Mesazh një gruaje që kishte ndërruar jetë?! Ministri i Shëndetësisë ka filluar të flasë edhe me botën e përtejme me sa duket, pasi së fundmi i ka dërguar një mesazh në telefon një ish-pacienteje, por që ishte ndarë nga jeta 2 muaj e gjysmë më parë.
“I/e nderuar S.., unë jam ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Në 02/03/2016 ju keni vizituar QSUT. Ju lutem përgjigjuni me sms falas në këtë numër, duke vlerësuar cilësinë e shërbimit që morët. Ju faleminderit!”, ky është mesazhi që kreu i shëndetësisë i dërgon të ndjerës.
Ky mesazh ka irrituar djalin e të ndjerës, fotografin e njohur Felix Bilani, i cili ka postuar në internet mesazhin e ardhur në numrin e nënës, që tani e disponon ai vetë.
“Papërgjeshmëria e Ilir Beqës në këto lloj dacibaosh është e frikshme ……..e para: Nëna ime ka 2 muaj e gjysmë që ka ndërruar jetë. Dhe këtu ku ka ardhur ky mesazh është numri im dhe unë quhem Felix Bilani. Me këtë gjë treguat thjesht që jeni bërë zyrë funerali dhe asgjë me tepër”, shkruan Bilani në Facebook, ku publikon edhe sms-të e shkëmbyera.
Ai i ka pyetur se ku e kanë marrë këtë numër, duke qenë se nëna e tij e ndjerë kishte qenë në momentet e fundit në këtë datë, ndërsa përgjigja që i vjen është “Faleminderit për përgjigjen tuaj!”.