe implikimin masiv të zyrtarëve shqiptarë në mbjelljen e kanabisit dhe të ndihmojë në parandalimin e kësaj situate”, u shpreh Berisha.

– Zoti Berisha, ju në mënyrë intensive vitet e fundit keni denoncuar sipërfaqe të tëra të mbjella me kanabis në mbarë vendin, duke akuzuar direkt për këtë ministrin e Brendshëm, por dhe funksionarë qëndror e lokal apo grupe të ndryshme sipas jush të lidhura me qeverinë që kultivojnë dhe trafikojnë kanabisin. A mund të na thoni diçka më konkrete se pse gjithë ky shqetësim dhe gjithë ky aktivizim për këtë çështje?
Sepse në bindjen time më të thellë, kanabisi është sot kërcënimi më madhor për të ardhmen e shqiptarëve. Shqipëria po shndërrohet në Republikën e kanabisit, shqiptarët në Shqipëri po shndërrohen në kombin kanabist. Unë kam bindjen më të thellë se, kjo është rruga e kriminalizimit të gjerë, masiv të shoqërisë tonë. Por kjo është dhe rruga në mënyrë të pashmangshme, për ata që njohin dhe që kanë abc-në e historisë së këtij vendi, kjo është rruga e shkatërrimit të qenies kombëtare. Eshtë rruga e shkatërrimit, sepse kjo mbjellje masive, dora dorës dhe pa vonesë do të çojë në përdorimin masiv të kësaj droge, e cila do të thotë rrënim i qenies individuale dhe kombëtare. farë ndodhi këtë vit në Shqipëri? Këtë vit në Shqipëri, nën patronazhin direkt të Policisë së Shtetit, me miratimin e plotë të ministrit të Brendshëm dhe të mbi ministrit, të Edvin Kristaq Ramës në Shqipëri janë mbjellë këtë vit parcela kanabisi më shumë se 25 vite të marra së bashku. Përmasat e kësaj mbjelljeje janë për njeriun e zakonshëm të paimagjinueshme. Nga Pogoni i Gjirokastrës deri në Alpet dhe Bjeshkët e Tropojës, në vende ku s’ta pret mendja se mund të shkohet për të mbjellë, dhe që të gjitha pa përjashtim janë nën kujdesin e plotë të shefave të policisë, të drejtorëve të policisë, dhe kjo është një fatkeqësi.
Para katër ditësh botova një foto në breg të Vjosës, është e vërtetë që ajo ishte afër Kalivaçit, pas publikimit të saj shkatërruan vetëm 1/3 e bimëve. Të njëjtën gjë bënë në Berat që i kishte drejtori i Policisë, shkatërruan 2000 dhe lanë 9000 rrënjë të tjera pa prekur.
Thirrja ime është:
Së pari, autoritetet italiane, vend i cili është vendi i parë që e merr këtë sasi të madhe droge për të shkuar drejt Perëndimit, të cilat bëjnë një filmim në përputhje me një marrëveshje që kanë me Republikën e Shqipërisë të territorit për kanabisin, të bëjnë filmimin më të plotë të çdo pjese të vendit dhe jo vetëm aty ku i çon Saje qorri, sepse kjo do të thotë që ai fsheh plantacionet e tij dhe të klaneve të qeverisë.
Së dyti, i bëj thirrje qeverisë amerikane, e cila shpenzon çdo vit, në interesin më të mirë të amerikanëve, por dhe kombeve të tjera, miliarda dollarë në luftën kundër drogës dhe trafikimit të saj, me urgjencë të madhe të angazhohet  në identifikimin me foto, filmimet që do bëhen, por dhe duke përdorur mundësi të tjera satelitore që kanë, për të shpëtuar këtë vend mik nga kthetrat e kanabisit.
Së treti, i bëj thirrje Bashkimit Europian të marrë në konsideratë me seriozitetin më të madh gjendjen katastrofale të mbjelljes së kanabisit në Shqipëri. I kërkoj Interpolit, Europolit të aktivizojë të gjithë mekanizmat, që një bashkëpunim i frytshëm ndërkombëtar të ndëshkojë në radhë të parë politikën kanabiste të Edi Ramës, të ndëshkojë politikën zyrtare dhe implikimin masiv të zyrtarëve shqiptarë në mbjelljen e kanabisit dhe të ndihmojë në parandalimin e kësaj situate.
Dua t’u them shqiptarëve, por edhe miqve tanë, se droga dhe krimi aq sa janë kombëtare aq janë dhe ndërkombëtare ndaj dhe bashkëpunimi në luftën kundër kanabisit, kur ke të bësh me një qeveri kanabiste, është jetik dhe vendimtar. Kjo është thirrja ime dhe besoj dhe shpresoj se interesi më i mirë i komunitetit ndërkombëtar është të përqendrohet fuqimisht në situatën katastrofale kanabiste që ekziston në Shqipëri.

– Informacionet tuaja janë nga qytetari dixhital apo janë edhe të dhëna zyrtare?
Të dhëna zyrtare siç e shihni ju nuk jepen më. Ne vjet bëmë hartën e shtrirjes së mbjelljes së kanabisit dhe faktuam se Lazarat u bë gjithë Shqipëria. Tani për t’i shpëtuar kësaj, policia nuk flet më se si e kemi situaten, por raporton vetëm se shkatërruam 200 bimë këtu e 2000 bimë aty sa për sy e faqe në një kohë, kur vetëm në brigjet e liqenit të Vaut të Dejës janë të mbjella mbi 100 mijë rrënjë kanabis nga klani i drogës i Bardhok Pllanajt. Në të katër anët e vendit, Shqipëria do të ketë këtë vit më gjigant e më të paimagjinueshëm të kësaj bime helmuese me të cilën do të shndërrohet në një eksportues helmi në Europë dhe në botë, duke kërcënuar rëndë reputacionin dhe sigurinë e saj.

– Zoti Berisha, meqë jemi në këtë intervistë është në interes të dimë nëse ka diçka të fundit edhe për Reformën në Drejtësi, pra ndonjë zhvillim përtej anës proceduriale?
E reja e fundit për reformën është se, Edi Rama hoqi maskën. Pas një takimi me dy ambasadorët, përfaqësuesen e BE-së dhe ambasadorin e SHBA-së, për të mashtruar shqiptarët sikur ato që po thoshte ishin në ujdi me ta, doli dhe deklaroi sa vijon:
Së pari, i përcaktoi kryetarit të opozitës vijën e kuqe. Kjo tha është vija e kuqe. Një kryeministër që i përcakton kryetarit të opozitës vijën e kuqe për një çështje që negociohet, dëshmon qartë mungesën totale të vullnetit për të zgjidhur problemin. Së dyti, Rama mashtroi shqiptarët se të gjithë gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese janë të emëruar nga PD. Kjo është aq e vërtetë sa ç’është e vërtetë që Bamir Topi ishte një bashkëpunëtor i PD. Nuk ka shqiptar që nuk di qëndrimet haptazi armiqësore të Bamir Topit ndaj partisë që e bëri president, sepse e bleu me kokë dhe xhep Edi Rama. Çdo shiptar sot e di mirë se ishte Ina Rama. Ka vetëm tre gjykatës në Gjykatën Kushtetuese të emëruar nga Nishani, njëri prej të cilëve për hir të së vërtetës është Fatmir Xhafa, bis në drejtësi, që e ka emrin Besnik Ymeri. Ky është realiteti. Por ne, deri sa e solli presidenti e votuam dhe nuk komentojmë vendimet e tij, pavarësisht se si voton. Kurse në Gjykatën e Lartë janë gjithsej dy ose tre gjykatës të emëruar nga Presidenti Nishani dhe janë 15 të tjerë të emëruar nga Moisiu dhe Topi. Por nuk ka rëndësi kjo. Rëndësi ka fakti se Rama deklaroi se këta janë të PD dhe ndaj e do vetingun për t’i bërë të PS-së. Ai kështu e hoqi maskën. Dhe ai u tha shqiptarëve se këta i kanë të gjithë ndaj dua t’i marr unë tani dhe vetingun nuk ja u lëshoj. Në këtë mënyrë, ai tregoi shumë qartë se çfarë koncepti ka për reformën. Por ai është pengesa kryesore për reformën dhe ta dinë mirë shqiptarët që edhe atë që bën e bën falco, sepse e di që reforma do merret me Surrelin, me pallatin në pajë etj. Ai ka frikë nga reforma si djalli nga temjani!

Intervistoi: Merita Haklaj

Artikulli paraprakRusia kërkon Pellegrinin për Botërorin e shtëpisë
Artikulli tjetërRama po nxit destabilitetin dhe delegjitimon Kuvendin